Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka dalë sot me një deklaratë për mediat në lidhje me ridimensionimin e institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili duhet të jetë larg ndikimit të politikës.
Deklarata e plote
Përvoja e parë katër vjeçare e Kryetarit të KQZ-së së përzgjedhur sipas këtij mekanizmi mbarti precedentë pozitivë dhe negativë në kontekstin e zhvillimeve.
Zbatimi i këtij mekanizmi për përzgjedhjen e mandatit të dytë të Kreut të kësaj trupe, në tetorin e vitit 2016 nisi një seri precedentësh që po rezultojnë gjithnjë e më shumë të kenë zhbërë tërësisht aspiratën e Reformës Zgjedhore të vitit 2012. Precedentë këto, që pasurojnë traditën e thelluar prej establishmentit politik, në përpjekje për të atakuar politikisht institucionet e veçanërisht ato të pavaruara.
Ky hap i parë dekonstruktues i aspiratës së Reformës Zgjedhore të 2012-ës, u ndoq më pas nga përmbajtja e Marrëveshjes Politike të 18 Majit 2017, e liderëve të dy partive më të mëdha parlamentare. Dakortësi, e cila ndër të tjera e vendosi emërimin e Kryetarit të KQZ-së në diskrecionin e opozitës. Ky element i marrëveshjes, dorëheqjet e dy anëtarëve të trupës së KQZ-së, procedura tërësisht jo ligjore e ndjekur nga Kuvendi i Shqipërisë për përzgjedhjen e Kryetarit të ri brenda 24 orëve, e të tjerë fakte kontekstualë, provuan botërisht jo vetëm se sa ishte arritur në të vërtetë të ngrihej një institucion i pavarur, por edhe sesa e pamundur u bë në vijimësi kjo aspiratë për shkak të diktatit të lidershipit politik.
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) asokohe e kritikoi procesin dhe procedurën e përzgjedhjes së Kryetarit të KQZ-së në tetorin e vitit 2016 dhe më pas edhe përfshirjen e tij si pjesë e marrëveshjes politike të 18 majit 2017, si edhe mënyrën e ndjekur për ndërrimin e tij, pavarësisht legjitimimit nga prag-kriza e rëndë institucionalo-kushtetuese një muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017.
Me konstituimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore më dt. 10 nëntor 2017, ka nisur një proces me pritshmëri të shumta për çështjet që meritojnë të adresohen. Një prej çështjeve që meriton medoemos të merret në konsideratë është edhe trajtimi i komisioneve zgjedhore të të tre niveleve, ku një vëmendje të veçantë meriton t’i kushtohet konstituimit të trupës së KQZ-së, si dhe funksionimit të administratës së këtij institucioni.
Të gjendur në këto rrethana, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë e konsideron prekjen e përbërjes aktuale të KQZ-së në mënyrë ekstraligjore, me direktivë politike dhe në mënyrë të njëanshme, si të gabuar dhe me rrezik të thellimit akoma më shumë të precedentëve negativë zgjedhorë. Për më tepër moslegjitimimi i një akti të tillë prej situatës politike apo kontekstit institucional, do ta shndërrojë ndërrimin e Kreut të KQZ-së në një çështje të pakorrektueshme nga çdo rregullim ligjor në të ardhmen. Një precedent i tillë nuk do të sigurojë tjetër veçse paqëndrueshmëri institucionale dhe ndikim të hapur politik të mazhorancës së radhës në orientimin e këtij institucioni të pavarur.
Koalicioni nxit klasën politike që të gjejë maturinë e duhur dhe të nisë një proces serioz, real, transparent dhe gjithëpërfshirës të Reformës Zgjedhore. Institucionalizimi i debatit politik për kuadrin ligjor zgjedhor është hapi i parë dhe i vetmi drejtim i duhur për një shëndoshje të proceseve zgjedhore në vend dhe të demokracisë shqiptare.