Të tjera detaje dalin në dritë nga vrasja makabre e 51-vjeçares Drita Saliaj, e cila pasi u dhunua dhe u mbyt me peshqir, trupi i saj u hodh në rezervuar. Krimi tronditës ndodhi në Gjerbës të Mallakastrës në 5 janar.
Në dosje e prokurorisë, të siguruar nga “Panorama”, thuhet se 52-vjeçarja është përdhunuar para se të hidhej në rezervuar.
Në dëshminë e tij 16-vjeçari Sindi Shehaj ka treguar se kishin shkuar tek shtëpia e viktimës për të marrë hashah dhe se konflikti kishte nisur për çmimin e lëndës narkotike.
Ai thotë se 52-vjeçarja u përdhunua nga 26-vjeçari Ervis Zotaj dhe se më pas e lidhën dhe e hodhën në rezervuar, ku u gjet pas dy ditësh nga policia.
“Në datën 04.01.2020, rreth orës 22:30, e ka telefonuar Luis Saliaj, e i ka thënë që të shkonte në Gjerbes ta takonte pasi ashtu e kishte punën.Në këto rrethana është nisur me makinën e tij e ka shkuar tek Luisi, ku janë takuar në afërsi të banesës së këtij të fundit.
Në bisedë e sipër i ka thënë të linte aty makinën e tij e të merrte atë të Ervis Zotaj, pasi do të shkonin të merrnin hashash tek shtëpia e Drita Saliaj. Pas kësaj kanë shkuar tek banesa e kësaj të fundit, ku sipas tij, Luisi i ka thënë që të mos hynte brenda pasi kishte pak punë.
Ka pritur jashtë ndërkohë që Ervin Zotaj e Luis Saliaj, kanë qenë brenda duke pirë kafe me Drita Saliaj. Pas rreth 20 minutash e ka thirrur Luisi, e është futur brenda, ku Drita i ka dhënë një gotë raki.
Gjatë kohës që po pinte gotën e rakisë Luisi, është ngritur me pretendimin se do shkonte në tualet por në të vërtetë është futur në dhomën tjetër, e ka dalë prej andej me një pako hashash.
Këtë të fundit e ka lënë tek pragu i derës e është futur përsëri në kuzhinë. Pas kësaj Luisi ka kërkuar që hashain ta blinte me 50 Euro, ndërsa Drita thoshte me 200 Euro. Ndërkohë Luisi i ka thënë që të dilte jashtë e ta priste tek makina.
Kur ka dalë jashtë ka dëgjuar të bërtiturat e Dritës. Është afruar tek dritarja dhe ka parë që Ervisi i ka hequr me dhunë pantallonat Dritës e pas kësaj ka kryer marrëdhënie seksuale me të.
Ndërkohë që Ervisi kryente marrëdhënie seksuale, Luisi ka dalë jashtë ku ka gjetur dy litarë me të cilët e kanë lidhur Dritën. Pas kësaj Ervisi dhe Luisi i kanë futur në gojë një shall dhe e kanë nxjerrë jashtë duke e mbajtur në krahë dhe e kanë çuar tek makina e Ervisit.
Makinën e ka drejtuar ai, e Ervisi ka qëndruar me Dritën në sediljen e pasme, ndërsa Luisi në sedijen e parë të pasagjerit.Pasi janë nisur Luisi i ka thënë të ecte shpejtë në drejtim të rezervuarit.
Rreth orës 03:00, të datës 05.01.2020, kanë mbritur tek rezervuari, ku Luisi dhe Ervisi e kanë zbritur nga makina dhe e kanë hedhur menjëherë në ujë. Pas kësaj janë kthyer në Gjerbes ku ka marrë makinën e tij dhe është larguar për në banesën e vet, ndërsa Ervisi e Luisi kanë shkuar përsëri tek banesa e Drita Saliaj.
Në monentin e ndarjes ata e kanë porositur që të mos tregonte për gjithça ndodhi. Në banesë ka mbëritur rreth orës 04:30, datë 05.01.2020, e atë ditë nuk ka dalë nga shtëpia”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Një nga 3 të akuzuarit për vrasjen e saj, Ervis Zotaj, i cili akuzohet nga një prej të rinjve se ka përdhunuar viktimën, ka mohuar kategorikisht që të ketë lidhje me ngjarjen. Në dosjen hetimore, thuhet se Zotaj ka pohuar se e njihte 51-vjeçaren, por se nuk kishte lidhje me vrasjen e saj.
Ai ka sqaruar para grupit hetimor të çështjes se në datë 4 janar bashkë me babain e tij, shtetasin Syrja Zotaj, kanë shkuar në Ballsh, tek motra e vet, Marsela Lala dhe sipas tij janë kthyer ditën tjetër në Gjerbës, rreth orës 13:00.
Teksa vijon rrëfimin e tij, 26-vjeçari ka pohuar se më 6 janar kishte shkuar sërish me makinë në Ballsh, dhe ishte kthyer në banesë rreth orës 15:30, nga ku sipas tij nuk kishte dalë më prej aty, deri në momentin kur ka shkuar policia.
“E njoh Sindi Shehaj, e kam shok. Për herë të fundit e kam takuar në datën 28.12.2019, në Ballsh. Edhe Luis Saliaj e njoh, por nuk kam shoqëri me të. Për herë të fundit e kam takuar atë në datën 29.12.2019, rreth orës 14:30, tek banesa e tij. Nuk i kam të regjistruara numrat e tyre në telefon”, mësohet të jetë shprehur 26-vjeçari.
Ndërkohë, në sallën e gjyqit, Ervis Zotaj mësohet të jetë shprehur se nuk pranon asnjë prej akuzave që rëndojnë ndaj tij. “Nuk e kam bërë veprën që akuzohem. Jam dakord me avokatin”, pohoi para togave të zeza Zotaj.