Nga Skënder Minxhozi/
Ekspertët juridikë të Komisionit të Venecias nuk e kanë pasur mendjen tek zallamahia që ngriti në politikën shqiptare pesëvjetori i 21 janarit. Të ardhur në Tiranë në një mision konsultimi me palët, në lidhje me draftet e dyta që komisioni i ekspertëve shqiptarë dhe partitë politike kanë përgatitur, ata kanë dalë sot në disa konkluzione paraprake, të cilat natyrisht që nuk mund të merren si gjetje finale dhe zyrtare të Komisionit të Venecias, në lidhje me reformën në drejtësi.
Ekspertët shqiptarë të komisionit të reformës duket e kanë hedhur “lumin e tyre”. Përfaqësuesit e komisionit të Venecias kanë përdorur fjalë pozitive për punën e bërë prej tyre, duke nënvizuar se drafti shqiptar përputhet me standartet europiane. Ata janë shprehur gjithashtu se vetë reforma në drejtësi nuk duhet parë si një etapë teknike drejt integrimit në BE, por si një proces në favor të shqiptarëve, për shkak se klasa aktuale e gjyqtarëve e ka humbur tashmë besimin e publikut.
Por ekspertët e Venecias kanë hedhur ujë të ftohtë mbi kokat e të gjithë atyre që besonin se ky organizëm do të ofronte disa zgjidhje të qarta dhe të prera, për momentet më delikate të draftit të reformës, të cilat kanë krijuar debate të nxehta politike në javët e fundit në Tiranë.
Ndërsa janë shprehur që çeshtjen e mandatit të kryeprokurorit ta shqyrtojnë në konkluzionet finale, ata kanë dhënë të kuptohet se nuk do të japin një opinion të caktuar, në lidhje me shumicën parlamentare me të cilën do të votohen organet e reja që krijohen nga reforma në drejtësi. Ata janë kufizuar në konstatimin se edhe 3/5-at, edhe 2/3-at e votimit në Parlament, përbëjnë shumica kushtetuese. Pra, konform standarteve normale.
Është e kuptueshme se të paktën deri tani, Komisioni i Venecias jep të kuptohet me anë të këtij pozicionimi, se nuk dëshëron ta mbajë vetë në duar pataten e nxehtë të reformës së drejtësisë shqiptare. Përkundrazi, duket se po bëhet gati ta vendosë atë në duart më të gabuara të imagjinueshme: në duart e klasës politike shqiptare. Të asaj elite politike, e cila për 25 vjet luajti vetëm me retorikën e reformës, me qëllimin unik të shtyrjes sa më shumë të saj.
Çeshtjet që mbeten pezull nga ky pozicionim i kujdesshëm i Venecias, ajo e shumicës parlamentare dhe e mandatit të kryeprokurorit, projektojnë në javët e ardhshme të njëjtën klimë kolapsi në Tiranë. Aty ku termi “marrëveshje” dhe “kompromis” është thjesht i pamundur. Nëse ky qëndrim nuk ndryshon në orët e ardhshme, na mbetet të presim një sherrnajë të madhe rreth reformës në drejtësi. Por jo vetë reformën.









