Publikimi i videove intime të artisteve të njohura me kompozitorin Adi Hila ka nxitur një valë reagimesh në rrjetet sociale, në mbrojtje të tyre dhe sensibilizimit të shoqërisë.
Një faqe e quajtur ‘Antifa feministe’ ka shpërndarë disa foto të shkrimeve të ndryshme në mure ku thuhet: “Turpi dhe morali, shpikje patriarkale”, “Gratë e mira bëjnë seks” etj.”
Kompozitori Adi Hila është vënë nën hetim për regjistrimin e videove pa dijeninë e artisteve, sipas asaj që ato kanë deklaruar.
Në një postim të gjatë, ‘Antifa feministe’ shkruan se thelbi i problemit është dhunimi i privatësisë dhe dinjitetit të artisteve, të cilat janë filmuar pa dijeninë e tyre.
“Është tej mase shqetësuese, por fatkeqësisht një simptomë në shoqërinë tonë, fakti që raportimi dhe fokusi mediatik, perceptimi si dhe diskutimi publik po përqëndrohen te ekzistenca e videove dhe përmbajtja e tyre, duke e trajtuar si një tjetër skandal rozë dhe duke zhvendosur vëmendjen nga thelbi i vërtetë i problemit: fakti që dhjetëra gra dhe vajza janë viktima të dhunimit të privatësisë dhe dinjitetit të tyre”, shkruhet në postim.
Më tej shkruhet se barra e turpërimit publik dhe paragjykimeve u ngarkohet vetëm këtyre grave, ndërsa vijon zinxhiri i shpërndarjes së pamjeve.
“Gratë e përfshira detyrohen të mbajnë barrën e turpit shoqëror, ndërkohë që traumatizohen në mënyrë të vazhdueshme nga shpërndarja e imazheve dhe paragjykimet e ashpra të shoqërisë.”
Rasti nuk mbetet i izoluar sepse ngjarja është një traumë e përbashkët e vajzave dhe grave që kanë përjetuar të njëjtën gjë.
“Prapa këtyre lajmeve që trajtohen si thashetheme shoëbiz-i, fshihet trauma e dhjetëra vajzave dhe grave që u është dhunuar hapësira më intime pa dijeninë e tyre, ne shtëpi, në punë dhe në shoqëri”, vijon postimi.
Në fund, thirrja kryesore mbetet për sensibilizimin e shoqërisë dhe ofrimin e empatisë e sigurisë ndaj grave e vajzave.












