Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet për disbursimin e kompensimit të miratuar për muajt mars, prill dhe maj, si pasojë e rritjes së çmimit të karburantit.
“Kemi kërkuar përshpejtimin, në mënyrë sa më të shpejtë, të rimbursimit të vlerës prej 50 lekësh për litër për periudhën mars, prill, maj, ku ende operatorët, në këtë moment që ne flasim, nuk janë rimbursuar”, tha kreu i kësaj shoqate, Kostandin Foni.
Kreu i kësaj shoqate, paralajmëron se, në mungesë të kompensimit, operatorët do të detyrohen të reduktojnë flotën e mjeteve të transportit publik.
“Do të ketë një reduktim, në rast se mosreagimi i institucioneve vazhdon. Reagimi do të jetë në mundësitë financiare që operatorët do të kenë për të nxjerrë flotën e tyre”, tha ai.
Përveç pagesës së kompensimit për tre muajt e parë, ata kërkojnë që skema e mbështetjes financiare të vijojë edhe pas muajit maj, për sa kohë çmimet e karburantit mbeten në nivele të larta.
“Jemi drejtuar institucioneve në mënyrë që të ketë vijueshmëri të pjesës së rimbursimit prej 50 lekësh për litër, për një periudhë tremujore tjetër ose derisa çmimi i karburantit të arrijë në nivelet ku ka qenë përpara nisjes së luftës”, tha ai.











