Nga Michael Schuman, The Atlantic
Udhëheqjes botërore amerikane po i vjen fundi.
Jo për shkak të “tatëpjetës amerikane”, apo shfaqjes së një bote shumëpolare, apo veprimeve të kundërshtarëve të SHBA-ve.
Po përfundon sepse presidenti Donald Trump dëshiron t’i japë fund.
Pothuajse të gjitha politikat e Trump, si brenda dhe jashtë vendit, po shkatërrojnë me shpejtësi themelet e fuqisë amerikane.
Përfituesi kryesor do të jetë udhëheqësi kinez Xi Jinping, i cili kishte bërë plane për momentin kur Washington-i do të pengohej dhe do të lejonte Kinën që të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara si superfuqia botërore.
Fakti që Trump është i gatshëm t’ia dorëzojë botën Xi-t – ose as që e kupton se kjo është ajo që po bën – tregon se botëkuptimi i tij miop, admirimi për autokratët dhe obsesioni ndaj vetvetes po kombinohen për të kërcënuar sigurinë ndërkombëtare dhe, bashkë me të, të ardhmen e Amerikës.
Trump po zgjedh të zmbrapset edhe pse SHBA-të i kanë manovruar kundërshtarët e tyre.
Politika e jashtme e presidentit Joe Biden po funksiononte.
Duke mbështetur mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit rus, Biden e dobësoi Moskën aq shumë sa presidenti Vladimir Putin iu desh t’i drejtohej Koresë së Veriut për ndihmë.
Mbështetja e tij ndaj Izraelit në luftën e tij me Hamas-in në Gaza e ul ndikimin e Iranit në Lindjen e Mesme.
Dhe forcimi i sistemit të aleancës globale të SHBA-ve nga Biden e vuri në presion dhe e nervozoi Kinën ndërsa demokracitë e përparuara të botës u bashkuan kundër Xi-t dhe planeve të tij për të prishur rendin botëror.
Tani Trump po e vërvit vullnetarisht këtë levë të fituar me vështirësi.
Kryenegociatori i supozuar po sinjalizon gatishmërinë e tij për të sakrifikuar Ukrainën për Rusinë para se të fillojnë negociatat zyrtare.
Javën e kaluar, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth e quajti rivendosjen e Ukrainës në kufijtë e saj përpara se Rusia të rrëmbente Krimenë në vitin 2014 një “objektiv jorealist”, duke treguar se administrata do të pranonte një marrëveshje paqeje që i lejon Putin-it të mbajë një pjesë të kombit të pavarur që pushtoi.
Hegseth gjithashtu hodhi poshtë anëtarësimin në NATO për Ukrainën – mundësia e së cilës ishte preteksti i Putin-it për pushtimin në radhë të parë.
Ky nuk do të ishte një rezultat i keq për Putin-in pasi filloi një luftë brutale dhe në fakt e humbi atë.
Por fituesi i madh nga një zgjidhje e tillë do të jetë Kina.
Për shkak se Kina është partneri më i rëndësishëm i Rusisë, çdo përfitim që Putin-i mund të korrë nga lufta e tij katastrofike e çon përpara agjendën globale të dy diktatorëve.
Kjo është arsyeja pse Xi po e cyt Trump-in.
Pekin-i thuhet se ka propozuar mbajtjen e një samiti midis Trump dhe Putin për të zgjidhur luftën në Ukrainë.
Pastaj kompanitë kineze të ndërtimit do të përpiqeshin të hynin dhe të pasuroheshin duke rindërtuar një Ukrainë të shkatërruar, për të cilën Xi e ndihmoi Putin-in ta shkatërronte duke mbështetur ekonominë ruse të rrënuar nga sanksionet.
Më shumë se kaq, Xi me siguri e kupton se përkëdhelja e Trump ndaj Putin-it i ofron Xi-t një shans për të prishur aleancën Atlantike dhe për të rrënjosur ndikimin kinez në Evropë.
Zëvendës presidenti J. D. Vance kritikoi aleatët evropianë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut të javës së kaluar për margjinalizimin e partive politike ekstremiste të krahut të djathtë dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi shfrytëzoi rastin për ta paraqitur Xi-në si anti-Trump.
“Kina me siguri do të jetë një faktor sigurie në këtë sistem shumëpolar dhe do të përpiqet të jetë një forcë e qëndrueshme konstruktive në një botë në ndryshim”, u tha ai të pranishmëve.
Liderët evropianë nuk ka të ngjarë të kenë harruar se Xi mundësoi luftën e Putin-it në Ukrainë.
Por nëse Trump nuk garanton sigurinë evropiane, Xi mund të shfrytëzojë mundësinë për të zgjeruar fuqinë kineze duke ofruar të zëvendësojë boshllëkun.
Xi mund të argumentojë se ai është në gjendje të frenojë Putin-in, të mbrojë Ukrainën dhe të ruajë stabilitetin në Evropë.
Ai premtim mund të jetë i zbrazët; Xi mund të mos jetë i gatshëm apo edhe në gjendje të frenojë një Putin të guximshëm.
Megjithatë, të braktisur nga Washington-i, liderët evropianë mund të shikojnë të neveritur si kolektiv se si Xi ruan paqen.
Kina “do të fillonte të zëvendësonte SHBA-të në rolin e mbajtjes së Rusisë jashtë krahut lindor”, postoi Gabrielius Landsbergis, ish-ministri i Jashtëm Lituanez, së fundmi në X.
Anëtarët e Bashkimit Evropian “në Lindje do të vareshin nga mbrojtja e Kinës dhe shantazhi do të përhapej në Perëndim”.
Trump po i jep Xi-t edhe mundësi të tjera.
Duke u tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, SHBA-të po i hapin terren Kinës për ta bërë sistemin e OKB-së një instrument të fuqisë së saj globale.
Shpërbërja e USAid-it e bën Kinën edhe më të domosdoshme për botën në zhvillim.
Plani i çuditshëm i Trump për të dëbuar palestinezët nga Gaza do të jetë një ndihmë për Xi-në në Lindjen e Mesme, një rajon që Kina e konsideron jetik për interesat e saj.
Edhe pezullimi nga SHBA-të i mbështetjes financiare federale për automjetet elektrike e ndihmon Xi-në duke penguar prodhuesit amerikanë të automjeteve në një sektor që Pekin-i kërkon të dominojë.
Kina mund ta shohë pakësimin amerikan si një ftesë për të ndërmarrë veprime më agresive në ndjekje të interesave të saj – në Tajvan, por edhe ndaj aleatëve të tjerë të SHBA-ve në Azi, duke përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut dhe Filipinet.
Trump me sa duket supozon se ai mund ta mbajë Xi-në nën kontroll me tarifat.
Ai vendosi detyrime të reja për importet kineze në fillim të këtij muaji.
Por Xi nuk duket veçanërisht i shqetësuar.
Pekin-i u hakmor, jo vetëm me një gjest sa për të larë gojën.
Tarifat reciproke mbulonin vetëm një të dhjetën e importeve të SHBA-ve.
Pse të nervozohesh për disa dërgesa lodrash pelushi kur mund të pushtosh botën?
Dëmi i pozitës globale amerikane mund të jetë i pariparueshëm.
Shpresa tani është që demokracitë kryesore të Evropës dhe Azisë – Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Mbretëria e Bashkuar – do të ndalojnë vakumin e pushtetit që Trump po krijon dhe do ta mbajnë Kinën jashtë tij.
Udhëheqësit evropianë nuk duhet t’i përmbahen çfarëdo marrëveshjeje që Trump përgatit me Putin-in për Ukrainën.
Ata mund të qëndrojnë të vendosur, të vazhdojnë luftën dhe të presin një administratë të re në Washington për të riafirmuar angazhimet e SHBA-ve për sigurinë.
Por kursi është i rrezikshëm, sepse në të kaluarën aleatët e SHBA-ve nuk mund të supozojnë se Washington-i do të rivendosë ndonjëherë udhëheqjen botërore, ose nëse e bën këtë, se premtimet e presidentëve të ardhshëm do të qëndrojnë.
Kjo pasiguri mund t’i detyrojë demokracitë aleate që të përshtaten me Kinën sa më mirë që të munden.
Administrata Trump mund të jetë duke kërkuar të zgjidhë çështjet me Putin-in në mënyrë që më pas të përqendrojë burimet e kufizuara të SHBA-ve në përballjen me Kinën.
Por ky kurs mund të ketë sukses vetëm për ta bërë Kinën më të vështirë për t’u përballur, sepse Amerika do të detyrohet ta bëjë këtë pa aleatët e saj tradicionalë në krah.
Besimi, pasi humbet, është i vështirë të rivendoset.
Premisa e Trump duket se është se ajo që ndodh në Evropë dhe Azi ka pak pasoja për Shtetet e Bashkuara.
Vance thirri teologjinë katolike (gabimisht, sipas Papa Françeskut) për të justifikuar një hierarki shqetësimi që e vendos përkujdesjen për qytetarët amerikanë përpara pjesës tjetër të botës.
Por çfarë saktësisht është më e mira për amerikanët?
Trump mund të ketë të drejtë që fuqitë e tjera duhet të bëjnë më shumë për t’u kujdesur për punët e tyre.
Por amerikanët e dinë mirë si të gjithë se ajo që ndodh në skajet e largëta të botës – qoftë në Evropë në vitet ’30 dhe ’40 apo në Afganistan në fillim të shekullit të 21-të – mund dhe shpesh ndikon tek ata, madje duke i zvarritur në konflikte që nuk duan t’i luftojnë.
Kjo nuk do të thotë se Washington-i duhet të kontrollojë çdo mosmarrëveshje.
Por duke ia dorëzuar udhëheqjen botërore Kinës autoritare, Trump po krijon një botë që pothuajse me siguri do të jetë armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara, prosperitetit dhe popullit të saj.