Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në konferencë për shtyp këtë të mërkurë, 25 shkurt, me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, Kreun e Emergjencave Civile Haki Çako dhe drejtorin e Agjencisë për Industrinë e Mbrojtjes, Dorian Tola.
“Katër javët e fundit kanë qenë tejet dinamike me aktivitetet tona, duke nisur nga bashkëpunimi ushtarak me aleatët, angazhimi në përballimin e emergjencave civile, jo vetëm të pasojave, por edhe përgatitja për sezonin veror.
Një problematikë tjetër ku do doja të ndalesha ka të bëjë me politikën e rekrutimeve, për gjithë arsimin ushtarak dhe sigurisht disa zhvillime në rrafshin e industrisë ushtarake”, deklaroi ai.
Më tej u ndal te Ministieriali i NATO-s, me dy lajme të mira për vendin.
“Korridori i Tetë si pjesë e infrastrukturës kritike të aleancës dhe një vendimmarrje që e lidh Shqipërinë drejtpërdrejt me orientimin e investimeve qoftë të NATO-s, ashtu edhe BE-së. Mobiliteti ushtarak, temë shumë e rëndësishme e aleancës që nga nisja e luftës në Ukrainë, ndërlidhja infrastrukturore po ashtu. Ta mirëmbajmë këtë korridor dhe ta mbështesim me të gjitha kapacitetet ushtarake përreth aksit të tij”, tha Vengu.
Njoftoi se do të rritet angazhimi i Shqipërisë te KFOR-i.
“Është kërkuar herë pas here që të rrisim kapacitetet dhe do ta bëjmë shumë shpejt. Në këtë 6-mujor të parë do të shtojmë edhe komponentin ajror në KFOR”, tha Vengu.
“Siç e dini është ai vendi ku shpesh herë qoftë fuqitë e mëdha apo të mesme, testojnë legjitimitetin e veprimeve që do të ndërmarrin në muajt në vijim dhe në këtë realitet të ri gjeopolitik është theksuar edhe më shumë roli i vendeve si Shqipëria, si faktor stabiliteti rajonal”, tha ministri referuar Konferencës së Mynihu-t.
U ndal po ashtu te Bordi i Paqes.
“Kryeministri shtroi çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët, interesat në rajon dhe revoltën për gjyqin që po zhvillohet në Hagë”, tha ai.
“Vijon misioni në Klos apo basenin e Osumit, ku kemi një angazhim maksimal. Forcat xheniere kanë qenë të angazhuara në të gjithë territorin, për të hapur aksese të bllokuara nga rrëshqitjet në zonat rurale, për të rehabilituar struktura kritike, ura apo prita dhe në këtë mënyrë u jemi gjendur banorëve në zonat e prekura. Pavarësisht numrit të lartë të rrëshqitjeve që ka pasur në gjithë vendin, dhe dy misione kërkim-shpëtimi, apo efektit amplifikues që kanë mediat sociale për këto fenomene, fatmirësisht nuk kemi fatalitete”, deklaroi ministri i Mbrojtjes.
Për dëmet në bujqësi dhe blegtori, shtoi se do të jetë gati një paketë kompensimi.











