Analisti Lorenc Vangjeli ka deklaruar se kërkesa e opozitës për një qeveri teknike është e pavend, pasi sipas tij, “qeveria aktuale është e tillë në thelb“.
I ftuar në emisionin “Trialog” të gazetares Alba Alishani në RTSH, Vangjeli argumentoi se Kryeministri Edi Rama e ka zhveshur kabinetin nga figurat politike prej vitesh.
“Nuk është qeveria e sotme një qeveri politike, por është thellësisht teknike,” u shpreh Vangjeli. Ai solli në vëmendje largimet e vitit 2017 dhe pastrimin final të vitit 2019, kur sipas tij, “u largua i fundit që kishte mbetur në PS me stof politik”. Për këtë arsye, ai e cilëson kërkesën e opozitës si të pavend: “Nuk mund të kërkosh një gjë që e ke.”
Pavarësisht se qeveria gëzon numrat në parlament, Vangjeli paralajmëroi lëvizje.
“Mund të ketë rikompozim të qeverisë shumë shpejt. Nëse nuk është ende plan, është një nevojë,” theksoi ai. Sipas analistit, kjo diktohet nga përballja me drejtësinë dhe presioni publik, pasi shoqëria, ndonëse nuk po mbështet opozitën, po refuzon segmente të caktuara të ekzekutivit.
Vangjeli e mbylli analizën duke ndarë krizën në dy plane: “qeveria mund të jetë në krizë morale, por është larg krizës politike që i rrezikon numrat“.











