Një zbulim dimëror: Arsimtarja veterane Ajten Pllana nga shkolla «Vuk Karaxhiq» e Prishtinës (tani «Elena Gjika») në librin e saj «Tetëdhjetë vjet tregime» përshkruan jo vetëm jetën e saj në Shkup gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe rrugëtimin nëpër epokën e Jugosllavisë, kur familjet komunikonin edhe me tenxhere dhe kur jo pak nxënës shqiptarë në Shkup nuk dinin shqip, ndërsa fëmijët turq u bërtisnin: «Yeni türkçe pazara / Arnautçe mezara» (Turqishtja e re në pazar / Shqipja në varr». Libri është botuar nga KOHA.
Nga Enver Robelli/
Ta njohësh historinë, ta kuptosh të tashmen, ta ndërtosh të ardhmen. Ndoshta me këtë fjali të vetme do të mund të përshkruhej libri me kujtime i arsimtares veterane Ajten Pllana. Por, do të ishte dëm nëse prezantimi i këtij libri do të përmbyllej me një fjali të vetme. Sepse, siç ka nënvizuar Johann Wolfgang von Goethe, «një kronikë e shkruan vetëm ai që e konsideron të tashmen të rëndësishme». Përse është libri i Ajten Pllanës i rëndësishëm për të tashmen? Për shkak se në rrëfimet e saj autobiografike ajo e nxjerr nga arka e kujtimeve një pasqyrë, ku mund të shohim si ka qenë Shkupi në vitet ’40, si kanë jetuar e mbijetuar shqiptarët në Kosovë në kohën e Jugosllavisë socialiste, si janë ruajtur disa raporte ndëretnike përkundër helmit politik, si i ka edukuar breza të tërë një pedagoge, e cila me elegancën e hijeshinë e saj duket se në vitet ’50 ka ikur nga xhirimi i ndonjë filmi me James Deanin.
«Lëre atë këpucë, vrapo!»
Mund të thuhet se në shtëpinë e Ajten Pllanës një gjë nuk ka munguar: politika dhe patriotizmi. Menjëherë pasi Gjermania e Adolf Hitlerit sulmon Jugosllavinë në prill të vitit 1941, babai i Ajten Pllanës mobilizohet. «Shtëpia jone ishte ngjitur me Xhaminë e Sulltan Muratit, te Sahat Kulla (në Shkup, v.j). Na ndante vetëm një mur, në atë breg që mua më dukej shumë i lartë. Babai im i mobilizuar, ndërsa ne katër fëmijët dhe nëna jetonim me gjyshin dhe gjyshen, me shpresën se babai së shpejti do të kthehej. Nga frika se mos po na ndodhte ndonjë e keqe gjatë bombardimit, në shtëpinë tonë erdhi burri i tezës së babait. Mulla Idrizi i Gjilanit, dhe shpejt e shpejt na përmblodhi të shkonim te ai. Vëllanë, Amirin shtatëvjeçar, të sëmurë nga pneumonia, e mori ngrykë dhe u nis. Pas tij gjyshi e gjyshja me vëllanë Gjynselin, ndërsa nëna me beben dymuajshe, motrën time Ismijen – ngrykë dhe me mua, u nisëm pas tyre. Nuk dija çfarë po ndodhte. Nëna shpejtonte, e unë vrapoja pas saj. Ne një çast, këpuca e bukur prej llakut të zi, që në Shkup i thoshin ‘rrogan’, më doli nga këmba. Mundohesha ta mbathja, por nuk arrija kurrsesi. Nëna qe larguar prej meje, kur e dëgjova zërin e saj: – ‘Lëre atë këpucë, vrapo!’».
Gjella dhe mesazhet nga burgu
Vitet e luftës familja e Ajten Pllanës do t’i kalojë në Shkup dhe në Preshevë. Me shumë dashuri për detaje ajo përshkruan shtëpinë e dajës së saj, Ibrahim Kelmendit, njërit prej patriotëve më të mëdhenj të Luginës së Preshevës, i diplomuar në Universitetin e Zagrebit dhe profesor në gjimnazin «Sami Frashëri» në Prishtinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pllana e përshkruan Shkupin me nostalgji, por jo me ton vajtimtar. Ajo tregon se kur ishte regjistruar në shkollë, në klasën e saj vetëm shtatë a tetë vajza dinin shqip. Kur shkonin në shkollë, nxënësit turq me gjithë zërin që kishin u bërtisnin: «Yeni türkçe pazara / Arnautçe mezara» (Turqishtja e re në Pazar / Shqipja në varr». Shqipja në Shkup i shpëtoi varrit falë angazhimit të madh të arsimtarëve shqiptarë, këtyre heronjve të heshtur.
Por, shpata e mprehtë e regjimit të ri komunist qe e pamëshirshme. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore u arrestuan mësuesit e dy vëllezërve të Ajten Pllanës. Azem Morana u dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 1947. Hasan Bilalli u dënua me 20 vjet burg dhe i mbajti dymbëdhjetë. Të dy kishin qenë nxënës të Ibrahim Kelmendit, i cili i shpëtoi dorës së regjimit duke ikur nga Jugosllavia. Të gjithë këta akuzoheshin si anëtarë e prijës të Partisë Nacional-Demokratike Shqiptare (NDSH). Në tetor të vitit 1946 do të arrestohet edhe babai i Ajten Pllanës, Mehmedali Gashi – nën akuzën se i kishte përkrahur veprimtarët e NDSH-së, mes tjerash edhe duke u blerë opinga. Ndërsa Mehmedali Gashi ishte nën hetime, djali i tij çdo ditë ia dërgonte ushqimin në burg. «Nëna kishte blerë ca enë alumini ku në pjesën e jashtme, në murin e enëve, babushi na shkruante mesazhe me shkronja arabe – ‘Mirë jam. Kujdesu për fëmijët. A keni ushqim?’ Këto mesazhe sikur i shkruante me ndonjë gjilpërë ose ndonjë tel, nuk e di. Nëna u përgjigjej pyetjeve të babait tonë, duke i gërvishtur shkronjat me një gjilpërë të trashë, e kështu enët e aluminit u bënë shumë të vlefshme në familje».
Aqif Aga i ngujon gratë
Libri i Ajten Pllanës nuk është i rastësishëm. Që nga fëmijëria ajo është frymëzuar nga familja të jetë nxënëse kureshtare dhe të lexojë. Në mungesë të librave shqip, ajo lexon romane në serbisht («Shpirtrat e vdekur» të Gogolit) dhe maqedonisht, reciton poezi të poetëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kalon kohën e lirë në bibliotekën e lagjes, shkon shpesh në kinema. Pllana përshkruan se si pas vendimit për heqjen e ferexheve të vitit 1950, shumë familje shqiptare u rebeluan. Njëri ndër ta, njëfarë Aqif Aga, i mbylli edhe më shumë gruan dhe vajzën në shtëpi, pastaj u shpërngul në Turqi – si mijëra shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia. Shumica qenë të shtyrë nga regjimi të shpërnguleshin, por kishte edhe familje që s’pajtoheshin me rolin e ri të gruas në shoqërinë jugosllave dhe preferonin lagjet periferike të Stambollit, Bursës apo ndonjë qyteti tjetër turk, ku mund të vazhdonin jetën sipas botëkuptimeve të tyre të trashëguara nga Perandoria Osmane. Sot shumica prej tyre janë pothuaj të asimiluar. Ajten Pllana tregon se e kishte takuar vite më vonë vajzën e Aqif Agës në Stamboll – «e tërë pamja e saj linte përshtypjen e një femre që nuk ka fare kohë për veten».
«Kjo virania qe na ka lënë mbrapa»
Në një skenë impresive Ajten Pllana përshkrua aksionet e organizuara nga komunistët për heqjen e ferexhesë. «Dhe tezja Sabrije filloi të fliste në tribunë. Së pari filloi ta shante ferexhenë që e quajti: – ‘Kjo virania që na ka lënë mbrapa’. Tha se duhej hequr dhe copëtuar atë. Ishte ‘fjalimi’ i një gruaje të paarsimuar, analfabete.
Pasi mbaroi, e hoqi nga koka dhe trupi ferexhenë, e gjuajti në tokë e pastaj e shkeli me të dyja këmbët. Në sallë u dëgjua një shushuritje dhe një – ‘Uuuuuu’.
Përnjëherë në tribunë hipi e motra, tezja Nadire, një rrobaqepëse e përsosur që nënës, Ismijes dhe mua na i qepte fustanet më të bukura. Ajo kishte përgatitur një fjalim edhe më të ‘zjarrtë’. Së pari e grisi peçen që ia mbulonte fytyrën, e pjesët e tjera të ferexhesë i hoqi nga trupi dhe gjithashtu i grisi. I shkeli me shumë inat dhe u ndal». Përpara qëndronin gra të veshura me ferexhe të zeza – «të çuditshme» dhe «të shëmtuara».
«Sot u vra J. F. Kennedy»
Në librin e saj me kujtime Ajten Pllana i bën një portret përditshmërisë socialiste jugosllave në jetën e shqiptarëve. Përkundër se familja e saj ishte e goditur nga regjimi serb, ajo nuk bie pre e gjykimeve paushalle apo racizmit. Përkundrazi: kur ajo më 22 nëntor 1963 shkon të vizitojë vëllain e saj Amir Gashin në burg në Nish, me orë të tëra lufton kundër kokëdhimbjes – dhe është një vajzë serbe, Jelena, e cila e shoqëron në spital dhe nuk e lë të kthehet në Prishtinë me vajzën katërvjeçare, Teutën. Atë natë Ajten Pllana dhe bija e saj do të flinin në shtëpinë e Jelenës. «Shporeti që ndizej në kuzhinë shpërndante një nxehtësi që të bënte të harrosh tërë atë mundim të ditës. (…) Dëgjoheshin lajmet në radio që ishte në dhomën tjetër: ‘Sot në Amerikë, në qytetin Dallas u vra presidenti J. F. Kennedy’».
Një pjesë e librit përbëhet nga portretet që Ajten Pllana ua bën nxënësve të saj të dikurshëm, zhvillimin e të cilëve në të shumtën e rasteve e ka përcjellë me vëmendje. Por, më shumë se këto portrete shquhet një rrëfim mbi udhëtimin e parë të saj në Perëndim, konkretisht në München, ku Ajten Pllana shkoi më 1970 bashkë me bashkëshortin e saj Shefqet Pllana, i cili kishte fituar një bursë të Humboldtit për hulumtime shkencore. Në kryeqytetin e Bavarisë çifti Pllana takohet me poetin e shkencëtarin Martin Camaj, orientalistin Hans-Joachim Kissling, juristin dhe botuesin Rudof Trofenik, i lindur në Maribor dhe orientalistin Hasan Kaleshi.
Libri «Tetëdhjetë vjet tregime» është botuar para dy muajsh me rastin e 80-vjetorit të lindjes së autores. Një promovim është bërë më 22 tetor në «Soma Book Station». Por, jehona e këtij libri në opinion deri më tani, për fat të keq, nuk ka qenë aq sa e meriton. Ky është një libër i shkruar pa pretendime të mëdha, por me vlera të pamohueshme jo vetëm dokumentare për një kohë dramatike të historisë së shqiptarëve të Jugosllavisë.