Një 41-vjeçar, baba i tre fëmijëve i ka dhënë fund jetës, duke u vetëvarur në një pemë pranë banesës ku jetonte në kushte të mjerueshme. Fluturim Cuku, banues në fshatin Sutaj të Përrenjasit, është gjetur i pajetë nga familjarët e tij i varur në një pemë jo shumë larg banesës.
Sipas gazetës Panorama, shkak mendohet të kenë qenë kushtet tejet të vështira ekonomike në të cilën jeton familja e tij. 41-vjeçari prej kohësh rezultonte i papunë dhe jetonte me borxhe. Situata në familjen e tij ishte përkeqësuar së tepërmi edhe për shkak se dy familjarë të tij, nëna dhe bashkëshortja janë të sëmura.
Familja Cuku ishte debitor edhe ndaj OSHSEE Librazhd, e cila për shkak të moslikuidimit të faturave të shumta i kishte ndërprerë prej disa muajsh edhe furnizimin me energji. Energjia në familjen Cuku është rikthyer vetëm pas vetëflijimit të tij me këmbënguljen e kryetares së bashkisë Përrenjas, Miranda Rira, e cila ka garantuar likuidimin e debisë.