Futbollisti i njohur i Kombëtares Shqiptare, Mirlind Daku, dhe partnerja e tij Vesa Vllasaliu, ditë më parë dhanë publikisht lajmin e gëzueshëm se janë bërë prindër për herë të parë.
Ishte vetë Daku ai i cili zbuloi që është bërë baba i një vajze, të cilën e kanë pagëzuar me emrin Miresa.
Deri më tani çifti nuk e ka zbuluar portretin e vajzës së tyre, por Vesa nuk ka lënë pa ndarë me ndjekësit e saj momente të ëmbla të së bijës me babain.
Ajo ka publikuar në “Instastory” një videot të Dakut teksa ai mban në krahë të bijën duke e përkundur dhe përkëdhelur.
Teksa e përkëdhel dhe i këndon të bijës “nina-nana”, Daku dëgjohet që në një moment thotë: “Më duket i mbushi brekët” dhe të dy ata shpërthejnë në të qeshura.
Prej kohësh, fansat kishin dyshuar se Vesa ishte në pritje të ëmbël, por modelja është kujdesur që ta mbajë të fshehtë këtë lajm deri në lindjen e vajzës.
Megjithatë, në një fotografi të publikuar disa javë më parë, pas një vëzhgimi më të kujdesshëm, vihej re barku i rrumbullakosur i saj.
Vesa Vllasaliu kishte bërë të ditur për ndjekësit e saj se ndodhej në një lidhje me Mirlind Dakun vetëm disa javë më parë.
Edhe pse për më shumë se një vit romanca e tyre ishte mbajtur larg syrit të publikut, ishte vetë modelja ajo që e konfirmoi lidhjen në përvjetorin e tyre, duke publikuar fotografi me lulet e dhuruara nga Daku dhe momente intime mes tyre.














