I ftuari i parë i rradhes ne emisionin “Xing me Ermalin” ishte Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili nuk nguroi aspak t’i përgjigjej pyetjeve të moderatorit Ermal Mamaqi.Nën petkun e humorit, por jo vetëm Veliaj ka rrëfyer pjesë nga puna e tij e përditshme në Bashki. Një ndër problemet kryesore që po hasin qytetarët e Tiranës është kaosi i trafikut, për shkak të punimeve që po bëhen në sheshin “Skëndërbej”, por edhe në akset kryesore të kryeqytetit. Kryebashkiaku i Tiranës sugjeron që të shmangen sa më tepër qarkullimet e kota me makinë, në mënyrë që të ulet trafiku i rënduar.Intervista e plotë:
Nga e dogje për Vitin e Ri?
Tani më vjen të qesh se ngaqë ishim te zjarrëfikësit, më shumë e fikëm sesa e dogjëm.
Shkove për vizitë natën e Vitit të Ri?
Zjarrëfikësit punojnë me turne 24 orëshe, kështu që me turnin që ishte për natën e Vitit të Ri e kaluam aty festën, kështu që nuk dogjëm asgjë, përkundrazi gjatë darkës dy – tre shkuan të fiknin zjarret e atyre që e kishin kallur. Ishte një palmë tek Blloku dhe e lanë gjelin e bakllavanë dhe shkuan të fiknin palmën. Kaluam shumë mirë, po më tregonin një histori sepse ato emrin e kanë zjarrëfikës, por vetëm 30% e rasteve janë zjarre, pjesa tjetër janë psh., kur bllokohet dikush në shtëpi. Dhe më treguan një histori, që i kishte marrë dikush në telefon dhe i kishte thënë: urgjent kam ardhur nga jashtë shtetit, jam i ngarkuar me çanta, më erdhi avioni me vonesë, ora dy e natës, hajdeni më hapni derën e shtëpisë i kishte thënë. Kishin shkuar këta të shkretët e mi, për t’i hapur derën e shtëpisë dhe ky në fund fare i kishte thënë, që rrofsh faleminderit, t’iu jap edhe ndonjë qerasje të vogël. Hapën sytë zjarrëfikësit se kush i ka qerasur ndonjëherë, jo nuk marrim ne kështu, por të ndihmojmë deri në fund dhe jo vetëm që nuk i morën lekë, por e ndihmuan edhe me valixhet. Kur shikojnë ata valixhet ishin bosh dhe kishin filluar të mendonin, se çfarë është ky që vjen nga jashtë shtetit me valixhe bosh…! Ai në fakt kishte qenë hajduti, që kishte marrë zjarrëfiksen me i hapur derën e shtëpisë. Por në fund u kap dhe u arrestua.
Për vitin e ri a there ndonjë kafshë?
Unë nuk ther kafshë, këto gjërat me gjak i kam alergji, por duhet ta pranoj që, tregu i Baldushkut shkoi shumë mirë dhe jam i sigurt që janë therur pafund gjela në Tiranë. Shkoi aq mirë sa kur vajta për të inspektuar tregun dhe më thanë që, me këtë reklamë që na ke bërë kemi shitur jo vetëm tanët, por edhe ato të Peqinit.
A fle natën me gjithë këtë dëme që i ke bërë gjelave?
Unë nuk kam therur asnjë gjel, por më zë gjumi natën.
Ti çohesh në 6 të mëngjesit?
Çohem herët.
Se kam dëgjuar që shkon në 06.30 në punë…
Çohem herët se dua që ta kem ditën përpara. Kur shkoj më herët e vë ditën përpara dhe pastaj më vë dita mua përpara.
Ma thuaj troç, a do të bëhet ndonjëherë Tirana apo shpresojmë kot ne?
E ke dëgjuar atë këngën “Ku ka si Tirona lale”?
E kam dëgjuar, por po ta dëgjosh mirë ajo thotë se nuk është Tirona siç ka qenë.
Mirë, por sërish refreni është “Ku ka si Tirona” në sensin që të mos jetë siç ka qenë, mund të mos jetë edhe qyteti më i mirë, por më të mirë se Tirona nuk kemi parë.
Erion, më vjen keq tani po ka shumë pallate në Tiranë që del i vdekuri në këmbë se nuk e merr dot kthesën tek shkalla.
Është e vërtetë. Kemi pasur disa ndërtime shumë problematike. Ne kemi një betejë konstante me zënien e trotuareve. Madje dikush po më thoshte sesi mund të kalojë kortezhi përmbi sallatat dhe qepët, që shiten në rrugë. Po mundohemi në disa lagje që ata që nuk kanë tregje, t’i kenë këto, në mënyrë që këto të mos bëhen pengesë për kalimin e përditshëm të njerëzve.
Ju dëgjoj shpesh Erion që thoni se e gjetëm shtetin në një gjendje të mjerueshme, e kishte bërë PD – ja përtokë, shtetin e kishte shkatërruar… ore pse e morët kur nuk e donit kështu? Ju detyroi njeri?
Jo, por kështu qenka e ndarë kjo botë. Disa prishin dhe disa ndërtojnë. Duhet me ndërtuar që kur të vini të keni se çfarë të prishni. Se e ndërtoi ai para meje, erdhët ju dhe prishët Zogun e Zi, sheshin “Skëndërbej” tani duhet të ndërtojmë sërish, që ku të vini të keni se çfarë të shkatërroni.
Këtë urën te stacioni i fundit i Tiranës së Re, respekte! E kishe qarë, shikoj njerëzit nëpër facebook dhe Instagram që bëjnë foto aty tek ura dhe shkruajnë: “Ej përshëndetje nga Milano”! Pavarësisht se ngeli dy vjet për t’u ndërtuar, por çfarë rëndësie ka kjo…
E para e punës unë një vit kam. Ata e ndërtuan para kohe. Por mund të kemi pasur vonesa se ka raste që i ka dalë pronari i tokës, si psh, tek kjo urë që po flasim.
Me Lanën ç’do bëhet është menduar ndonjë plan për t’u thelluar Lana?
Po, e kemi një plan për ta thelluar. Tek Pallati me Shigjeta ka filluar planifikimi i projektit që, do e çoj Lanën deri tek ura në Kashar. Po kështu edhe në Shkozë.
Të të jap një këshillë, por mos ma merr për të keq. A mund t’i thuash atij admin – it tënd të Facebook- ut apo Instagramit të Erion Veliajt që , të mos i fshijë të gjitha komentet negative se ngjajnë sikur të komentojnë vetëm këto të fisit.
Punët e bashkisë duke qenë se kanë energji të mirë, pra bëhen me pozitivitet, në përgjithësi tërheqin një pjesë të shoqërisë që, është pozitive. Mundohemi që komunikimi me Bashkinë të jetë etike dhe pa gjuhë vulgare.
E ke menduar që në të ardhmen mund të vij një kryetar bashkie dhe ta prishi sërish sheshin “Skëndërbej”?
Po ja ti e mendon që mund të vij ndonjë kryetar bashkie i partisë tënde dhe të prishi këndin e lodrave, i vërsulen të gjitha familjet.
Jo se besoj këtë.
Di të them që kur janë bërë punë të mira, se Bulevardi i vjetër është bërë në kohën e Italisë në periudhën e Zogut, por është një e mirë publike që as komunizmi, askush nuk e prishi. Unë mendoj që, këto që janë prishur kanë qenë me probleme dhe disa gjëra që janë bërë me shumë debat publik si këndi i lojrave, në momentin që kanë fituar pëlqimin e publikut është shumë e vështirë që kushdo tjetër t’i zhbëj. Ndaj nuk besoj ndonjë kryetar pas meje, të çmendet dhe të prishi këndin e lojrave se nuk ka për të funksionuar.
Po mirë edhe sa kohë do t’ia merrni shpirtin Tiranës? Trafiku se ngelëm në vend.
Po ti nuk ke trafik, se je vetë trafik. Fakti që je aty ku janë të gjitha makinat e tjera do të thotë që edhe ti ke dalë të bësh të njejtën zgjedhje. Ne kemi parë të gjitha statistikat, gjysma e atyre që përdorin makinën e përdorin për distanca gati 100 deri në 200 metra. Nga kalkulimi që kemi bërë, një familje në Tiranë më shumë paguan për makinën sesa për fëmijën.
Po mirë mo, po këto rrugët që i ke hapur të gjitha njëherësh, a nuk i bën dot një nga një?
Sepse me shumë gjasa nuk e di për ty, por nuk do të jetoj 100 vjet dhe nuk do rri 100 vjet kryetar bashkie. Pra nëqoftëse janë punë për t’i bërë duhet t’i bëjmë menjëherë. Ne vërtet ndërtuam një urë dhe filloi një urë tjetër. Pra mbyllen disa dhe fillojnë disa tjera, por e rëndësishme është që t’i bëjmë.
Po me urën ç’pate?
Ura ishte e amortizuar dhe shumë qytetarëve u binte këmba në gropat që ishin hapur në urë.”
Quiz për të testuar IQ se sa mirë e njeh një kryetar bashkie qytetin, të cilën drejton:
Kur u shpall Tirana kryeqytet?
Tirana u shpall kryeqytet në Kongresin e Lushnjes në vitin 1920.
Shtëpia e një tironsi ka patjetër një pus…
Ka një pus, një carac dhe hallë beqare me nallone.
Jo… ka një pus, një carac dhe një budall. Sa është popullësia e Tiranës?
Është thuajse 1 milion, fiks 980 mijë banorë.
Mirë atëherë nga këto 980 veta, ku e ka shtëpinë Osmoni?
Osmoni e ka tek Selvia, përballë Ximit ngjit me Xonin.
Çfarë përbërje gjeologjike ka dheu i Tiranës?
Dheu i Tiranës është i gjithi mjaltë dhe tlyn.
Nga cilat qytete kufizohet Tirana?
Tirana e madhe tani kufizohet nga Dibra, nga Klosi, nga Librazhdi, nga Fushë – Kruja, nga Burreli, nga Rrogozhina, nga Elbasani, nga Shijaku, nga Durrësi, nga Kavaja sepse është më e madhe dhe do të thotë që kufijtë i kemi shumë larg.
Sa pare kushton byreku i usta Muratit?
Byreku i usta Muratit, katër copa bëjnë dy pare, kështu që një copë bën gjysmë pare.
Ku dergjen eshtrat e Bomit?
Eshtrat e Bomit me shumë gjasë dergjen te varri i Bomit.
Tironsit thonë gjalpë ose…
Tlyn.
Kur është koha më e përshtatshme që Tatja të blej fuston ose kapele?
Tate, tate du fuston ta blen tata për Bajrom.
Më thuaj pesë fshatra të Tiranës.
Zall Herr, Zall Dajt, Zall Bastar, Pezë, Ndroq. Ka edhe një super fshat në Njësinë Administrative 5, quhet Gjysulkonjë.
Mirë na thuaj të gjithë emrat e këtij fshati…
Coni, Goni, Zeni, Lymi, Muli, Dashi, Xoni etj.
Përfundoi me sukses quiz – i për Kryetarin e Bashkisë.
Erion, Rama ka qenë kryetar bashkie, pastaj u bë kryeministër. Ti çfarë do të bësh pas mandatit si kryetar?
Dashtë Zoti dhe po deshën njerëzit në Tiranë të kem një mandat të dytë. E kam me shumë kënaqësi se e shikoj që njerëzit janë të kënaqur dhe të më japin bekimin e tyre që të punoj edhe një katër vjeçar si ky do e bëja me shumë dashuri.
Çfarë është diçka që ti e ke fiksim që do t’ia ndyshosh Tiranës?
Kam një fiksim të paparë. Ke parasysh njerëzit që nxjerrin gomat jashtë rrugës? Ose gurë… Ne kemi ekipe në bashki që implementojnë në heqjen e tyre, por nuk mbarojnë kurrë. Nuk e di si dalin.
Po sa i përket Tramvajit e premtove ti?
Jo unë nuk kam premtuar gjë.
Po a do bëhet ndonjëherë ky tramvaj?
Po do të paguash më shumë taksa, ne mund të bëjmë tramvaj dhe metro.
A ka ndonjë ligj që nuk të kap ligji?
Ka ligje që me Kodin e Punës nuk duhet t’i nxjerrësh njerëzit në punë në të shtune dhe të djele, por unë e bëj ndonjëherë kur kemi situata emergjente. Deri tani nuk më ka kapur ligji, por është shkelje ligji.
Pyetje nga Facebook:
Nëse të vjen mundësia a do të ishe bërë kryeministër i Shqipërisë dhe a e kishe bërë Ermalin Ministër të Kulturës?
Po e shijoj shumë këtë që po bëj tani dhe duke qenë se kryeministrin e kam shok, m’a ka thënë që është shumë më e bukur sesa e kryeministrit.
A do të bëj ndonjë fëmijë se ngeli duke marr borxh kalamajtë e dynjasë me dal në foto?
Momentalisht jemi duke bërë prova.
Mos ndoshta brenda vetes ndjehesh fëmijë që, bën kënd lojrash?
Unë them që të gjithë duhet të ngelemi pak fëmijë. Problemi më i madh është që e marrim veten shumë seriozisht, unë them që duhet të jemi pak fëmijë brënda vetes.
Nga është frymëzuar lali Eri me shprehjen: “Po ia bëre Tiranës, Tirana ta bën mbrapsht”?
Kjo është me një dozë humori, por çdo i rritur që është i vaksinuar nuk duhet ta bëjë këtë veprim. Ideja e kësaj shprehje lindi nga boja hidro – fobike që përdorëm.
Sa lek mban në xhep?
Ja të shikoj sa kam në xhep. Paskam 1000 lekë. /tvklan/