Pas miratimit në Qeveri, të vendimit, “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me leje ndërtimi, në të cilat janë kryer shtesa anësore ose në lartësi ose ndryshime të funksionit të hapësirave dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje, të destinuara për kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien”, Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni zhvilloi sot, një bashkëbisedim me një grup banorësh të qytetit të Elbasanit, të cilët përfitojnë nga ky vendim.
“Vendimi ka mjaft impakt edhe në buxhetin e familjeve, si edhe për fëmijët e tyre që të kenë një pasuri edhe të jenë zotër të apartamenteve që i kanë blerë por që nuk kanë arritur plotësisht të jenë pronarë”- theksoi Ministrja Gjermeni.
Sipas saj, ALUIZNI ka përgjegjësinë kryesore për procesin, që nga momenti i verifikimit dhe i ndjekjes se rasteve të objekteve me shkelje në lejen e ndërtimit, si dhe marrja e hipotekës për të gjitha apartamentet e qytetarëve që në rastin konkret kanë mbi 12 vjet që jetojnë pa e hipotekuar apartamentin.
Përfaqësuesit e 27 familjeve të një pallati, ku ndërtuesi i objektit kishte shpallur falimentin dhe nuk u përgjigjej detyrimeve të banorëve, shprehën interesimin mbi hapat që do të ndërrmerren pas miratimit të VKM-së
Në takimin me banorët, Ministrja e Zhvillimit Urban shoqërohej nga deputetja e zonës znj, Evis Kushi, kryebashkiaku i qytetit të Elbasanit, Qazim Sejdini, si dhe Drejtori i ALIUZNI-t të qytetit të Elbasanit, Maringlen Disha./a.m.