M.H një vajzë e re 25 vjeçe e cila prej një jave është diagnostikuar me Covid-19, duket se refuzon tëzbatojë karantinën e plotë. Ajo i tregoi Gazetës “Si” se dy ditë më parë ka dalë shëtitje me vëllain e saj, meqë simptomat i ishin qetësuar disi.
E reja tregoi se kishte kaluar një situatë të vështirë në shtëpi, me temperaturë 38 e gjysmë që kishte lodhur aq shumë, sa nuk mbante dot as sytë hapur dhe me një kollë qësiç e tregon ajo “ngjante me kollën e një plaku që kishte pirë gjithë jetën cigare”.
Gjithashtu M.H tregon se me nuhatjen ka probleme ende.Nuk nuhat sa duhet.Siç pohon ajo, mjeku i familjes e kishte këshilluar të merrte shumë ilaçe ku mes tyre mbizotëronin aspirinat dhe vitminat D dhe C. Ndërkaq, pavarësisht gjendjes së rëndë, 25-vjecarja është e bindur se nuk ka bërë gabim që ka dalë. Me kollën që hera-herës nuk e lë të shqiptojë të gjitha fjalët tamam, i thotë Gazetës “Si” se është trajtuar në shtëpi edhe pse ka pasur gjendje të rëndë.
“Babi mori një infermier në shtëpi kur u bëra keq fare sa nuk po merrja dot frymë. Nuk donim të shkonim në spital se çfarë nuk po dëgjojmë për atje. Po kaloi tani, më ka mbetur kolla dhe tani që po eci më merret pak fryma, por temperaturë kam dy ditë që nuk kam. Dola të qetësohem tëmarr ajër sepse u mërzita shumë mbyllur,” tregon e reja e cila duket qartë që e ka harruar përgjegjësinë e infektimit të personave të tjerë.
Në vijimin e bisedës vajza tregon se prej disa ditësh ka pezulluar edhe aktivitetin në biznesin e saj, ndërsa për ilaçet dhe mjekimet shprehet se ka përdorur të gjitha kursimet e saj nga puna. 25- vjeçarja pohon se përveç sëmundjes qëështë e rëndë për shkak të virusit, ka përjetuar shumë edhe izolimin. Për të fakti i të qëndruarit gjithë kohës brenda kishte qenë shumë e vështirë nga ana psikologjike, por për këtë pjesë nuk kishte kërkuar asistencë mjekësore.
Për linjën 0800 40 40 ku ofrohet edhe këshillimi psikologjik, tregon se “ ata të thonë se ça është Covid-19, nuk ofrojnë këshillim psikologjik”.
Përpos mos bindjes që nuk duhet të dalë rrugëve të zonës ku ajo banon, e reja thotë se maska i mjafton për të mos infektuar personat e tjerë dhe se nuk ka asgjë për se të mos dalë se ajo tashmë është qetësuar. Megjithëse për të dalë nuk ka asnjë rekomandim mjeku dhe nuk ka bërë asnjë tampon që të konfirmojë se ajo është negative.
![](https://gazetasi.al/wp-content/uploads/2020/11/foto2.jpg)
Por a është M.H dhe shumë të tjerë të infektuar që thyejnë izolimin arsyeja që kemi arritur deri në 501 raste të reja në ditë?
Natyrisht që po! Të dhënat tregojnë se një person mund të infektojëderi në pesë persona të tjerë dhe pikërisht për këtë fakt, ata që janë pozitiv me Covid-19 duhet të izolohen në shtëpi. Shifrat në vendin tonë janë alarmante. Gjatë kësaj jave pozitiviteti i infektimit ka arritur deri në 25,6% dhe zyrtarisht vendi ynë është në valën e dytë të Covid-19. Që prej fillimit të pandemisë, u vërejt mosbesimi i qytetarëve tek sëmundja, ndryshe nga tani ku nuk besojnë tek autoritetet. Pikërisht në datën 15 Mars të këtij viti kur edhe vendi ynë u “pushtua” nga infektimet e Covid-19, qeveria miratoi njëakt normativ ku u përcaktuan masat e veçanta që do të merren ndaj personave fizikë/juridikë apo individë, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht vendbanimit të tyre, të cilët shkelin rregullat, vendimet, urdhrat dhe udhëzimet e nxjerra nga organet kompetente, gjatë gjithë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19. Në këtë akt përcaktohet edhe masa administrative për personat që nuk zbatojnë karantinën e detyrueshme. Pika 4 e Nenin 3 përcakton “Dënohet me gjobë në masën 700 000 (shtatëqind mijë) lekë, shtetasi, i cili ka rezultuar pozitiv dhe nuk zbaton urdhrin e dhënë nga organet kompetente për vetë-karantinimin e detyrueshëm. Gjë që më vonë ndryshoi nga Kuvendi ku u ndryshua ligji dhe u përcaktua se “shkelja e rregullave të karantinimit apo izolimit, kur personit i është njoftuar individualisht ky detyrim nga autoritetet përkatëse shëndetësore, dënohet nga dy deri në tre vjet”.
Ndërkaq, Policia e Shtetit konfirmon se që prej fillimit të pandemisë dhe vendosjes së rregullave të lart përmendura janë penalizuar 20 qytetarë të cilët kanë qenë të infektuar dhe nuk kanëzbatuar rregullat e karantinimit.
Por 25-vjeçarja duket se nuk është e informuar për këtë fakt dhe më e keqja është se edhe shumë të tjerë që ajo njeh nuk e dinë këtë fakt.
“Të gjitha shoqet e mia kështu lehtë e kanë kaluar dhe kanë dalë e nuk i ka ndodhur gjë. Kanë mbajtur maskë dhe kaq,” tregon vajza e cila është e bindur se nuk ka bërë asnjë gabim.
Deri më tani situata në Shqipëri është mjaft e rëndë e rastet po rriten dita-ditës edhe më shumë. Ndërkaq, spitalet janë të tej mbushur dhe qytetarët presin me ditë të tëra të marrin përgjigjet e tamponëve, ku ka pasur raste që përgjigja ka dalë edhe kur pacienti ka vdekur. Ka nga ata që janë të infektuar dhe nuk dalin vetëm për shëtitje si 25 vjeçarja, por bëjnë edhe pazare në marketin e lagjes, dalin pinë kafe, apo edhe nga ata që shkojnë në punë me frikën se nuk do të paguhen, apo edhe mund të humbin vendin e punës./ Gazeta Si
g.kosovari