Nga Ben Andoni
“Nëse do t’i meremetoja paretet e dhomës, të bëja izolimet e duhura dhe punë të tjera që të kurseja energjinë, do më duhej një investim, i barabartë me atë sikur ta bëja shtëpinë që nga fillimi, e që unë s’e shlyej dot kurrë sa të jem gjallë”. Punëtori i papunë ose një nga të shumët shqiptarë që del për çdo ditë te një nga pikat e shumta të të papunëve në kryeqytet, e kupton sakaq idenë. E ke dëgjuar ndonjëherë energjinë e rinovueshme, po…?-i themi. Pohon. Ai, jo vetëm që e di, por i ka qëlluar fillimisht ta këqyrë në shtëpitë e të pasurve ku ka qenë e më vonë mes bisedash me të papunë të tjerë, që të mësojë shumë për të. “Nuk ia vlen. Shyqyr, Zoti na e ka hequr të ftohtin këto vitet e fundit me motin”, sqaron, por befas shton: ”Nuk është keq, por kur nuk e bën dot, nxjerr lloj-lloj justifikimesh”. Besnik A., 43 vjeçar, është nga një prej zonave të juglindjes dhe tashmë s’është shumë i bindur se i ka bërë mirë apo jo llogaritë kur erdhi në Tiranë. “Por, nëse do të rrija atje, fëmijët do më mbesnin në fshat, të paditur dhe pa asnjë shpresë”, shprehet mëdyshas.
Historia e tij është një nga të historitë e zakonshme, që ngjajnë si dy pika uji me atë të banorëve të tjerë ballkanas që janë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre për një jetë më të mirë. Por, llogaritë nuk u kanë shkuar ashtu si kanë menduar. Veç sfidave të tjera të përditshmërisë, familja e tij dhe e njerëzve si ai, jetojnë në kushte mbijetese, por edhe të strehuar në shtëpi, që rrallë herë kanë kushte korrekte banimi.
…
Personazhi ynë është në fashën e qytetarëve shqiptarë, që kategorizohen në masën e njerëzve që vuajnë nga varfëria e energjisë. Një koncept jo fort i ri, i cili ka fituar qytetari në mjediset evropiane, por edhe që ishte pjesë e takimit të përvitshëm parlamentar, organizuar pak ditë më parë nga Komuniteti i Energjisë në Sarajevë, të Bosnjë dhe Hercegovinës. Shqipërinë e përfaqësoi ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, që ka referuar për sfidat e Shqipërisë, kuptohet njësoj si kolegët e vet ende pa i prekur në detaje problematikat e qytetarëve. Ndërkohë që në mjediset e Hotel Holiday Inn, vendit legjendar që u bë shoshë në luftën e Bosnjës, por që tetë vjet para batërdisë kishte pritur zyrtarët e Lojërave Olimpike Sarajevo 1984, shoqëria Civile, pjesë përbërëse e rrjetit SEE SEP (South East Europe Sustainable Energy policy), është e përfshirë në një aktivitet, që përfundon në konkluzione sesi strukturat evropiane po punojnë dhe duhet të mendojnë që t’u vinë në ndihmë qytetarëve të tyre. Një program i mirëmenduar disa vjeçar që mbart shumë partnerë nga rajoni, e që falë mbështetjes së Komisionit Evropian, synon të fuqizojë OJF-të por edhe vetë qytetarët për një politikë që të influencojë sa më mirë, gjeneron shumë diskutime dhe prezantime…Përgjatë tre ditëve, organizatat ballkanike të shoqërisë civile, tregojnë hapur shqetësimet për rezultatet e studimit për varfërinë në sektorin e energjisë, i cili fatkeqësisht rezulton me kushte të vështira për qytetarët e kësaj zone evropiane me shtëpi të ftohta dhe probleme që manifestohen në shëndetin e qytetarëve tanë. Shqipërinë e përfaqësojnë dy vajza të përgatitura mirë të Qendrës Mjedisore për Zhvillim Edukim dhe Rrjetëzim ( EDEN), që kanë përgatitur një raport të detajuar për situacionin shqiptar me të gjithë elementët përbërës, sa i përket legjislacionit, kushteve në terren dhe rekomandimet.
Koncepti i varfërisë së energjisë është vetë një debat më vete. Varfëria në sektorin e energjisë është një problem në rritje në vendet e Evropës Juglindore (EJL), dhe rezulton me borxhe, shtëpi të ftohta dhe probleme shëndetësore, sipas raportit më të fundit, që e kanë publikuar rrjeti i OJQ-ve nga i gjithë rajoni. Pjesa juglindore e Evropës, që tashmë njihet edhe si koncept politiko-diplomatik i vendeve që janë pjesë gjeografike e kësaj zone të Evropës, me gati 25 milionë qytetarët e saj përballet me një realitet të ri të vështirë, ku sigurimi i energjisë së nevojshme mbetet një nga sfidat më të mëdha të jetës së banorëve. Për të konsideruar këtë të fundit, duhet të kuptohet dhe vlerësohet realisht impakti, që ai ka në disa fusha përfshirë këtu shoqërinë, ekonominë dhe mjedisin. Të gjitha këto fusha, ku Evropa Juglindore mbart realisht probleme prej elitave të saj drejtuese përballë qeverisjes ideale të mjedisit…që propozohet sot nga aktorët e shoqërisë civile.
Intermexo-Serbisë i kërkohet të mos pengojë linjën energjetike Kosovë – Shqipëri
Ndërkohë që flitet për këto shqetësime, në një nga sallat e godinës, ku dikur ishte Biblioteka më e njohur e studimeve orientale në Ballkan, pak metra ku u vra arqiduka, Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë i cakton afat Serbisë deri më 31 dhjetor të këtij vitit që të përmbushë detyrimet që ka marrë përsipër në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në fushën e energjisë. Përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës ngrenë shqetësimin e përbashkët për bllokadën që i ka bërë Serbia vënies në punë të linjës së interkonjeksionit mes dy vendeve. Në fakt, shqetësimi edhe pse nuk ka zbritur në publik është i madh. Në qershor të këtij viti, Kosova dhe Shqipëria përuruan linjën 400 kilovatëshe ndërmjet tyre, me një gjatësi totale prej 241.1 kilometrash. Autoritetet e të dyja vendeve e cilësuan atëbotë si një ‘autostradë energjetike” dhe një vepër të madhe të një tregu të përbashkët të energjisë. Fatkeqësisht, sot, e kësaj dite, ajo nuk funksionon. Ideja është që funksionimi i linjës kërkon që sistemi i transmetimit të energjisë në Kosovë (KOSTT) të njihet nga rrjeti evropian i transmetimeve (ENSO-E), përkatësisht të njihet ndarja e sistemit të transmetimit të Kosovës nga sistemi i transmetimit të Serbisë, që ishte pjesë e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Koncepti i varfërisë së energjisë
Varfëria e energjisë, në terma të përgjithshme, paraqet paaftësinë e një familje për të siguruar sasinë e mjaftueshme të energjisë në shtëpi, që do të thotë të mbahen hapësirat e jetesës në një temperaturë të ngrohtë konstante, të jenë të ndriçuara mirë, të kenë qasje në një gamë të nevojshme të shërbimeve të energjisë dhe të jenë në gjendje për të përballuar një sasi të mjaftueshme të energjisë për kërkesat e përditshme. Temperatura për të cilën flitet është e referuar sipas WHO në 21 gradë Celsius në dhomat e jetesës dhe 18 gradë Celsius në dhomat e tjera. Anipse, kultura e ndryshme e jetesës e bën edhe këtë përcaktim tejet të vështirë.
Shqipëria
Dy ditë më vonë është Lira Hakani, përfaqësuesja e EDEN, që prezanton realitetin shqiptar në aktivitetin e SEE SEP. Gazetarë nga rajoni ndjekin referimin e saj dhe të kolegëve të saj ballkanikë nga organizatat e rrjetit. Në një informacion të përgjithshëm, por të strukturuar mirë, ajo panoramën Shqipërinë. Pas transportit, sektori i ndërtimit në Shqipëri ka konsumin më të lartë të energjisë finale. Konsumi i përgjithshëm i energjisë për periudhën 2005-2012 në sektorin e banesave të Shqipërisë tregon se për familjet burimi kryesor i energjisë është energjia elektrike (45%), e ndjekur nga biomasa (38%). Ndërkohë që Shqipëria përballet me një normë të lartë papunësie prej 19%, e cila vazhdimisht është në rritje. Vetëm 40% e familjeve kanë pajisje elektrike gatimi, ngrohje me ujë dhe pajisje të tjera elektrike. 11.2% e familjeve vonohen me pagesat e faturave të tyre kurse plot 20.7% kanë ngrohje të pamjaftueshme. Shqetësimi më i madh i tyre është se 12.5% e familjeve i kanë muret e lagura, ashtu si katin apo bodrumin, kurse 7.7% kanë një çati që rrjedh. Për gazetarin vështirësia rritet kur mendon se varfëria e energjisë në Shqipëri nuk është e përcaktuar qartë dhe as nuk mund të monitorohet në mënyrë sistematike. Lira qetësisht nënvizon edhe shqetësimin se: Nuk ka politika specifike në vend të dizajnuara për të lehtësuar varfërinë energjetike.
Sipas Ligjit shqiptar, konsumatorët vulnerabël janë të shënuar në një regjistër nën autoritetin e Ministrisë së Çështjeve Sociale. Regjistri është i lidhur edhe me operatorin e sistemit të shpërndarjes dhe me furnizuesit e energjisë elektrike. Regjistri përcakton konsumatorët në nevojë të cilët mund të ketë subvencione në faturat e tyre të energjisë elektrike. Duke filluar me janar 2015 çmimi për familjet është 9.5 Lek kWh. Para këtij përcaktimi, familjet që konsumonin më pak se 300 kWh duhej të paguanin 7.7 Lek kËh, kurse ata që përdornin më shumë se 300 kWh duhej të paguanin 12.5 Lek kWh. Në mes të janarit 2015 një mekanizëm shtesë u ngrit për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë: ata që do përdorin deri në 300 kWh do kenë një zbritje mujore prej 648 lekë (4.7 euro) nga faturat e energjisë elektrike, nëse ata plotësojnë kriteret e klientit me vështirësi ekonomike. Në fakt, ndryshe nga ligji i vjetër, ligji i ri merrte parasysh familjet me probleme shëndetësore ose ato që kishin individë të sëmurë, shtuar me invalidët e grupeve të ndryshëm. Në fakt, njësia që merr për bazë referuesja shqiptare e që tregon nevojën për të kuptuar shkaqet dhe pasojat e varfërisë energjetike shqiptare, janë 10 familje në kryeqytetin Tiranë. Detajet e tyre dhe lidhjet janë mundësuar përmes Caritas-it Shqiptar. Të gjithë, jetojnë në shtëpi pa asnjë izolim, me dritare të vetme-xham, teksa të ardhurat mesatare mujore të familjeve të vizituara është rreth 150 euro për një familje të tërë, e cila mesatarisht kishte 4 anëtarë. Shumica e të intervistuarve janë të gatshëm për të lëvizur në një tjetër shtëpi në qoftë se ajo do të mundësojë atyre për të kursyer energji dhe të holla, e cila përbën një tregues të kushteve të papërshtatshme të jetesës me të cilat përballen.
Disa prej familjeve të referuara nuk kanë paguar për faturat e tyre të ujit, kurse janë hasur në vështirësi sa i përket pagesës së energjisë elektrike. Humbjen e energjisë e lidhin me dritaret dhe dyert joefikase dhe të vjetra, ashtu si edhe myku, i cili është i dukshme në disa ose shumica e dhomave.
…
Për të mposhtur varfërinë energjetike është i nevojshëm një ndryshim i madh në politikat dhe praktikat e vendeve tona. Stefan Bouzarovski, redaktor kryesor i raportit dhe drejtor i CURE (Collaboratory for Urban Resilience and Energy) në Universitetin e Mançesterit, vë në dukje: “Problemi më i madh i varfërisë në energji në vendet e EJL nuk është thjesht një çështje e politikës sociale që mund të zgjidhet me anë të ndihmave afatshkurtra financiare ose me anë të ndërhyrjeve në çmimet e energjisë. Ajo është e lidhur me cilësinë e banimit, dhe si e tillë është ngushtësisht e shoqëruar me përmirësimin e efiçencës energjetike të ndërtesave, të sistemeve të ngrohjes dhe të pajisjeve “. Bouzarovski thekson se adresimi i varfërisë energjetike kërkon programe të gjera dhe urgjente të udhëhequra nga shteti për përmirësimin e kushteve të strehimit, duke u bazuar në fonde si të BE-së por dhe të sektorit privat të cilat mund të japin një ndihmesë të ndjeshme. Kjo është e vërtetë, por nëse qeveritarët ballkanikë do të bëhen të vetëdijshëm për misionin e tyre. Nëse ata do të jenë seriozë dhe do marrin masat e duhura sa i përket efiçencës së energjisë, atëherë do të zvogëlojnë konsumin e energjisë duke rritur nivelin e komfortit të jetesës. Kjo është e lidhur edhe me përmirësimin e sistemeve të ngrohjes dhe ventilimit. Këto zgjidhje do të ndihmojnë për të zbutur ndikimin e ndryshimeve klimatike, që shkon në të njëjtën linjë me Marrëveshjen e Parisit për të cilën shumica e vendeve të EJL janë dakortësuar në takimin e COP21.
Intermexo-Komuniteti i Energjisë
Komuniteti i Energjisë është një organizatë ndërkombëtare e cila sjell së bashku
Bashkimi Evropian dhe fqinjët e saj për të krijuar një sistem energjie të integruar pan-evropiane
të tregut. Organizata është themeluar me Traktatin Themelues të Energjisë. Objektivi kryesor i Komunitetit të Energjisë është për të zgjeruar energjinë e brendshme të BE-së, rregullat e tregut dhe parimet në vendet në Evropën Juglindore, rajonin e Detit të Zi por edhe më tej në bazë të një kuadri ligjërisht të detyrueshëm. Që nga tetori 2013, Komuniteti i Energjisë ka nëntë anëtarë residentë: në Bashkimin Evropian dhe tetë nga palët kontraktuese – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë, Moldavia, Mali i Zi, Serbia dhe Ukraina. Kurse Gjeorgjia, Armenia, Norvegjia dhe Turqia marrin pjesë si vëzhgues. Gjeorgjia është aktualisht në procesin e aderimit në Komunitetin e Energjisë, si një anëtare e plotë.
…
Lira Hakani e EDEN e mbyll e përqendruar diskutimin e saj dhe kështu bëjnë edhe të gjithë koleget e saj të Evropës Juglindore….Në pritje të asaj, që do të gjenerojnë vendet e tyre pas shprehjes së shqetësimeve panevropiane sa i përket varfërisë së energjisë…Këtu mbyll siparin takimi i Sarajevës 2016 për energjinë i rrjetit SEE SEP, me shumë detyra për të ardhmen, por edhe me pritshmëri.
…
Besniku A., pak orë më vonë është shumë më i drejtpërdrejtë. E kupton që është i nxituar. Ka shpresë të ndryshojë diçka. Dhe, pse jo edhe të bëjë shtëpinë. Askush nuk e di çdo ndodh, na thotë. Preventivin e bën vetë njeriu, që do të rregullojë jetën e vet, thotë optimist. Është Vjeshtë e dytë e vitit 2016.