Qytetarët që kanë blerë apartamente të pahipotekuara, nuk do të ndihen më të “kërcënuar” nga shërbimi përmbarimor, në rast se ndërtuesit e tyre mund të kenë borxhe apo kredi të pashlyera. Një udhëzim i firmosur nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, pengon të gjithë përmbaruesit gjyqësorë të vendosin sekuestro mbi apartamente, të cilat kanë kaluar te qytetarët përmes kontratave të sipërmarrjes, kontratë porosie, apo kontratë premtim-shitjeje.
Bëhet fjalë për pallate të ndërtuara me leje, të cilët janë regjistruar vetëm si karabina në regjistrat hipotekorë. Sipas këtij udhëzimi, në rast se përmbarues të caktuar kanë vendosur sekuestro mbi banesa të tilla, duhet të marrin masa të menjëhershme për përjashtimin apo heqjen e bllokimit. Udhëzimi që u drejtohet përmbaruesve gjyqësorë privatë dhe publikë u publikua dje nga vetë ministri Manjani.
Gjatë një daljeje për median, Manjani tha se udhëzimi i referohet shqetësimit të përcjellë nga ana e mjaft qytetarëve. Ministri theksoi se bëhet fjalë për persona, të cilët kanë porositur banesa, janë në proces blerjeje, apo i kanë blerë ato, por ndihen të pasigurt para shërbimit përmbarimor, pasi ndërtuesit mund të zhyten në borxhe, të falimentojnë, të mos paguajnë kredi, ku kanë lënë si kolateral pallatet ku ndodhen apartamentet e tyre, apo të kenë probleme me tatimet.
PËRFITUESIT
Ministri Manjani theksoi dje se i vetmi kusht që duhet të plotësohet nga qytetarët, pjesë e kësaj kategorie, është dokumentimi i faktit se kanë shlyer këstet e pagesave totalisht, pjesërisht, apo qoftë edhe një këst të vetëm.
“Pallatet e ndërtuara me leje ndërtimi, por që gjatë procesit të ndërtimit apartamentet janë kaluar te qytetarët me kontratë sipërmarrjeje, me kontratë porosie, ose me kontratë premtim–shitjeje, por që ende nuk janë regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë, sipas këtij udhëzimi do të thotë që konsiderohen të mbrojtura, që do të thotë shërbimi përmbarimor, privat ose publik, kushdo qoftë, nuk mund të sekuestrojë apartamentin e askujt që e ka ende me kontratë sipërmarrjeje, me kontratë porosie, ose me kontratë premtim–shitjeje. Ka vetëm një kusht që personi, pra familjari, qytetari duhet të tregojë që ka shlyer këstet e pagesave, qoftë dhe një këst të vetëm”, u shpreh ministri Manjani.
QËLLIMI
Ministri nënvizoi se është e rëndësishme që qytetarët të kenë një kontratë, të banojnë në shtëpi dhe të vijojë rregullisht procedura e regjistrimit. Kreu i Ministrisë së Drejtësisë pohoi se udhëzimi i firmosur prej tij do t’u bëhet me dije të gjithë përmbaruesve të Republikës së Shqipërisë.
“Kjo është një mbrojtje që ne u japim këtyre qytetarëve, të cilët kanë harxhuar paratë e tyre për të blerë një banesë dhe ne duhet t’ua sigurojmë këtë banesë. Ky është qëllimi i këtij udhëzimi”, tha Manjani. Nga ana tjetër, ministri ftoi ndërtuesit që janë debitorë në banka, apo te tatimet të shlyejnë detyrimet e tyre. “Shërbimi përmbarimor ka fuqi të plotë ligjore të “gjurmojë” ku ka pasuri të luajtshme apo të paluajtshme, cilindo ndërtues që ka borxhe për të shlyer, por jo në kurriz të atyre qytetarëve”, tha Manjani.
Udhëzimi i plotë
“PËR PROCEDURAT E EKZEKUTIMIT MBI NJËSITË INDIVIDUALE QË PËRBËJNË STRUKTURËN QË DO TË NDËRTOHET DHE PËR TË CILAT DISPONOHEN KONTRATA SIPËRMARRJEJE/POROSIE”
Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës, të ligjit nr. 8678, datë 14.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, të ligjit
nr. 10031, datë 11.12.2008, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, i ndryshuar, si dhe të nenit 46 dhe 47, të ligjit 33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”,
i ndryshuar.
UDHËZOJ
Të gjithë përmbaruesit gjyqësorë privatë dhe publikë në Republikën e Shqipërisë për zbatimin e këtij udhëzimi si vijon:
1. Kur në përfundim të procedurave përmbarimore, karabinaja kalon në pronësi të një kreditori dhe në regjistrin e veçantë nuk është regjistruar asnjë akt tjetër noterial, ose kontratë sipërmarrjeje/porosie/premtim shitjeje, sipas nenit 46, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar, regjistruesi lëshon dokumente të përkohshme në favor të kryerjes së transaksioneve nga ana e kreditorit, i cili ka të drejtë të disponojë dhe të tjetërsojë me të tretët këtë pasuri, vetëm për ato njësi ndërtimore që janë të lira dhe nuk kanë akte noteriale të regjistruara më parë mbi to.
2. Në rastet kur në regjistrin e veçantë, ku është i regjistruar objekti si karabina, janë të regjistruara kontrata sipërmarrjeje/ porosie/premtim shitjeje, apo çdo akt tjetër noterial për njësitë ndërtimore të individualizuara, pjesë e strukturuarës së karabinasë, përmbaruesi nuk mund të vendosë sekuestro mbi këto njësi ndërtimore të individualizuara, objekt i këtyre kontratave.
3. Në rastet kur disponohet një kontratë sipërmarrjeje/ porosie/premtim shitjeje, apo çdo akt tjetër noterial, i paregjistruar në regjistrin e veçantë në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, por vërtetohet se porositësi/ blerësi ka kryer pagesa në zbatim të kontratës së sipërmarrjes/ porosisë/premtim shitjes, apo çdo akti tjetër noterial,
përmbaruesi gjyqësor nuk mund të vendosë sekuestro mbi këto njësi ndërtimore, objekt i këtyre kontratave dhe nëse e ka vendosur, duhet të marrë masa të menjëhershme
për përjashtimin a po heqjen e sekuestros nga këtonjësi.
4. Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit dhe Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësore Privatë të orientojë përmbaruesit gjyqësorë të marrin masat e nevojshme për zbatimin e këtij udhëzimi.
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.