Ish-ministri i Jashtëm i Francës, Hubert Vedrine është kundër krahasimit të bërë nga kryeministri Edi Rama i cili krahasoi marrëdhëniet Shqipëri-Serbi të ngjashme me ato të Francës dhe Gjermanisë.
Vedrine, një nga diplomatët dhe ekspertët më të njohur të politikës ndërkombëtar, komentoi edhe vizitën e Kryeministrit serb, Vuçiç të cilën e cilësoi si historike dhe që tregon se këto dy shtete kyç të rajonit arrijnë të punojnë së bashku mbi një çështje kyçe të rajonit, siç është Kosova.
Por pyetjes se çfarë mendon në lidhje ne analogjinë e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi me ato të Francë-Gjermani, ishi-ministri u shpreh se nuk shihte një analogji të situatës, rrethanave dhe mënyrës së bashkëpunimit, por thjesht një krahasim të bukur
“Është një krahasim i bukur, një inspirim i bukur, por në realitet gjendja është e ndryshme. Nuk duhet harruar se pas Luftës së Dytë Botërore nuk është Europa që bëri paqen, sepse ajo ishte fusha e betejës, por ishin amerikanët dhe sovjetikët që bënë paqe, imponuan paqen. Duke qenë se kishte një kërcënim sovjetik në Europën Perëndimore, kjo i shtyu europianët që të bashkëpunojnë më ngushtë me njëri-tjetrit. Amerikanët u rikthyen dhe vunë kontrollin e tyre duke bërë dhe Planin Marshall. Pra ajo që dua të them është se ajo që nuk është e krahasueshme është se nuk kemi kërcënimin ushtarak dhe nuk kemi amerikanët që u thonë francezëve dhe gjermanëve se duhet të bashkëpunoni atëherë kur Franca nuk donte absolutisht. Është normale që popujt të kenë kujtesë për vuajtjen dhe kjo duhet respektuar. Pajtimi franko-gjerman është i bukur globalisht, por ju duhet të gjeni rrugën tuaj të pajtimit. Nëse Shqipëria dhe Serbia arrijnë të bashkëpunojnë në mënyrë të zgjuar me projekte të përbashkëta, infrastrukturë apo gjithçka tjetër, të gjithë mund të bashkëpunojnë në këtë shembull”, – tha Vedrine duke komentuar këtë moment.
Hubert Vedrine, ishte dje në UET për një leksion të hapur me studentët. Ai është ftuar në Tiranë për një takim me kryeministrin Edi Rama, me të cilin tha se do të fliste mbi çështje të Ballkanit dhe të integrimit europian.









