Kush do ta imagjinonte se Vaçe Zela mund të mbetej pa shtëpi muze.
Ajo është konsideruar si “ylli” i muzikës së lehtë shqiptare. Një talent që shfaqet vetëm nëse kalojnë shekuj..
Artistja e Popullit, Vaçe Zela, u lind më 7 prill të vitit 1939 në qytetin e Lushnjës dhe vitet e vegjëlisë së saj i kaloi aty, në një shtëpi të vogël një katëshe.
Por sot, banesa ku ikona e muzikës shqiptare hodhi hapat e parë, është krejtësisht e rrënuar. Dhe Vaçja nuk është rasti i vetëm në vendin tonë.
Banorët e zonës ku ndodhet shtëpia e Vaçe Zelës, të cilët i përkasin kryesisht të njëjtit trung familjar, shprehin keqardhje për situatën në të cilën ndodhet kjo banesë. Ata tregojnë kujtimet e prindërve të tyre, atëherë kur Vaçja e vogël performonte në “koncertet” e saj të para, mes fëmijëve të lagjes.
“Babai im kujton se kur ishin të vegjël, Vaçja veç këndonte. Madje, tregon se mblidheshin fëmijë, të rinj e të rritur, që dëgjonin Vaçen teksa këndonte në oborrin e shtëpisë së saj. Aty thonë se i ka dhënë koncertet e para të saj”, pohon Syrja Zela, një prej anëtarëve të fisit Zela që jetojnë në qytetin e Lushnjës.
Pak vite më parë, pas kërkesës së familjarëve të këngëtares së madhe, drejtuesit e Bashkisë së Lushnjës deklaruan se do ta shpallnin monument kulture shtëpinë e Vaçe Zelës. Por edhe sot, ashtu si edhe më parë, shtëpia vazhdon të mbetet e rrënuar nga vitet dhe braktisja.
Burime zyrtare pranë bashkisë Lushnjë pohuan për Konica.al se, janë ndërmarrë të gjitha nismat administrative dhe ligjore për të mundësuar shpalljen monument kulture të shtëpisë ku ka lindur këngëtarja e madhe Vaçe Zela.
Por, sipas të njëjtave burime, një gjë e tillë ka qenë e pamundur pasi shtëpia i është shitur vite më parë një familjeje e cila jeton në Itali. Burimet zyrtare të bashkisë Lushnjë pohuan se, për shkak se familja që ka blerë shtëpinë e Vaçe Zelës jeton prej shumë vitesh në Itali, është krijuar një ngërç në mundësimin e e zbatimit të projektit për shpalljen e shtëpisë në fjalë si monument kulture dhe restaurimin e saj./Konica.al/b.d