Gara e brendshme për drejtimin e Partisë Demokratike, e cila pritet të kulmojë më 23 maj, është komentuar në emisionin “Trialog” në RTSH, edhe nga analisti Lorenc Vangjeli. Ai ka bërë një skaner të situatës brenda PD-së, duke e krahasuar atë me modelin e lidershipit në Partinë Socialiste.
Në qendër të analizës ishte statusi i Sali Berishës në raport me rregullat e brendshme të partisë. Vangjeli solli në vëmendje dispozitën statutore të PD-së—të njohur ndryshe si “Neni Basha”—i cili sanksionon largimin e kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve.
Sipas analistit, ky rregull është kthyer në një fiksion politik kur bëhet fjalë për liderin historik.
“Ky nen duket qartë se nuk vlen për Berishën. Në momentin që u votua, naivët dhe karrieristët në PD ishin të bindur që pas zgjedhjeve të humbura do të ishte lejuar që të zhvilloheshin zgjedhje në një proces demokratik, gjë që nuk ndodhi,” theksoi Vangjeli, duke evidentuar hendekun mes rregullave të shkruara dhe realitetit partiak.
Përtej garës aktuale, Vangjeli analizoi perspektivën elektorale të Partisë Demokratike nën drejtimin e Berishës, duke e përshkruar atë si një situatë pa rrugëdalje të lehtë. Ai argumentoi se, ndërsa PD me Berishën në krye ka pak gjasa të vijë në pushtet, një PD pa të rrezikon të minimizohet dhe të tkurret edhe më shumë.
Gjatë bisedës, analisti tërhoqi një paralele mes dy kampeve kryesore politike në vend. Ai e cilësoi si “simetri dëshpëruese” ngjashmërinë në mënyrën se si funksionon lidershipi si në PD, ashtu edhe në PS.
Ashtu si në kampin e djathtë, Vangjeli theksoi se edhe në Partinë Socialiste gjithçka rrotullohet rreth një individi. Sipas tij, Edi Rama është i vetmi që garanton kohezionin e brendshëm, ndërsa një mungesë e tij e mundshme do ta fuste partinë në një “spirale sherresh”.
Më tej, ai shtoi një kritikë të ashpër për identitetin ideologjik të mazhorancës aktuale, duke deklaruar se PS “nuk është më socialiste”, por ka trashëguar nga e kaluara vetëm emrin dhe selinë.
“Janë dy anët e të njëjtës monedhë dy partitë e mëdha sa i përket lidershipit,” përfundoi analisti.











