Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka pasur sot një takim me administratorët e 24 njësive administrative, ku ka deklaruar se situata në gjithë territorin e bashkisë së re është marrë nën kontroll, ndërsa ka shpallur aksionin qytetar për pastrimin e territorit më datën 4 shtator. Sipas tij situata e tranzicionit të ndryshimit të bashkisë nuk ka sjellë asnjë cenim të shërbimeve nga të gjitha njësitë administrative, çka sipas tij përbënë një sukses të parë të reformës territoriale. “Më vjen mirë që nga asnjë njësi nuk kemi pasur ndërprerje të shërbimeve dhe që asnjë qytetar nuk ka mbetur pa marrë shërbimin e kërkuar nga njësia. Këtë fazë të tranzicionit do ta kalojmë me sukses deri në fund për tu siguruar që e kemi marrë në kontroll situatën dhe hapi i parë i reformës është një hap i suksesshëm”, tha Veliaj në takimin me administratorët që u zhvillua në ambientet e Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Më tej duke u përqendruar tek aksioni që ka ndërmarrë tashmë Bashkia e Tiranës për të vënë në punë operatorët e pastrimit të Tiranës, ai ka theksuar se rezultatet e para kanë qenë pozitive dhe inkurajuese. “Ne kemi marrë aksionin tonë të parë dhe do doja shumë që ky muaj gusht të ishte muaji aksionit të pastrimit të Tiranës. Përgjigjet fillestare kanë qenë mbresëlënëse dhe çka do të thotë që me pak kërkesë llogarie këtu mund të pastrohen rrugën, mund të lahen rrugët, mund të mblidhen plehrat. Ndaj do doja që me të njëjtin rigorozitet të vazhdojmë për tu siguruar që të fitojmë betejën me plehrat”, u shpreh Veliaj.
Më tej duke qëndruar tek e njëjta çështje ai ka bërë të ditur vendimin për të zhvilluar një aksion të përgjithshëm, duke përfshirë jo vetëm strukturat dhe operatorët e pastrimit por të gjithë komunitetin për pastrimin rrënjësorë të të gjithë bashkisë së re, duke filluar që nga fshatrat më të largëta dhe në gjithë qytetin. Këtë dua që ta bëjmë në të gjitha njësitë. Dua që të ftoni të gjithë njësitë tuaja të gjithë qytetarët dhe në datën 4 shtator ne do të kemi një aksion për pastrimin e Tiranës ku do të ftojmë të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë. Keni një muaj kohë për tu përgatitur dhe për të treguar që ne të parët, kontraktorët janë në krye të punëve dhe 4 shtatorë do ftojmë të gjithë qytetarët. Secili prej jush do drejtojë shtabin e pastrimit në njësinë tuaj”. Do ti ndani me blloqe, do ti ndani me rrugë, e gjithë administrate do drejtojë një ekip një kompani, nga një palë doreza dhe nga një qese secili në dorë, kompanitë do jenë aty, ushtria do bashkohet kur vjen puna për të hequr inerte ose pjesë më të vështira”, tha Veliaj.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se nisur nga situata e rëndë që shkaktuan shirat e ditëve të fundit në Maqedoni, ka vendosur që ti vijë në ndihmë drejtuesve lokalë të Tetovës, qoftë me një ndihmë financiare ashtu edhe me ç’do mënyrë tjetër, çka mund të vinte në ndihmë përmirësimit të situatës. “Do çmoja shumë nëse secili prej jush do shprehë solidaritetin me situatën në Tetovë. Ne do jemi në gatishmëri për të ofruar çfarë do lloj lehtësimi të kësaj situate të rëndë” u shpreh Veliaj.









