Kjo javë duket se do të jetë shumë e rëndësishme për negociatat lidhur me arritjen e marrëveshjes mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian. Sidoqoftë, kanë filluar përgatitjet për reagim të duhur në rast të dështimit për arritje të marrëveshjes, me ç’rast do të ndodhte ndarja pa marrëveshje. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i ka publikuar mbi 100 njoftime teknike me të cilat informon bizneset dhe konsumatorët që të përgatiten për një ndarje të vendit nga BE-ja pa marrëveshje. Për më tepër, edhe vendet tjera të BE-së po përgatiten për këtë ngjarje të mundshme.
Ndarja e Britanisë së Madhe nga BE-ja paraqet brengë për të gjitha vendet të cilat kryejnë shkëmbime tregtare me vlera të mëdha me këtë shtet. Sidoqoftë, duhet theksuar se gati të gjitha çështjet doganore shtjellohen në nivel evropian nga Komisioni Evropian, prandaj çdo masë e mundshme që mund të ndërmerret do të varej shumë nga vendimi i përgjithshëm që do ta merrte BE-ja për të gjitha vendet anëtare.
Pavarësisht rolit të Komisionit Evropian në këtë çështje, Franca ka filluar të ndërmarrë masa për t’u përgatitur për një Brexit pa marrëveshje. Kështu, Franca ka punësuar një staf shtesë prej 250 anëtarësh në dogana dhe ky numër pritet të arrijë në 700 deri në fund të vitit 2020. Doganat e Francës po ashtu kanë publikuar disa informata në mënyrë elektronike lidhur me përgatitjet për Brexit-in në të gjitha format e mundshme. Muajin e kaluar, qeveria e Francës publikoi një draft dokument, në të cilin thuhej se ndarja pa marrëveshje nënkupton kontrollim të udhëtarëve dhe mallrave që vijnë dhe shkojnë drejt Britanisë së Madhe si dhe inspektim të ushqimeve, bimëve dhe kafshëve të gjalla.
Në anën tjetër, Gjermania ka publikuar më pak të dhëna informuese se Franca, gjë e cila ka shkaktuar huti në mesin e udhëheqësve të bizneseve dhe partive opozitare. Sidoqoftë, Qeveria Federale e Gjermanisë ka një kabinet të veçantë për çështjen e Brexit-it, i cili udhëhiqet nga Angela Merkel, e cila ka folur rreth rëndësisë së përgatitjeve të duhura në rast të ndarjes pa marrëveshje. Ajo deklaroi para deputetëve muajin e kaluar se këto përgatitje përfshijnë edhe menaxhimin e statusit të rreth 100 mijë qytetarëve britanikë në Gjermani, shumë prej të cilëve janë duke jetuar në Gjermani për një kohë të gjatë si dhe statusin e gjermanëve që jetojnë në Britani të Madhe.
Spanja nuk ka ndonjë plan të shkruar në rast të ndarjes së Britanisë së Madhe pa marrëveshje nga BE-ja. Kur ministrja e ekonomisë, Nadia Calvino, vizitoi Londrën më 29 tetor, ajo deklaroi se Spanja i përkrah negociatat me Komisionin Evropian dhe se vendi i saj do të presë edhe disa javë para se ta hartojë një plan zyrtar. Kjo i ka shqetësuar shumë britanikë që janë me banim të përhershëm në Spanjë, ndonëse pritet që vendet do të arrijnë marrëveshje reciproke në rast të dështimit të marrëveshjes me BE-në, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
ma.me