Qeveria Rama ka vendosur që ta hedhë e para hapin drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Greqinë, duke vendosur për ndërtimin e varrezave të reja ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941.
Ky ka qenë një nga kushtet kryesore që ka vendosur gati çdo qeveri greke në bisedimet greko-shqiptare. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, të mërkurën më datë 13 dhjetor. Duket se negociatat dy ditore më 11-12 nëntor në ishullin e Kretës midis dy ministrave të Jashtëm Nikos Kotzias e Ditmir Bushati nuk kanë qenë aq të pafrytshme siç u deklarua zyrtarisht.
Takimi i Kretës paska prodhuar një marrëveshje të cilës VKM-ja e 13 dhjetorit vetëm sa ka zbuluar pikën e parë të saj. Kështu, në prag të raundit të dytë të bisedimeve greko-shqiptare, sërish midis Kotzias e Bushatit, që këtë herë do të zhvillohen në Korçë, më 20 janar, pala shqiptare ulet në tryezë si një bisedues vullnetmirë përballë grekëve.
Varrezat nuk kufizohen në numër
Aktualisht në vendin tonë janë dy varreza të ushtarëve grekë, një në Këlcyrë dhe një fshatin Bularat të Dropullit. Këto varreza janë ndërtuar gjatë mandatit të dytë të Qeverisë Berisha, që i ka përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave në vitet 2010 e 2012. Në vendimin e tanishëm të Këshillit të Ministrave nuk përcaktohet se sa varreza do ndërtohen dhe vendet ku do ndërtohen ato.
Sipas VKM-së së publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë del se varrezat nuk kufizohen në numër dha as në vendodhje. Madje fraza në fund të vendimit se: “ngarkohen prefektët e qarqeve ku do të zhvillohen punimet për zbatimin e këtij vendimi”, ku flitet në shumës për qarqet haptazi nënkuptonqë do të jenë disa varreza të shtrira në disa qarqe.
Institucionet
Në VKM përcaktohen institucionet që do të merren me këtë proces që janë; Ministria e Brendshme ka rolin kryesor pasi sipas VKM-së “Ministria e Brendshme në bashkëpunim me bashkitë të cilat do të jenë pjesë e procesit të kërkimit, identifikimit, zhvarrimit dhe varrimit të eshtrave, të sigurojë të gjitha lejet për procesin, të përgatitë të gjithë dokumentacionin shoqërues, si dhe të marrë të gjitha masat për të bërë të mundur fillimin dhe vazhdimin e procesit në zbatim të marrëveshjes”.
Ndërsa, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë që do të ndjekin procesin e shpronësimit të trojeve për ndërtimin e vendprehjeve të ushtarakëve grekë, të rënë gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941. Ministria e Mbrojtjes, në bashkërendim me Ministrinë e Brendshme, do të ndërmarrin të gjitha procedurat ligjore për marrjen në administrim të trojeve për ndërtimin e vendprehjeve.
Po kështu edhe Prefekti i qarkut ku do të zhvillohen punimet e kërkimit edhe në bashkëpunim me bashkitë përkatëse, duhet të ofrojë të gjithë infrastrukturën e nevojshme për zbatimin e procesit të kërkimit, identifikimit, zhvarrim-varrimit në territoret e tyre. Gjithashtu caktohen edhe detaje të tjera teknike, ku përcaktohen institucione të ndryshme mbi mbarëvajtjen e këtij procesi.
Vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 5, të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
1. Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të ndjekin procesin e shpronësimit të trojeve për ndërtimin e vendprehjeve të ushtarakëve grekë, të rënë gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, të përcaktuar sipas marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010, në bazë të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar.
2. Ministria e Mbrojtjes, në bashkërendim me Ministrinë e Brendshme, të ndërmarrë të gjitha procedurat ligjore për marrjen në administrim të trojeve për ndërtimin e vendprehjeve, sipas ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”.
3. Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me bashkitë të cilat do të jenë pjesë e procesit të kërkimit, identifikimit, zhvarrimit dhe varrimit të eshtrave, të sigurojë të gjitha lejet për procesin, të përgatitë të gjithë dokumentacionin shoqërues, si dhe të marrë të gjitha masat për të bërë të mundur fillimin dhe vazhdimin e procesit në zbatim të marrëveshjes.
4. Prefekti i qarkut ku do të zhvillohen punimet e kërkimit, identifikimit, zhvarrimit dhe varrimit të eshtrave, në bashkëpunim me bashkitë përkatëse, të ofrojë të gjithë infrastrukturën e nevojshme për zbatimin e procesit të kërkimit, identifikimit, zhvarrim-varrimit në territoret e tyre.
5. Me urdhër të Kryeministrit, në zbatim të neneve 2, pika 5, dhe 4, shkronja “a”, të marrëveshjes, të përcaktohen ekspertët e palës shqiptare në Komitetin e Përbashkët të Ekspertëve Shqiptarë dhe Grekë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e eshtrave, si dhe ekspertët në terren të palës shqiptare.
6. Ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore, të përfaqësuara me ekspertë në Komitetin e Përbashkët në terren të përballojnë shpenzimet për realizimin e detyrave nga këto ekspertë, sipas legjislacionit në fuqi.
7. Ministria e Mbrojtjes, në zbatim të pikës 8, të nenit 1, të marrëveshjes, të organizojë, në bashkëpunim me palën greke, ceremonitë zyrtare në përkujtim të të rënëve në luftë, çdo vit, në datën 28 tetor.
8. Ministria e Financave dhe Ekonomisë të marrë masat e nevojshme për zbatimin e të gjitha procedurave të zhdoganimit dhe të përjashtimit nga detyrimet doganore sipas ligjit nr.10256, datë 25.3.2010.
9. Vendimi nr.496, datë 29.6.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010”, shfuqizohet.
10. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe prefektët e qarqeve ku do të zhvillohen punimet për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA