Gjykata Kushtetuese është vënë tashmë në qendër të vëmendjes jo vetëm nga politika shqiptare, por edhe partnerët e BE dhe SHBA. Kjo për faktin se në dorë të këtij institucioni është tashmë ligji i Vettingut, që siç u shpreh edhe ambasadorja e BE Romana Vlahutin, përbën kushtin për çeljen e negociatave.
Në një kohë që presioni i opinionit publik shtohet ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese për zhbllokimin e ligjit të rëndësishëm për integrimin, ai përpiqet të mbrohet duke thënë se po sulmohet padrejtësisht.
Duke u ndalur sërish te insistimi mediatik për zhbllokimin e medias, Bashkim Dedja akuzoi portalet dhe mediat në tërësi se po intimidojnë gjyqtarët e kushtetueses.
“Çdo ditë media, në shtyp, apo qoftë në portale të ndryshme thuhet që Gjykata, është e qëllimshme për të zvarrituer reformën, është bllokuese e integrimit në BE. Gjyqtarët janë të kësaj apo asaj natyre. Ka një ligj ku secili do të përgjigjet për gjithçka ka bërë duke filluar nga gjyqtarët e kushtetueses deri te më të thjeshtët.
Ndërkohë Dedja tha gjatë ditës së sotme se shqyrtimi i ligjit do të bëhet shumë shpejt, teksa shtoi se ende nuk është dorëzuar zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese opinioni i Venecias.
“Të gjithë thonë se e ka sjellë Komisioni i Venecias, edhe sot e kësaj dite opinioni i Komisionit të Venecias nuk ka ardhur zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese. Akoma nuk kemi një përgjigje zyrtare ndonëse e ka botuar në faqen e saj elektronike. Ne kemi komunikuar dhe dje dhe sot me Komisionin e Venecias, para pak çastesh më është kthyer përgjigje që ka pasur një problem teknik nga Komisoni i Venecias që nuk e kanë dërguar dhe mund ta nisin që sot në rrugë elektronike dhe manuale. Jemi në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias zyrtarisht. Është sulmuar vazhdimisht Gjykata Kushtetuese. Dua të sqaroj opinionin se është shqyrtuar në kohë rekord, pavarësisht se nuk është marrë vendimi. Dhe jemi në pritje të opinionit të Venecias. Kushtetuesja e ka shqyrtuar në kohë rekord.Kërkesa është regjistruar me datën 5 tetor në Gjykatën Kushtetuese, Kolegji ka vendosur me 14 tetor duke e kaluar çështjen për gjyq, ndërkohë që është marrë vendimi për ti dërguar Komisionit të Venecias me datë 25 tetor nga mbledhja e gjyqtarëve për ti kërkuar mendim dhe seanca gjyqsësore është bërë pa kaluar një muaj nga depozitimi i kërkesës. Nuk është Gjykata Kushtetuese që e pengon apo e ka zvarritur, përkundrazi ka punuar me shpejtësinë maskimale për ti dhënë përgjigje sa më shpejt pretendimeve të ngritura të këtij ligji. Sepse Gjykata fare mirë ishte komode, mund të zbatonte ligjin dhe nëse do kalojë për gjyq apo jo mund të priste periudhën tre mujore. Është krejtësisht e pabazë, të gjitha insinuata që ngrihen për zbarritjen e qëllimshme të këtij procesi.”, ka thënë Dedja, duke zbuluar për herë të parë se opinioni i Venecias nuk ka mbërrituer ende zyrtarisht në Kushtetuese.











