Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Tokio, në kuadër të bashkëpunimit për promovimin e vlerave dhe kulturës, vendosën në muzeun e veshjeve në Tokio “Bunka Gakuen Costume Museum”, veshjet tradicionale të Shqipërisë së Mesme dhe Kosovës.
I ngarkuari me punë i Ambasadës së RSH-së në Tokio, Armand Shandro, dhe e ngarkuara me Punë e Republikës së Kosovës, Rudina Bukoshi, falënderuan drejtuesit e muzeut për mundësinë e ekspozimit të kostumeve tradicionale shqiptare dhe kosovare në këtë muze.
Sipas tyre, kjo përbën një mundësi shumë të mirë për vizitorët që të njihen me vlerat etnografike shqiptare. Gjithashtu, z. Shandro dhe znj. Bukoshi i shpjeguan të pranishmëve elementët përbërës të veshjeve tradicionale, unikaliteti i të cilave u mirëprit, citohet Koha.
Veshjet do të ekspozohen çdo vit gjatë periudhës së promovimit të vendeve të Evropës Juglindore. Muzeu i veshjeve Bunka Gakuen Museum, vizitohet nga rreth 35.000 vizitorë në vit, kryesisht japonezë si edhe nga vende të tjera të Azisë. (b.an)