Mars 1998, Prekaz.
Serbët ndërhynë me tanke dhe autoblinda për të thyer rezistencën e familjes Jashari prej 72 orësh, duke u bërë kështu masakra e parë zyrtare.
Besarta Jashari, e mbijetuara e kësaj masakre, ka dhënë një intervistë më përpara për BBC-në, e cila është risjellë në emisionin e sotëm të “Opinion”, në Tv Klan, si një dëshmi e krimeve të bëra në Kosovë nga Serbia.
Gjithçka nis me një kujtim të bukur, kur Adem Jashari gjithmonë bashkonte familjen për të larguar sadopak trishtimin e asaj se çfarë po ndodhte në Kosovë.
“Për axhën tim Ademin më kujtohen shumë gjëra. Më kujtohet kur gjithmonë ka pasur qejf kur ishim duke luajtur ne fëmijët… Kemi qenë, me një fjalë, një familje e lumtur.
Gjithmonë Ademi është munduar të na largojë edhe atë gjënë çka po ndodh në Kosovë. Unë në atë kohë, sot kur ka ndodhur ngjarja, kam qenë 10 vjeç. Më së pari gjithmonë më kujtohet, po ashtu më kujtohet kur nëna… mundoheshin me na… me na afruar nga vetja, mos me na lënë të frikësohemi, edhe me na dhënë bukë edhe ujë”, u shpreh ajo.
Me zërin që i dridhej nga pesha e kujtimeve, Besarta Jashari, atëherë vetëm një fëmijë 10 vjeç, u rikthye në dhomën ku u krye masakra, për të treguar se si mbijetoi mes breshërisë së plumbave dhe granatave.
“Kjo është edhe dhoma ku kemi qenë e gjithë familja. Këtu është vendi ku kam qenë unë me nënën, motrat e mia, tjerët… gratë e mixhallarëve me fëmijët, gjyshja.
Pasi janë afruar serbët këtu, unë kam ecur në drejtim ka kjo dhoma këtu, ku ka qenë axha Adem i vrarë këtu. Unë jam marrë këtu, jam strehuar te oxhaku. Edhe ku kanë gjuajtur granata ose bomba brenda në dhomën atë ku janë vrarë të gjithë, mirëpo unë nuk jam plagosur, as një gërvishtje nuk e kam marrë prej atyre granatave apo bombave, që mundem me thënë. Më kujtohet gruaja e Ademit i shkonte ngat meje. Unë bëra si e vdekur në dhomë. Erdhen serbët, filluan me i prekë këto edhe me pa a është dikush gjallë. Hetuan te unë se jam hala gjallë edhe më kanë marrë, më kanë çuar për mbi një fushë që është te shtëpia aty. Edhe duke kaluar andej pashë motrën që ishte e mbetur me mua ende gjallë, edhe unë po u beja atyre se ‘Kjo është motra ime, ndalni të ndihmojë edhe atë.’ Por nuk më lanë edhe më gjetën në një kerr a diçka.
Kanë menduar ato se çka ka ndodhur me familjen time ose në Kosovë, mirëpo kjo më shtyn me vazhduar jetën përpara edhe me qenë krenar babai im me mua dhe me vëllanë tim”, tha ajo.
Megjithëse vitet kanë kaluar dhe koha i dha forcë për të ecur përpara, plagët e asaj nate nuk u mbyllën kurrë plotësisht. Për Besartën, mbetja gjallë nuk ishte thjesht fat, por një mision tjetër i shkruar nga lart.
“Por ka netë që sa herë bie për fjetur ose, me thënë, shumë shpesh mundet se kur i mbylli sytë më kujtohet ajo se çka ka ndodhur. Kështu që nuk e di pse, mund me thënë se kjo është veç punë e Zotit pse nuk jam vrarë”, tha ajo.
Kjo ka qenë një nga masakrat më të frikshme të zhvilluara, përballë një nga sakrificave më të mëdha që një familje ka bërë për t’i dhënë zë luftës, e për të trimëruar një popullatë që po shtypej dhe dhunohej sistematikisht.











