Mbi 57 mijë persona kanë aplikuar për dozën e tretë të vaksinës në vendin tonë. Lajmin e dha zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, në studion e Debatit me Alba Alishanin në A2 CNN. Sipas saj procesi ka vijuar me ritme të kënaqshme me 7-8 mijë aplikime në ditë ndërkohë që nga stoku dhe prurjet janë 2 milionë e 663 mijë vaksina.
“Vaksinimi është një proces që ka vijuar me ritme të mira 7-8 mijë aplikime në ditë dhe duhet të theksoj se nga stoku e prurjet në vend që janë 2 milionë 663 mijë vaksina mbi një milionë e 85 mijë vaksina janë aplikuar me një dozë, 935 mijë me dy doza dhe 57 mijë janë me dozë të tretë. Aktualisht kemi zbritur në fashat 12-15 dhe 17-18 vjeç. Mbi 600 mijë doza janë të shpërndara sipas programit kombëtar të vaksinimit në çdo qendër shëndetësore që aplikojnë Pfizer dhe Sinovac”.
Tomini theksoi se ka patur interesim për dozën e tretë të vaksinës dhe fasha kryesore janë ato mbi 60 vjeç, si edhe për ata me sëmundje shoqëruese por me vaksinën Pfizer. Për të tjerët respektohet rekomandimi i komitetit të vaksinimit sipas kalendarit bazal. Doza e tretë duhet të bëhet 6 muaj pas dozës së dytë të vaksinës, por Tomini shpjegon edhe rastet e kombinimit të vaksinave.
“Ka patur interesim dhe fashave kryesore janë 60 plus me personelin shëndetësor paralelisht dhe ata në shtëpitë e kujdesit afatgjatë, po ashtu edhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese. Edhe për 12-17 vjeç por me Pfizer. Kemi mbi 57 mijë aplikime të dozave të treta popullata është e interesuar dhe duhet të kryehet pas 6 muajsh nga doza e dytë. Periudha 6 mujore kriteri i parë për të marrë dozën përforcuese. Vaksinimi kryesor me dy dozat e para vijon më të tretën me të njëjtën dozë. Vetëm kur ka sëmundje të tjera është Pfizer. Në rastet kur rekomandojmë Sputnik e Astrazeneca ka rekomandime specifike. Nëse kemi bërë Astrazeneca nuk do bëjmë Sputnik apo e kundërta. Deri në këto momnete komiteti i vaksinimit ka rekomanduar vijueshmërinë me kalendarin bazal”.
E pyetur nëse ka preferenca për llojin vaksinës Tomini shprehet se mund të ketë raste përjashtuese, por kryesisht zbatohet protokolli dhe rekomandimi i komitetit të Ekspertëve për vaksinimin. Prioritet sipas saj është bërja e vaksinës për të mbrojtur shëndetin dhe jo për turizmin
“Mund të ketë ndonjë rast përjashtues por duhet të theksohet se udhëzuesit e protokollet mbi grupet e riskut mbi fashat pediatrike rekomandohen udhëzuesit nga Komiteti i Ekspertëve, por nëse do ketë rast përjashtues nuk do të bëhet revoltë, por respektimi është i domosdoshëm. Gjatë pandemisë nuk ka qenë prioritare bërja e vaksinës për efekt turizmi, por për mbrojtjen e shëndetit publik. Sinovac njihet në 41 vende. Kemi shtet europiane që kanë përdorur vaksina kineze dhe ka 7-8 vende në Europë që pranojnë udhëtarët nga këto vende”.
Tomini theksoi gjithashtu se ISHP ka marrë masat edhe për afatet e skadencës së vaksinave
“Janë marrë masat programi i vaksinimit edhe në ISHP vlerëson edhe periudhën e skadencës dhe përthithjen e tyre”./m.j