Prof. Xhelal Gjeçovi
Në këto vite të mendimit të lirë, është shkruar e diskutuar shumë për Mukjen dhe nuk është bërë keq, pasi përmes tyre janë ballafaquar e sqaruar mjaft probleme të diskutueshme të kësaj ngjarje. Por, përqendrimi i vëmendjes tek Mukja duket se nuk ka qenë krejt e rastit, por pjesë e një strategjie të mirëmenduar, që synon të na gozhdojë tek Mukja dhe të lëmë mënjanë ngjarjet e tjera, shumë më të rëndësishme, që kanë patur një ndikim e një rol vendimtar në përfundimet e luftës, siç janë Konferenca e Pezës dhe krijimi i Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, krijimi i Shtabit Përgjithshëm dhe i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Kongresi i Përmetit etj., me shpresë se kështu, interesimi për to vetvetiu do të vijë duke rënë, derisa të shuhet.
Në funksion të kësaj strategjie, në këto vitet e fundit, janë bërë përpjekje të ethshme që Mukjes t`i jepen trajta e dimensione që realisht nuk i ka patur, duke e paraqitur si strumbullarin e gjithë zhvillimeve në vend, ndikimi i së cilës qenka ndjerë dhe në Kosovë, konkretisht në Konferencën e Bujanit, një ngjarje që s`ka fare lidhje me Mukjen, por këto lidhje shpiken e sajohen për ta zhvendosur ngjarjen, efektet e saj aty ku duan ballistët. E megjithatë, një numër autorësh, këtu e në Kosovë, vazhdojnë “avazin e Mukjes”, me qarje e psherëtima, se gjasme në Mukje qenka përcaktuar fati Kosovës, mosbashkimi me Shqipërinë, kur dhe vetë nuk e besojnë një gënjeshtër të tillë. Për t`i bërë të besueshme pretendimet për këtë çështje, risillen në vëmendje të opinionit tezat e përdorura me kohë nga Sadik Premtja, një figurë e njohur për qëndrimet kontroverse ndaj luftës e për konvertimin, e pazakontë, nga komunist në ballist. Sipas tij, “Mukja u prish për Kosovën” e “Kosova aty u tradhtua e u shit”, sikur të ishte dele, e tagrin për ta shitur ose jo, ta kishte Shqipëria. Unë përpiqem t`i kuptoj autorët që ende vazhdojnë të ushqehen me përralla të vjetra e të dala boje me kohë, me qëllim që të justifikojnë dështimet që paraardhësit e tyre pësuan, për fajin e tyre, në vitet e Luftës.
Por nuk gjej dot arsye përse i lidhin Mukjen e Kosovën, kur dihet që shumica e kosovarëve, përfshi dhe delegatët e Bujanit, as e dinin se ku bie Mukja e aq më pak se çfarë po ndodhte aty, prandaj s’e zunë me gojë, as në diskutime e as në biseda te lira, pasi kishin boll hallet e tyre. Sidoqoftë, vazhdimi i spekulimeve me to, kur ka rrjedhur kaq shumë ujë dhe sot është bërë e mundur që të konsultohen dokumente që dikur ishte e pa mundur, dhe përmes tyre të shihen në dritë të diellit “tradhtitë” e Mukjes dhe “shitjen” e Kosovës aty. Por druaj se do të zhgënjehen, pasi do të shohin të kundërtën, preokupime e angazhime të vazhdueshme nga LANÇ-i, e më pas dhe nga shteti shqiptar, që në asnjë rrethanë nuk i kthyen krahët Kosovës, por jetuan e përjetuan dramën e saj, që ishte dramë e gjithë kombit shqiptar, duke u përpjekur, me takatin që kanë patur, të mbështesin e të kontribuojnë në realizimin e objektivave të Lëvizjes Kosovare. Në rrethana të tilla, nuk është vështirë të kuptohet, diversioni që tentohet të bëhet me këtë çështje të ndjeshme për opinionin këtu e në Kosovë.
Që realiteti nuk është ky, e që në këtë rast ai deformohet për qëllime politike, kjo kuptohet lehtësisht, po të mbajmë parasysh rrethanat objektive, me të cilat është përballur Kosova dhe Çështja e Kosovës, që nga krijimi i saj, me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve më 1913, që shkëputën nga Shqipëria, Kosovën, Çamërinë e viset e tjera, të banuara historikisht nga shqiptarët. Aq më shumë mund të thuhet kjo për Luftën e periudhën pas saj ku përqendrohen më së shumti dhe sulmet e spekulimet me çështjen e Kosovës. Zgjidhja e saj, siç do të shihet në vijim, në këto dy periudha, nuk ka qenë absolutisht në dorën e shqiptarëve, respektivisht të forcave patriotike, në Shqipëri e në Kosovë, as para dhe as pas Mukjes, se po të ishte ndryshe, siç pretendohet, ajo me siguri do të qe zgjidhur, pasi edhe në këto periudha, nuk kanë munguar, as vullneti dhe as angazhimi i faktorit shqiptar, për zgjidhjen e çështjes se Kosovës. Madje, siç dihet, në periudhën e luftës, as që mund të bëhej fjalë për të, pasi aleatët e kishin bërë të qartë se, për sa kohë vazhdon lufta, diskutimi i çështjeve të tilla, nuk ishin në të mirë të luftës, e për këtë arsye, sot për sot, ato nuk mbështeteshin prej tyre. Çështja e kufijve dhe pretendimet për to nuk ishin pra në rendin e ditës, në axhenden e tyre. Por, ajo që është edhe më e rëndësishme, tek ato nuk ekzistonte, as vullneti, as predispozicioni i duhur, për t`iu rikthyer kësaj çështjeje, e, aq më pak, për të ndryshuar e korrigjuar diçka në vendimet e Konferencës së Ambasadorëve. Ajo konsiderohej një çështje tabu, e mbyllur përfundimisht.
Ky ishte realiteti, një realitet që kërkonte kohën e vet që të ndryshohej. Megjithatë, shpresa, siç thotë populli, vdes e fundit, aq më shumë që, në rrethanat e krijuara me fillimin e Luftës Botërore, kishte arsye që të shpresohej. Fuqitë e Mëdha, qeveritë e tyre nuk ishin ato të 1913-s. Në këto vende kishin ndodhur ndryshime të mëdha. Katër prej tyre, Britania e Madhe, BS, SHBA dhe Franca qenë rreshtuar në kampin antifashist dhe i qenë kundërvënë me të gjitha fuqitë që dispononin agresorëve fashistë, që rrezikonin ekzistencën e njerëzimit. Madje, tre të parat qenë vënë në krye të kësaj lufte, në udhëheqje të Koalicionit Antifashist. Kësisoj, besohej se, rrethanat e krijuara me fillimin e Luftës dhe misioni historik që ata kishin marrë përsipër të përmbushnin, do t`i bënin më të ndjeshëm e më të përgjegjshëm, për të kuptuar se kjo çështje, korrigjimi i padrejtësive të bëra në të shkuarën, në kurriz të popujve dhe vendeve të vegjël, siç ishte dhe Shqipëria, merrte një rëndësi të posaçme, pasi lidhej drejtpërdrejtë me besimin e tyre tek aleatët dhe aleanca që u qenë bashkuar, tek kauza që ata përfaqësonin e mbronin. Për të gjitha këto arsye, ajo nuk mund të injorohej më; përkundrazi, për të duheshin bërë pa vonesë reflektimet e duhura, pasi nga kjo varej angazhimi në luftë i jo pak vendeve, të interesuara për shkatërrimin e nazifashizmit, por dhe vënien në vend të padrejtësive të bëra në të shkuarën në kurriz të tyre. Në rrethana të tilla, me Kartën e Atlantikut, gusht 41, dokumenti që do t’i jepte jetë Koalicionit Antifashist të sapo krijuar, Fuqitë Aleate do të shpallin qëndrimin ndaj kësaj çështjeje të ndërlikuar, duke deklaruar se pretendimet për kufij e territore të kontestueshme, do të trajtohen e do të zgjidhen, pas lufte, me vetëvendosje. Ky ishte atakimi i parë publik i vendimeve të 1913-s, sinjali i parë se diçka, më në fund dhe mund të lëvizë.
Karta Atlantikut pati jehonë të gjerë e të menjëhershme në opinionin publik edhe për këtë shkak. Në vazhdim aleatët e bënin të qartë se nga parimi i vetëvendosjes do të përfitonin vetëm ata popuj e vende që do të angazhoheshin në luftën me armë kundër agresorëve fashistë, në kuadër të Koalicionit Antifashist. Në këtë mënyrë, shqiptarët, në Shqipëri e në Kosovë, në se donin të përfitonin nga Karta e Atlantikut, të siguronin mbështetjen e aleatëve për të drejtat e tyre kombëtare, të mohuara padrejtësisht, duhet të angazhoheshin në luftë kundër agresorëve fashistë, përkrah tyre, e jo me boshtin e me krijesat e tij, siç ishte dhe Lidhja e Dytë e Prizrenit. Lufta ishte prova e madhe për kosovarët, për të gjithë shqiptarët, e cila mund dhe duhet të kthehej e të konvertohej në një kapital të madh për të ardhmen, për të kërkuar e për të siguruar të drejtat kombëtare. Rjedhimisht, në Mukje, Frontit dhe Ballit nuk u mbetej tjetër veçse të rikonfirmonin atë që ishte thënë e vendosur dhe në Pezë, dakordësinë e plotë, pa rezerva me Kartën e Atlantikut e me parimin e vetëvendosjes, e krahas kësaj dhe gatishmërinë për t`u angazhuar në luftë përkrah aleatëve anglo-sovjeto -amerikan.
Dhe, në fakt, kështu bënë. Y. Dishnica, kryetar i delegacionit të Frontit në bisedimet me Ballin, i shkruante Enver Hoxhës se, në takimin e parë në Tapizë, dolën dy probleme, njeri prej tyre ishte çështja e Kosovës, por ai u kapërcye pa vështirësi, me një formulim të përgjithshëm, as femër e as mashkull, siç shprehej doktori, që kjo çështje të zgjidhej pas lufte, me vetëvendosje, siç e parashikonte Karta e Atlantikut. Mirëpo, në takimin e dytë, në Mukje, atij iu shtua dhe termi “Shqipëri Etnike”, i vënë me insistimin e krerëve të Ballit, për kapital politik, sigurisht, sepse dihej fare mirë, se kjo çështje nuk ishte në dorën e tyre e, aq më pak, të një mbledhjeje si kjo. E, që të sigurohej mbështetja e angazhimi i aleatëve, duhej pak kujdes, pak diplomaci, që do të thotë dhe urtësi, por jo demagogji. Në pamje të jashtme të duket, se kjo nuk përbënte ndonjë problem, pasi për shqiptarët, Shqipëria Etnike, ishte një realitet e një aspiratë e njohur dhe e ligjshme.
Kështu duhet të ishte, por gjërat duhen parë e gjykuar në kontekstin e kohës, të realiteteve të atëhershme. Në politikë, gjithnjë ka një strategji të mirëmenduar, që, për këtë arsye, nuk ndryshohet lehtë, por ka dhe taktika, të cilat ndërtohen e ndryshohen sipas koniunkturave. Çdo gjë duhej parë në kohën dhe hapësirën ku ndodheshin e vepronin shqiptarët.
Përfaqësuesit e Frontit kërkuan që të bëhej kujdes me përdorimin e këtij termi, që të mos nxiteshin reagime e diskutime të parakohshme e të panevojshme. Megjithatë edhe ata e pranuan. Kjo u bë shkak për një debat të gjerë brenda, sepse jashtë nuk pyeti e nuk u shqetësua kush, pasi askush s`e kishte mendjen tek Kosova, por tek lufta. Gjithsesi, termi “Shqipëri Etnike” linte shteg për diskutime e pse jo dhe reagime, tek jugosllavët, si zakonisht, por frika ishte, se edhe tek aleatët. Prandaj, në Pezë, ai qe evituar me kujdes.
Pavarësisht nga kjo, duhet theksuar, se formulimet apo prononcimet, sido që të ishin, nuk ndikonin e nuk ndryshonin asgjë në statusin e Kosovës, që tani për tani, nuk prekej e nuk ndryshohej as nga Karta e Atlantikut, çka do të thoshte se edhe ajo e njihte Kosovën si pjesë e Jugosllavisë, derisa kjo çështje të zgjidhej, siç e parashikonte Karta Atlantikut, me vetëvendosje, pas mbarimit te luftës. Ato bëheshin më shumë për të mbajtur gjallë këtë çështje dhe besimin e popullit, se zgjidhja e saj, nuk do të vonojë. Por, trajtimi me kujdes i kësaj çështjeje, kishte rëndësi të dorës së parë në raportet me aleatët, pasi dihej se sa të ndjeshëm e të preokupuar ishin ata, që çështja e kufijve dhe pretendimet për to, të mos hapeshin përsa kohë vazhdonte lufta, pasi dihej fare mirë se çfarë u kishte shkaktuar ajo popujve, sidomos në një rajon të nxehtë, me probleme të mprehta në këtë fushe, siç ishte Ballkani. Rihapja e tyre, fryrja e zjarrit të armiqësive të vjetra, sipas aleatëve, do të kishte ndikime e pasoja të pa parashikueshme në unitetin e vendeve të angazhuara në luftë, të cilat do t`i shfrytëzonte armiku i përbashkët i popujve për të shkatërruar rezistencën dhe të ardhmen e tyre. Shqipëria, që e kishte ndarë mendjen për të qëndruar deri në fund me aleatët, duhet të ishte korrekte dhe e kujdesshme në trajtimin e kësaj çështjeje, që të tregonte se ishte një partner serioz, në obligimet ndaj aleancës e ndaj Kartës së Atlantikut.
Ky preokupim përshkon dhe punimet e Konferencës së Dytë Nacionalçlirimtare, shtator 1943. Aty Sejfulla Malëshova dhe Nako Spiru, do të bëjnë disa shpjegime kurajoze, por dhe realiste, për këtë çështje. Sipas tyre, në Mukje janë përdorur dy terma të kundërt. Etnikja dhe Vetëvendosja, theksonin ata, nuk nuk pajtohen e nuk mund të qëndrojnë së bashku. Në thelbin e tyre, ato janë dy terma të kundërt, që për këtë arsye përjashtojnë njëri-tjetrin. E para, Etnikja e paragjykon dhe e paracakton zgjidhjen e problemit, duke kërkuar që Shqipërisë t`i bashkohen të gjitha territoret ku banojnë shqiptarët, një kërkesë kjo maksimaliste, që vështirë se pranohej nga aleatët. E dyta, vetëvendosja, kërkon, që, në çdo rast, banorët e territoreve me popullsi të përzier, pavarësisht raporteve në mes tyre, të shpreheshin vetë, drejtpërdrejt me referendum, se nga dëshirojnë të shkojnë, të mbeten nën Jugosllavi apo t`i bashkohen Shqipërisë.
Etnikja, sipas tyre ishte tezë raciste, e papranueshme për ne, pasi ne nuk jemi racistë, nuk ushqejmë ndjenja raciste ndaj popujve të tjerë dhe nuk udhëhiqemi prej tyre në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Më në fund, Etnikja është tezë e fashizmit, zgjidhja e ofruar prej tij, për të krijuar iluzione ndër shqiptarët, por dhe përçarje e armiqësi me fqinjët, të cilët, ashtu si ne, i qenë bashkuar Koalicionit Antifashist. Kurse, vetëvendosja ofron zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme, pasi mbështetet në vullnetin e popullit dhe garantohet nga aleatët. Ne jemi deklaruar pro tij dhe do t`i përmbahemi këtij parimi, të bindur se Kosova do të vendosë bashkimin me ne.
Përsa u tha më sipër, duket qartë që Mukja, nuk u anulua për çështjen e Kosovës, megjithëse ajo, si gjith një, edhe në këtë rast, pra edhe këtu, pati gjithë vëmendjen e duhur. Mirëpo, dihej fare mirë, nga të dy palët në bisedime, se fati i Kosovës, nuk ishte në dorën e tyre e nuk vendosej aty. Pavarësisht kësaj, deklarimi i pranuar nga te dy palët, që kjo çështje të zgjidhej me vetëvendosje, pas lufte, siç parashikohej në Kartën e Atlantikut, ishte mesazhi i duhur, që shqiptarët u përcillnin alea tëve, duke u kërkuar angazhimin e tyre, besimplotë se vetëm ata mund të përmbushnin aspiratat e ligjshme të shqiptarëve, vënien në vend të padrejtësive të bëra në të shkuarën ndaj tyre. /Dita