• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, August 26, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Tunel Jeshil

by Edison Ypi
05/07/2026 19:24
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Edison Ypi

E di ku bie Shëngjergji ? Po s’dite as Shëngjergjin, s’i duhesh as Dreqit që dënon me Ferr budallenjtë që s’njohin vendin e vet.
Pak mbi Shëngjergj ndodhet Kroi i Kuq. Kur të arrish te Kroi i Kuq, ndalu pak minuta. Mbushi mushkëritë me ajër të pastër. Bëj ca lëvizje stretching-u për t’u çmpirë. Bëj pak muhabet me kafexhiun. Pyete për emrat e çfarë të kap syri: vende, male, katunde. Mos lër nam ta pyesësh sa kilometra është prej diku në diku tjetër. Shqipëria nuk ka kilometra. Shqipëria ka vende dhe ngjarje. Pyete për gjendjen e rrugëve. Jo se i trembesh rrugëve me gropa, por përkundrazi, sepse i adhuron, dhe me të drejtë dëshiron të dish sa qejf do bësh kur të kalosh. Je nisur për larg. Ku shumica nuk kanë qenë. E kanë me të dëgjuar. Të tjerët s’e kanë idenë sa e gjatë, sa e vështirë, sa magjike është rruga deri në Fushë-Studë. Po, e dëgjove mirë. Atje ke për të vajtur. Përmes aventurës, adrenalinës, ëndrrës, mes Librazhdit dhe Bulqizës, në Fushë-Studë.
Male, shkëmbinj, lëndina, kullota, përrenj. Aty-këtu ndonjë baxho ose stan. Sa më larg të shkosh, aq më magjike bëhen pamjet.
Biza mes maleve është një tas i thellë me diametër nja 1 kilometër. Biza ka pamjen e një vendi ku, pas një konflikti lokal, dikush nuk ia përtoi ta shtypte butonin nuklear. Ngrehinat e qytezës së dikurshme të sharrëtarëve u bënë përshesh duke u shndërruar, nga të gjitha të ndryshme, në të gjitha të njëjta, të gjitha gërmadha. Sa bukur dhe sa qejf mes gërmadhave të mos mund të dallosh kinemanë e rrenave të propagandës nga kuzhina e lëtyrave. Fjetoret me morra nga zyra e partisë. Halet nga zyra e Sigurimit.
Duke u larguar nga Biza, do ndjesh se po bie në një hinkë hapësinore. Sa më tepër që hinka ngushtohet, aq më tepër pamjet me male dhe shkëmbinj rrallohen. Derisa syri s’të zë më asnjë mal, asnjë luginë, asnjë katund. Kur hinka mbaron, do ndjesh se je në mbretërinë e klorofilit. Ku rruga tashmë nuk është rrugë. Është tunel në gjelbërim. Tunel Jeshil.
Brenda Tunelit Jeshil do ndjesh flladin të futet në mish. Cicërimat e zogjve. Erën e myshkut. Aromat e bimëve të pyllit. Ca si klithma, ose jehona, që vijnë nga larg. Të njëjtët zëra, në fakt nota muzikore, që vijnë nga drejtime dhe distanca të ndryshme, do të japin ndjesinë e një stereofonie perfekte që nuk e ke provuar kurrë më parë me vinil, as me shirita magnetikë, as me mjete digjitale. Ke hyrë në një xhungël shqiptare. Ku veç majmunë s’ka. Por ka majmunëri.
Diku anës rrugës, për shembull, te një burim mes shkurresh dhe ferrash, diktatori ynë, krejt njësoj si diktatori korean, ka bërë diçka që të lë pa mend. Ja mbishkrimi që mezi lexohet: “Në këtë burim piu ujë shoku Enver”. Urraaaaaa… majmunët e xhunglës të gjithë në këmbë. Vazhdojnë ovacionet.
Pak më tutje, në faqe të shkëmbit përtej përroit, duket hyrja e një tuneli në shkëmb. Është spital me 100 shtretër për kohë lufte. Gjynah që s’do kesh kë të pyesësh nëse të sëmurët e spitalit shkëmbor u sëmurën sepse luftuan, apo sepse hanin këllira dhe visheshin me lecka.
Përgjatë Tunelit Jeshil ka kronj. Ja mbi rrugë, mbuluar nga ferrat, një krua lasgushian me tre sylinarë. Por pa trima që malli u buçet përpjetë, dhe pa vasha që malli u djeg më të fshehtë.
Rrugë pyjore anësore si Circe që ta bëjnë me sy. Mbahu. Mos u gënje. Po hyre nëpër ato rrugë, mbetesh atje, nuk kthehesh dot te mami, babi, shoqëria, plazhi, restoranti, tava e dheut, e një mijë e një të mirat e qytetit.
Diku majtas një tabelë: Ballenjë. Mos u kthe për Ballenjë se përfundon në Bulqizë. Ik drejt.
Tuneli Jeshil sa vjen e ngushtohet, dendësohet. Cicërimat, lagështirat, baltat, gropat, kthesat, sidomos aromat, të shkaktojnë elektro-mornica nëpër trup. Sheh me sy hapur pak çaste nga fëmijëria, idetë, shpresat, ëndrrat, leximet, përrallat.
Futja në Tunelin Jeshil është si zhytja në det, që nuk mund të vazhdojë përgjithmonë pa e nxjerrë kryet mbi ujë; edhe Tuneli Jeshil ashtu funksionon: ndalet pak, merr pak frymë, merr pak dritë dhe vazhdon.
Me Tunelin tjetër Jeshil vjen tjetra magji. Vijnë momentet më të bukura të jetës, kur gjithçka e ëndërroje dhe e besoje. Deri te tjetri Tunel Jeshil, ku dashuria dilte kallp, ku ëndrrat ishin rrenacake, kur kuptoje se jeta është prej mishi që e pret thika, e çpon plumbi, shpresat janë prej dylli që e shkrin dielli.
Hinka e Bizës s’paskësh qenë vetëm hapësinore, por edhe kohore.
Kroje të kërrusura nga mosha, por që ende rrjedhin.
Diku, brenda Tunelit Jeshil, një kamionçinë ka ndalur te një xhep anës rrugës. E vetmja makinë, edhe ajo e ndalur, dhe të vetmit humanë përgjatë gjithë këtij udhëtimi nëpër këtë Tunel Jeshil. Babai dhe i biri kanë ardhur nga Elbasani për të mbledhur bimë mjekësore. Tani po i lidhin në dengje. Aq të mbytur në djersë janë, sa djersën e ballit nuk ua than dot as freskia e pyllit. Dhe thonë se në Shqipëri s’ka punë. Mos, se do më bjerë pika nga e qeshura.
Tunel pas tuneli, jeshil pas jeshili, te njëri Tunel Jeshil të kthehen trimëritë që pate bërë. Te tjetri, do llafosesh me nënën dhe babain e vdekur. E me radhë: vendet ku pate qarë, ku lotët t’u thanë, ku diktatura u shemb, demokracia erdhi, gëzimet dhe zhgënjimet që pate.
E të tjerë e të tjerë tunele, të gjithë të jeshiltë.
Kroje gjysmë të braktisura, si ulokë që s’lëvizin dot nga vendi, e megjithatë rrjedhin.
Kur pas disa orësh më së fundi Tunelet Jeshil mbarojnë, lepujt, dhelprat, ujqit, arinjtë, ketrat, bashkë me krejt zogjtë, bilbilat, harabelat, mes tyre dhe një shqiponjë krahëhapur që ta pret tërthor rrugën – që të kanë përcjellë nga Biza deri këtu pa të rënë në sy – do afrohen e do të shpërthejnë në britma hareje dhe duartrokitje frenetike.
Fushë-Studa, liqeni, ato pak ngrehina, rruga e asfaltuar, ia behin befas kur të jesh majë një bregu. Me gjasa, qejfi ta ka të kthehesh në Tiranë djathtas, nga Librazhdi. Të lutem mos e ndal ëndrrën. Mbaja majtas ta zgjatësh magjinë. Deri te Ura e Cerenecit rruga është e gjerë, e asfaltuar, e bukur. Por jo aq e bukur sa ajo e Tunelit Jeshil, plot me gropa, pellgje, rreziqe, mornica, myshqe, aroma.
Lugina e Bulqizës nga Ura e Cerenecit te Qafa e Bullit është vendi ku era që s’ndalet kurrë sjell papushim kujat e nënave për bijtë e burgosur në Bulqizë.
Fshatra të strukur rrëzë maleve të larta në anën veriore të luginës do të mahnisin aq tepër, sa nuk do të mjaftojë jeta për t’ua rrëfyer miqve se sa të magjishëm janë.
Te rrethrrotullimi te fshati Fshat, ku Rruga e Arbërit shkon drejt për Tiranë dhe djathtas kthehesh për Klos, ngjitu majtas-lart për një rrugë të paasfaltuar. Vazhdo nja gjysmë ore nëpër ca kthesa të rrezikshme, që për ty që për pak vivere pericolosamente paguan, i kalon me kënaqësi.
Ndal te një kthesë me pisha që kthen për te fshati historik Guri i Bardhë. Zbrit poshtë. Hidhe përroin. Ndalu te një shesh i vogël ku është fundi i rrugës. Më tutje s’mundesh. Prit pak. Shijo heshtjen sa t’i biesh në sy dikujt. Nga shtëpia përballë do të dalë nusja. Nusja do t’i thërrasë vjehrrit. Do vijë vjehrri, burrë i moçëm, burrë zamani, me një dhëmb floriri. Pas vjehrrit do vijë vjehrra. Te Guri i Bardhë, para portës, rrëzë përroit, kuvendi, triumvirati nuse-vjehërr-vjehrrë do të shpjegojnë qartë dhe prerë, pa asnjë ekuivok, se: Po, je te Guri i Bardhë. Por nuk e mbake mend mirë. Duhet të përditësosh navigatorin e trurit. Ngjitu nga erdhe. Vazhdo edhe nja çerek ore. Kur ta prekësh asfaltin, kthehu majtas, ik në Linos.
Falënderoje familjen pa bij, bija, nipër e mbesa – të gjithë në Angli – dhe nisu.
Drejt Linosit rruga me shumë kthesa, pa baltë, pa ujëra, shkon mes një gryke të thellë malore për të ta kallur frikën, jo ty që je mësuar me aventura, por frikacakëve që e shkojnë jetën nëpër rrjeta sociale. Majtas-djathtas veç male dhe pyje.
Te një kthesë do të dali befas përballë me shpejtësi një derr Fordi 4×4, i ri, i madh, i fuqishëm, e vetmja makinë nga Guri i Bardhë deri në Linos. Kujdes nga Fordi me timon djathtas se të hedh në përrua. Çunat e Londrës, pasi janë shqepur me mish e pilaf e raki te një kamping ose baxho, qeshin me të madhe duke ikur drejt Gurit të Bardhë.
Në faqe të malit dy kampingje, njëri pas tjetrit.
Më tutje, disa Tunele Jeshile të së njëjtës tipologji gjeologjike dhe bimore.
Po ato pellgje, ujëra, balta, rreziqe, ëndrra, pauza si Bizë – Fushë-Studë.
Aty-këtu, kronj natyralë që rrjedhin prej shekujsh.
Në Linos Tunelit Jeshil do t’i vijë fundi.
Linosi ka aq gërmadha ushtarake sa do të të duket sikur Traktati i Varshavës i ka bërë aty të gjitha stërvitjet dhe manovrat.
Linos e tutje, nga gërmadhat e lavdisë së vdekur të Linosit ushtarak deri te Kroi i Kuq civil me stan, baxho, kafene, restorant e ujë që tasin e groshës dhe llokmat e mishit i tret për 20 minuta, nuk ka Tunel Jeshil.
Ka një Magelan të kthjellët e të lodhur, që xhunglës i ra qark.
Kur të hysh në shtëpi, nuk do jesh ai që ishe. Do jesh një tjetër. Më i fortë, më i gjallë, më i ndjeshëm. Udhëtimi nëpër Tunelin Jeshil të ndryshoi përgjithmonë.

https://javanews.al/wp-content/uploads/2026/07/WhatsApp-Video-2026-07-05-at-19.09.06.mp4
Next Post
Protesta, nis grumbullimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej”

Protesta, nis grumbullimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej”

Comments 1

  1. Luftvafe says:
    2 months ago

    Me këtë tunelin jeshil, më bëre të më kujtohet një ndodhi e viteve të xhaxhit Enver….
    Bëhej një simpozium për naftën, në një qytet nafte, dhe një punonjës zyrtar partie, hapi konferencën, dhe nder të tjera, duke dashur të simbolizonte rëndësinë e naftës, medek i u referua Leninit, duke e quajtur naftën “ARI I ZI”etj, etj….
    Në këtë mbledhje asistonte edhe një filozof i shkollës së partisë, i cili mbajti shenim shprehjen e ARIT TË ZI.
    Mbas një muaji, ai vjen në këtë qytet, dhe zyrtarisht i kerkon referuesit të ARIT TË ZI, që ti tregonte se në cikën vepër të Leninit e kishte gjetur këtë shprehje, se ai kishte shfletuar gjithë veprat e tijë dhe nuk e kishte gjetur.
    Dhe heroi i këtijë muhabeti, i thotë që e kam thënë unë këtë, por me mëndjen e Leninit.
    E kështu, u tallën njerëzia me këtë filozofin e Tiranes.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Bëri aksident me “Lamborghinin” që kushton 270 mijë paund, futbollisti i njohur rrezikon deri në 2 vite burg!

Bëri aksident me “Lamborghinin” që kushton 270 mijë paund, futbollisti i njohur rrezikon deri në 2 vite burg!

August 25, 2026
‘Vijat e kuqe’ të SHBA, opozita dhe revolucioni që s’ndezi as nga ‘Gaza’

‘Vijat e kuqe’ të SHBA, opozita dhe revolucioni që s’ndezi as nga ‘Gaza’

August 25, 2026
Skandali me mbetjet, Bashkia Rrogozhinë demaskon Qosen e Kavajës: Gënjen për kufijtë e bashkisë për t’i ikur përgjegjësisë!

Skandali me mbetjet, Bashkia Rrogozhinë demaskon Qosen e Kavajës: Gënjen për kufijtë e bashkisë për t’i ikur përgjegjësisë!

August 25, 2026
VIDEO/ Pamjet skandaloze, nga foltorja e revolucionit ‘Flamingo’ në rrugët e Tiranës, protestuesi ekspozon organet gj*nitale para kalimtarëve!

VIDEO/ Pamjet skandaloze, nga foltorja e revolucionit ‘Flamingo’ në rrugët e Tiranës, protestuesi ekspozon organet gj*nitale para kalimtarëve!

August 25, 2026
“Mund të kisha ikur në Dubai dhe kudo, por…”- Apeli e la në burg dhe i hapi rrugën ekstradimit, çfarë tha Ermal Beqiri në Gjykatë: Pse zgjodha Francën

“Mund të kisha ikur në Dubai dhe kudo, por…”- Apeli e la në burg dhe i hapi rrugën ekstradimit, çfarë tha Ermal Beqiri në Gjykatë: Pse zgjodha Francën

August 25, 2026
Qytetarët e Divjakës kundër shkrirjes së bashkisë, mbajnë protestën e 26-të! Thirrje deputetëve të mos e votojnë Territorialen në Parlament

Qytetarët e Divjakës kundër shkrirjes së bashkisë, mbajnë protestën e 26-të! Thirrje deputetëve të mos e votojnë Territorialen në Parlament

August 25, 2026
Çfarë kërkon shefi i CIA-s në Kremlin? Misioni sekret në Moskë, Irani, Ukraina dhe mesazhi “i koduar” për Putinin

Çfarë kërkon shefi i CIA-s në Kremlin? Misioni sekret në Moskë, Irani, Ukraina dhe mesazhi “i koduar” për Putinin

August 25, 2026
“Përplasja e Titanëve”/ A mund ta mbytë SHBA-ja ekonomikisht Iranin pa e prekur Kinën? Basti i madh i Trump kundër ‘mushkërisë’ së Teheranit

“Përplasja e Titanëve”/ A mund ta mbytë SHBA-ja ekonomikisht Iranin pa e prekur Kinën? Basti i madh i Trump kundër ‘mushkërisë’ së Teheranit

August 25, 2026
“Politikë gjenocidiale”- Kuba akuzon SHBA-të për zgjatjen e embargos: Qëllimi i tyre është që të mbysin një komb të tërë!

“Politikë gjenocidiale”- Kuba akuzon SHBA-të për zgjatjen e embargos: Qëllimi i tyre është që të mbysin një komb të tërë!

August 25, 2026
Edhe këtë sezon Champions League ka “hirushen” e saj, Sabah Baku bën surprizën me përmbysje në shtesë dhe kualifikohet

Edhe këtë sezon Champions League ka “hirushen” e saj, Sabah Baku bën surprizën me përmbysje në shtesë dhe kualifikohet

August 25, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com