Kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës i bëri thirrje demokratëve që të distancohen nga drejtuesit e opozitës që për interesa të tyre të pushtetin duan të shkatërrojnë Tiranën dhe Shqipërinë. Veliaj tha se Shqipëria duhet të ndahet njëherë e mirë nga Sali Berisha, duke e akuzuar këtë të fundit për krime të shumta kundër popullit shqiptar. “Saliu ka futur vendin në luftë civile më 1997, kur u vranë 4000 vetë për çmendurinë e tij. Ka 30 vjet që ky njeri mban peng Shqipërinë. Më 30 qershor përfundimisht ndahemi nga ajo periudhë. Një mallkim që duhet t’i themi shporru. Një plak zevzek që nuk do të mirën ndaj askujt. Ta largojmë përfundimisht këtë të keqe më 30 qershor, për ta lënë përfundimisht larg nesh”, tha Veliaj. Ai theksoi se shumë prej kryetarëve të bashkive opozitare që furnizojnë me protestues tubimet e opozitës, nuk kanë asnjë të drejtë të shkatërrojnë atë që është arritur të bëhet në Tiranë në këto 4 vite, ndërkohë që qytetet që kanë drejtuar vet janë sot në një gjendje të mjerueshme. “Teksa ne jemi duke folur këtu, ka edhe një grup tjetër shumë më i vogël sigurisht, si gjithmonë, i cili është gjithashtu duke folur në ndonjë vend tjetër, duke bërë planet. Ne po bëjmë planet për Tiranën 2030. Ata po bëjnë planet për 30 orët e ardhshme. Cilat janë planet, besoj e dëgjuat Voltanën: Ta kisha një molotov i kisha rënë edhe unë. E dëgjuam Xhelalin, i dëgjuam gjithë këta të tjerët. Kam një pyetje, për këtë grupin që vjen dhe bëhet gjithmonë dhe më i vogël e më i dhunshëm. Pyetja ime për çdo qytetar shkodran që vjen nesër të na shkatërrojë Tiranën me molotov është kjo: Keni shkolla si kjo në Shkodër, keni fusha si ajo në Shkodër, keni kënde lodrash si këto tonat në Shkodër, keni park te Liqeni juaj si parku te Liqeni jonë në Shkodër, keni çerdhe dhe kopshte siç i kemi bërë ne këtu në Kombinat në Shkodër? Nëse përgjigjja evidente është “jo”për çfarë vini dhe shkatërroni Tiranën?”, tha Veliaj.
Ndaj kryebashkiaku theksoi se çdo mbështetës i opozitës para se të vijë dhe të shkatërrojë Tiranën të bëj më parë krahasimin mes asaj që kanë bërë drejtuesit e tyre demokrat të bashkive me atë që gjejnë në Tiranë. Ai u shpreh i sigurtë se pas 30 qershorit PS do të qeverisë edhe Shkodrën, Kamzën, Kukësin, Lezhën dhe çdo bashki ku deri më sot kanë keqqeverisur të djathtët. “Ndaj miqtë e mi, mos merrni molotov dhe merrni rrugën për në Tiranë. Shihni si është Tirana, krahasojeni me qytetet tuaja dhe ndoshta i vetmi vendim inteligjent është që në datën 30 të votoni numrin 30, Partinë Socialiste si e vetmja parti që mund ta pastrojë qytetin tuaj, si e vetmja që mund t’ju bëjë shkolla si në Tiranë, lodra si në Tiranë, kënde sportive si në Tiranë, çerdhe si në Tiranë, kopshte e parqe si në Tiranë. Kjo është thirrja ime për këdo që mbush furgonat. Mund t’i mbushni edhe këtë të shtunë, mund t’i mbushni edhe të shtunën tjetër, mund t’i mbushni furgonat edhe të shtunën e tretë, por e treta e vërteta pas të shtunës së tretë vjen e diela ku PS do të qeverisë edhe Kamzën, edhe Shkodrën, edhe Lezhën, edhe Vaun e Dejës, edhe Tropojën, edhe Kukësin. Kur të mbarojë data 30, për këta kryetarë Bashkishë, që me urdhër të Lulit mbushin furgonat me molotov, me fishekzjarrë, me shashka, me pllaka, me gurë, me tulla, për çfarë do të mbaheni mend? E patë Voltanën? Mund të jetojë dhe dashtë zoti bëhet 200 vjeç, por gjithmonë do e shoqërojë budallallëku që tha: Mezi pres të vij të shkatërroj Tiranën. A thua se e bëri lule Shkodrën dhe vjen me na dhënë mend në Tiranë dhe prish punët tona”, u shpreh Veliaj.
Ai theksoi se opozita nuk meriton më mbështetjen e qytetarëve dhe të vet demokratëve që i besuan asaj votën e tyre për ti përfaqësuar në Këshill Bashkiak dhe Kuvend dhe ajo për interesat e një grupi të vogël njerëzish e tradhtoi këtë besim duke dalë në rrugë. “Nëse një roje ikën nga puna nuk mund të kthehet pas dy vitesh dhe të thotë a do më marrësh prapë në punë. Por ne të provuam një herë dhe ti shkele kontratën. Dhe nëse ne jemi kaq të rreptë me një roje apo një mësuese si nuk jemi të rreptë me politikanë që pasi bëjnë kontratën për 4 vite ikin nga puna. Nuk ka më kthim prapa, po ike nga puna dhe po e le popullin në grenë nuk kthehesh dot më. Kështu që ne nuk kthehemi më prapa”, tha Veliaj.
Veliaj shtoi se drejtuesit e opozitës sot kërkojnë të shkatërrojnë Tiranën dhe vendin sepse nuk kanë asnjë interes që ta shikojnë atdheun e tyre mirë, pasi fëmijët e tyre i kanë jashtë shtetit. “Nëse Luli, Saliu, Nishani e kanë një planë “b” dhe Shqipërinë e shohin vetëm si mish për top që të pasurohen dhe pastaj të ikin aty ku kanë pasaportën, nëse himnin e këndojnë në mënyrë të ngjirur vetëm që të manipulojnë vetëm pak ata që i ndjekin, ndërkohë që pasaporta e tyre nuk ka më shqiponjën, pyetja për demokratët është për çfarë u shkoni prapa dhe për çfarë digjni e shkatërroni Tiranë e kalamajve tuaj se ju nuk keni një plan “b”, ju si dhe ne keni vetëm një plan. Demokratët e thjeshtë si socialistët kanë vetëm një plan, vetëm Tiranën kemi, nuk kemi një plan b. Ndaj miqtë i mi pa dallim edhe në minutën e fundit nëse dikush kthen rrugë duhet të përqafohet nga PS dhe duhet ti themi mirëserdhe”, shtoi Veliaj.