Universiteti i Zagrebit ka shprehur interesim që të themelojë studimet e Albanologjisë dhe për këtë i ka dalë në ndihmë Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Rektori i Universitetit të Prishtinës Marjan Dema dhe stafi i tij pritën në zyrat e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, rektorin e Universitetit të Zagrebit Damir Boras bashkë me delegacionin e tij.
“Në takim është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në mes të institucioneve respektive, e në veçanti për mundësitë e ndihmesës së ndërsjellë në fusha të caktuara.
Nisur nga fakti që Universiteti i Zagrebit ka për qëllim themelimin e studimeve të Albanologjisë, UP-ja është treguar e gatshme të mbështesë dhe ndihmoj partnerët e vet me staf të përgatitur nga kjo lëmi”, thuhet në njoftimin e UP-së, citohet nga Koha.
“Në të njëjtën kohë, tek partnerët kroatë është gjetur gatishmëria e ofrimit të mbështetjes në programe të ndryshme të studimit, në të tria nivelet.
Vlen të theksohet se Universiteti i Zagrebit është institucion kredibil i arsimit dhe që historikisht është pare si simbol i zhvillimit të shkencës dhe dijes nga studiuesit kosovarë”, thuhet më tej në njoftim. (b.an)