Farooq Abdullah, ish-kryeministër i rajonit indian Jammu dhe Kashmir (rajon në veri të nënkontinentit indian, në zonën e Himalajeve), i shpëtoi për mrekulli një atentati gjatë një ceremonie martesore, pasi një person u përpoq ta qëllonte nga një distancë shumë e afërt.
Sulmi ndodhi në prani të shumë të ftuarve, ndërsa ndërhyrja e menjëhershme e forcave të sigurisë bëri të mundur neutralizimin e autorit dhe shmangien e një tragjedie.
Pa shfaqur asnjë shenjë pendese, burri që tentoi të vriste ish-kryeministrin Abdullah (i cili është njëkohësisht kryetar i Partisë Jammu dhe Kashmir), i tha policisë të mërkurën se kishte pritur 20 vite për këtë moment. Ai pranoi se sulmi vinte nga një “agjendë personale”.
Incidenti ndodhi gjatë një dasme në Jammu, ku pamjet treguan sulmuesin 63-vjeçar, Kamal Singh Jamwal, duke iu afruar Abdullahut (i cili mbrohej nga truprojat) përpara se të qëllonte me armën e tij personale të licencuar. Plumbi nuk e goditi objektivin dhe Jamwal u neutralizua menjëherë nga komandot e Gardës Kombëtare të Sigurisë (NSG), të cilët i shpëtuan mrekullisht jetën ish-kryeministrit.
Kur një polic e pyeti pse donte ta vriste Abdullahun, i akuzuari tha: “Sot pata mundësinë ta vrisja, por nuk u vra, ai mbijetoi.” Kur u pyet përsëri për motivin, ai u përgjigj: “Kisha misionin tim.”
Jamwal u rrah nga njerëzit e pranishëm në ceremoninë martesore dhe më pas u arrestua.
Rakesh Singh, një dëshmitar okular, i tha PTI-së se Jamwal pretendonte të ishte kryetar i një organizate të panjohur më parë të quajtur “Jagran Manch”. I akuzuari tha se jetonte nga qiratë e tre dyqaneve që zotëronte.
Ndërkohë, lidhur me ngjarjen ka folur edhe i biri i shënjestrës së atentatit, kryeministri aktual i rajonit Omar Abdullah i cili shkroi në X: “Allahu është i mëshirshëm. Babai im shpëtoi për pak. Detajet janë ende të paqarta, por dihet se një burrë me një pistoletë të mbushur arriti të afrohej shumë pranë dhe të qëllonte.”
Allah is kind. My father had a very close shave. The details are sketchy at the moment but what is known is that a man with a loaded pistol was able to get within point blank range & discharge a shot. It was only the close protection team that deflected the shot & ensured that… https://t.co/hYBe64Eigl
— Omar Abdullah (@OmarAbdullah) March 11, 2026











