Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka uruar Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Në mesazhin e tij, Veliaj thekson rëndësinë e 17 Shkurtit si ditë që simbolizon sakrificën dhe qëndresën për liri.
“Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! 17 Shkurti nuk është thjesht një datë – është kujtesë se LIRIA nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë, me qëndresë dhe besim. Sot, më shumë se kurrë, Kosova meriton të festojë me kokën lart: për të gjithë ata që luftuan dhe për çdo të ri që rritet me flamur e dinjitet”, shkruan Veliaj.
Veliaj ka përkujtuar gjithashtu edhe drejtuesit e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke shprehur shpresën që procesi i tyre gjyqësor të përfundojë me drejtësi dhe respekt për historinë dhe lirinë e Kosovës.
“E në këtë ditë, nuk mund të mos mendojmë edhe për ata që luftuan në betejë që Kosova të jetë e lirë – drejtuesit e UÇK-së. Ende shpresoj se procesi i tyre do të përfundojë me drejtësi dhe me kthimin e secilit në shtëpi, në respekt të së vërtetës, historisë dhe lirisë së Kosovës. Gëzuar Kosovë – qofsh gjithmonë e lirë!”, vijon ai.
Këtë 17 shkurt, Kosova shënon 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, një nga datat më të rëndësishme në historinë moderne të vendit. Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Deklaratën e Pavarësisë, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.











