Me marrjen e funksioneve mbi pyjet dhe kullotat, Bashkia e Tiranës ka nisur menjëherë punën për vënien në zbatim të projektit për monitorimin dhe kontrollin e fondit pyjor, i cili realizohet për herë të parë në Shqipëri dhe ka për qëllim raportimin në kohë reale nga salla operative të kundravajtjeve në pyje dhe të vatrave të zjarrit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Drejtori i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhe, mori pjesë në përurimin e zyrave të Drejtorisë së Administrimit të Pyjeve dhe Kullotave, që do të zbatojë projektin e monitorimit dhe kontrollit të fondit pyjor për zonën Kllojkë, Fag dhe Shëngjergj.
Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës, përveç mbjelljes së fidanëve të rinj, do të tregojë një kujdes të veçantë edhe për monitorimin e hapësirës së gjelbër të kryeqytetit, me qëllim ruajtjen e fondit pyjor. Ai theksoi se për këtë qëllim janë vendosur edhe kamera të teknologjisë së fundit, të cilat do të sinjalizojnë në kohë reale për të mundësuar edhe shuarjen e shpejtë të zjarreve.
“Nuk mund t’i vëmë roje çdo peme dhe besoj se bën sens që, teksa shtojmë pyllëzimin në Tiranë, teksa shtojmë gjelbërimin dhe nisim mbjelljet për pyllin orbital, është shumë e rëndësishme që fuqinë njerëzore ta fokusojmë në këto projekte të reja, e njëkohësisht të ruajmë fondin pyjor që kemi trashëguar. Dua t’u bëj me dije se tashmë kemi vënë në funksion një kamera termike dhe një kullë vrojtimi në Malin e Dajtit, e cila përfshin rreth 300 km katrorë. Do të thotë se mundemi të shohim në kohë reale nëse dikush po dëmton pyjet. Tani që edhe pyjet e zjarrfikëset menaxhohen nga Bashkia e Tiranës, jemi më efiçentë për të shuar zjarret e parandaluar çdo dëm që mund t’i ndodhë fondit pyjor”, tha Veliaj.
Ai tha se salla operative do të funksionojë 24 orë për evidentimin rasteve problematike dhe në të njëjtën kohë do të ndihmojë në procedimin ndaj shkelësve të ligjit. “Këtë dimër kemi qenë jashtëzakonisht konservatorë në licenca dhe prerjen e pemëve. Kemi ricikluar pemë të rëna apo të dëmtuara, sepse besojmë se nuk ka sens të flasim për filozofinë e pyllit orbital, nëse nuk arrijmë të ruajmë dot këto që kemi. Tashmë, me futjen e teknologjisë, kemi një sallë operative ku mund të vëzhgojmë mënyrën se si po trajtohen pyjet në gjithë Tiranën, kryesisht në zonat rurale e malore. Kjo na jep mundësinë të nisim procedim ndaj shkelësve, të njoftojmë policinë apo në rastet e zjarreve, njoftimin e zjarrfikëseve”, tha ai.
Veliaj i këshilloi qytetarët të tregohen të kujdesshëm me fondin pyjor, pasi në rast të kundërt, askush nuk mund t’i shpëtojë ligjit. “Sistemi është një ndër sistemet më modernë. Ne arrijmë të kemi një qartësi deri në 20 km distancë, kështu që mesazhi është shumë i thjeshtë: Mos i dëmtoni pyjet; nëse i dëmtoni, e sigurt që do kapeni dhe kjo vlen si për ata që vënë zjarret, si për ata që presin pemë në mënyrë të paligjshme”, tha kreu i Bashkisë. /b.d