“Los Blancos” reagojnë fuqishëm në pjesën e dytë, përmbysin disavantazhin e krijuar nga Perisic dhe triumfojnë 5-1, duke shkuar në kuotën e 15 pikëve dhe marrë përkohësisht kreun e fazës së ligës në Champions League.
Reali i Madridit vazhdon të tregojë forcën e tij në Champions League. Skuadra madrilene ka regjistruar një tjetër fitore bindëse, këtë herë ndaj PSV Eindhoven, duke triumfuar me rezultatin 5-1 në “Santiago Bernabeu”, pas një përmbysjeje spektakolare.
Pjesa e parë nuk foli për vendasit, të cilët e panë veten në disavantazh pas golit të Ivan Perisic. Sulmuesi kroat u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhënë avantazhin skuadrës holandeze dhe duke lënë Realin në vështirësi përpara pushimit.
Megjithatë, në pjesën e dytë madrilenët ndryshuan plotësisht fytyrë. Federico Valverde riktheu baraspeshën me golin e 1-1, ndërsa Jude Bellingham përmbysi rezultatin, duke kaluar Realin në avantazh.
Pas këtij momenti, skuadra spanjolle mori kontrollin e plotë të ndeshjes. Kylian Mbappe shënoi golin e tretë, përpara se të realizonte sërish për të vulosur tripletën e tij, ndërsa Vinicius Junior plotësoi festivalin e golave me realizimin e pestë.
Me këtë fitore 5-1, Reali i Madridit shkon në kuotën e 15 pikëve dhe merr përkohësisht kreun e klasifikimit të fazës së ligës në Champions League.
Arsenali nuk arrin të mbrojë avantazhin, Dortmundi i merr një pikë në Emirates
Arsenali dhe Borussia Dortmundi kanë barazuar 1-1 në përballjen e vlefshme për raundin e pestë të fazës së ligës në UEFA Champions League. Një sfidë e luftuar në “Emirates Stadium”, ku të dyja skuadrat gjetën rrugën e rrjetës, por nuk arritën të siguronin fitoren.
Londinezët e nisën takimin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e 10-të. Viktor Gyökeres ishte autori i golit të parë, pas një asistimi nga Noni Madueke. Sulmuesi suedez lëshoi një goditje të fuqishme me të djathtën nga jashtë zonës, duke e dërguar topin në trekëndëshin e portës së Gregor Kobel.
Borussia Dortmundi reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të rikthejë baraspeshën në minutën e 55-të. Pas një aksioni të bukur të miqve, Maximilian Beier përfitoi nga hapësira në mbrojtjen e Arsenalit dhe me një goditje të saktë mposhti Kepa Arrizabalagën, duke vendosur rezultatin 1-1.

Në minutat e mbetura të dyja skuadrat kërkuan golin e fitores, ndërsa Dortmundi arriti të dërgonte topin në rrjetë me Jobe Bellingham, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Në fund, Arsenali dhe Borussia Dortmundi u detyruan të kënaqen me nga një pikë, pas një përballjeje ku secila skuadër shënoi nga një herë.
Manchester City dhe Napoli ndajnë pikën mes tyre
Nuk ka fitues në ndeshjen e raundit të pestë të Ligës së Kampioneve mes Manchester City dhe Napolit. Në Etihad Stadium, ndeshja mes tyre u mbyll me barazimin 2-2 me ekipet që dolën nga fusha e lojës me nga vetëm 1 pikë secila
Manchester City e nisi ndeshjen menjëherë në sulm teksa pati një tentativë që në minutën e dytë me Elliot Anderson i cili u ndal nga Milinkovic. Në minutën e 22 tentoi Enzo Fernandez me një goditje dënimi por gjuajtja e tij u ndal nga mbrojtja. Pak para fundit të pjesës së parë, ishte Napoli ai që rrezikoi të shënojë me Beukema, por Donnarumma bëri mrekullinë dhe e ndali gjuajtjen e tij dhe pjesa e parë u mbyll 0-0.

Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë, me Napolin që zhbllokoi rezultatin në minutën e 55 me golin e Hojlund. Manchester City u kundërpërgjigj 12 minuta më vonë me golin e shënuar nga Bouaddi. Por barazimi zgjati vetëm 9 minuta, pasi Noa Lang i dha avantazhin 2-1 Napolit. Por Citizens reaguan dhe në minutën e 88 barazuan shifrat në 2-2 me golin e Cherki. Ky ishte edhe rezultati përfundimtar i sfidës me Manchester City që shkon në 10 pikë, ndërsa Napoli shkon në 4 pikë
Como vijon me paraqitjet e shkëlqyera teksa arriti të fitojë një tjetër ndeshje këtë radhë ndaj AEK Athinë ku Strakosha ishte titullar. 1-0 ishte rezultati për skuadrën e Fabregas për të cilin shënoi Luis Milla, ndërkohë që Da Cunha kishte humbur një penallti. Fitore shënoi edhe Leipzig që mundi Lens 3-1, ndërsa Porto fitoi me Feyenoordin në Holandë 1-0.










