Futbolli do të tronditej 3 vite më parë nga vdekja tragjike e futbollistit argjentinas, Emiliano Sala. BBC ka publikuar një audio të pilotit të avionit që u përplas në Kanalin Anglez një ditë përpara ngjarjes, ku pohon se mjeti fluturues ishte i dyshimtë. David Ibbotson dëgjohet në audio duke thënë se do të veshë jelekun e shpëtimit në udhëtimin nga Franca në Uells. Piloti i ka thënë një mikut të tij se ka dëgjuar një zhurmë gjatë fluturimit drejt Nantes, përpara fluturimit të radhës që përfundoi në tragjedi. Kujtojmë që avioni ra në Kanalin Anglez në vitin 2019. BBC po ashtu ka postuar momentet e fundit ku piloti dhe Sala shiheshin gjallë. Sala para ngjarjes sapo ishte bërë lojtar i Cardiff. Në bisedën telefonike Ibbotson i tregon problemet teknike shokut të tij.
“Po fluturoja dhe pastaj “bum”. Mendova se çfarë mund të kisha bërë gabim. Kështu që kontrollova të gjitha parametrat dhe çdo gjë ishte në rregull dhe po fluturoja, por ishte nga ato gjëra që të kapnin vëmendjen”, shprehet piloti. 59-vjeçari ka thënë se edhe pedalja e majtë e frenave nuk punonte kur është ulur në aeroportin e Nantes. “Ky avion duhet të çohet në hangar”, thotë ai. Kujtojmë që edhe vetë Sala ka dërguar mesazhe gjatë udhëtimit. Shokëve të afërt ai u ka thënë se avioni dukej sikur po ndahej në copash. “Nuk e di nëse dikush do të shikojë për mua sepse nuk do të më gjejnë dot”, thoshte Sala.
Cardiff i kishte ofruar lojtarit një udhëtim nga Parisi, por ai kishte zgjedhur që të kalonte pak më shumë kohë me miqtë dhe lojtarët e skuadrës së Nantes para se të niste stërvitjen me skuadrën e re. Kështu që Willie McKay, njeriu që ndihmoi në ndërmjetësimin e transferimit, caktoi një fluturim privat direkt mes Nantes dhe Cardiff, përmes një piloti tjetër, David Henderson. Për shkak se Henderson nuk mund ta kryente këtë punë, ai thirri Ibbotson. Futbollisti argjentinas nuk e dinte që Ibbotson nuk ishte i kualifikuar. Ai ishte një pilot amator dhe nuk kishte licencë për të transportuar pasagjerë me pagesë ose për të fluturuar në errësirë.
/a.r