“Unë do të flas, por ju duhet të hapni një burg të ri”, këto janë fjalët që sipas gazetares Klodiana Lala, vrasësi i penduar i drejtësisë Nuredin Dumani ka nisur rrëfimet e tij para hetuesve.
E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Lala thotë se ngjarjet që kemi parë, për të cilat Dumani ka dëshmuar, janë vetëm maja e ajsbergut e asaj që ka rrëfyer Dumani para hetuesve.
Klodiana Lala: Dumani në përballjen e parë me drejtësinë e ka nisur fjalinë duke thënë se “unë do të flas, por ju duhet të hapni një burg të ri“. Nuredin Dumani është kontraktuar nga grupe të ndryshme kriminale. Ngjarjet që ne kemi parë, janë vetëm maja e ajsbergut e asaj që ka deklaruar Dumani.
Lala thotë se pas deklarimeve të Dumanit, Prokuroria e Posacme është fokusuar kryesisht në ngjarjet kriminale që kanë ndodhur në qytetin e Durrësit, Lezhës dhe Shkodrës. Teksa është ndalur në krimet e ndodhura në Lezhë, Lala ka folur dhe për rastin e vrasjes së Aleksandër Ndokës, vëllait të ndjerë të ish-deputetit socialist Arben Ndokës.
Po ashtu, i ftuar në “Opinion” Artan Hoxha para se ta merrte fjalën Klodiana Lala, ka thënë se Dumani ka përmendur emrin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, për të cilin ka thënë se ka porositur vrasjen e vëllait të një deputeti.
Klodiana Lala: Prokuroria e Posacme është fokusur në 3 qytete: Në Durrës ku kanë ndodhur disa ekzekutime mafioze, ku mendohet se të përfshirë direkt dhe indirekt kanë qenë Nuredin Dumani dhe Enrik Hoxhaj, është fokusuar në Lezhë, aty ku Tani e përmendi pak, por historia është pak më ndryshe sepse në rastin e Aleksandër Ndokës, autorët, ekzekutorët mendohet se kanë qenë një grup nga zona e Niklës në Krujë të cilët më pas kanë patur një tentativë për të patur një marrëveshje me familjen Ndoka, por kjo nuk është arritur sepse kryeplaku i cili hyri në lojë për të bërë pajtimin mes palëve u arrestua për çështjet e trafikut të drogës. Këto janë të gjitha me përgjime. Vrasja e Aleksandër Ndokës, siç thotë Tani e ka zanafillën në Nikël, nga Nikla shkon në Lezhë.
Blendi Fevziu: Aleksandër Ndoka është vëllai i ish-deputetit…?
Klodiana Lala: Po, vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka. Nga Lezha shkon në Shkodër. Pas vrasjes së Alkesandër Ndokës që përmendet në dëshmi, unë nuk kam detaje me emra konkretë, por di që e ka përmendur. Ka patur dhe një seri ekzekutimesh të dyshuara në lidhje direkte dhe indirekte me këtë ngjarje. Ndërkohë ka folur dhe për ngjarje të tjera të ndodhura në qytetin e Shkodrës.
Gjatë fjalës së saj, Lala ka thënë se Dumani po ashtu ka folur për 50 ngjarje kriminale në deklarimet e tij para hetuesve.
/a.r











