Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e së dielës në Jalë, në Bashkinë e Himarës, ku një 74-vjeçar është gjetur pa shenja jete në dhomën e një hoteli ku po qëndronte.
Sipas informacioneve paraprake, i moshuari është gjetur nga djali i tij, i cili ka konstatuar se babai nuk kishte shenja jete dhe ka njoftuar menjëherë autoritetet.
Dyshohet se 74-vjeçari mund të jetë rrëzuar aksidentalisht brenda dhomës së hotelit, duke goditur kokën. Përplasja e fortë dyshohet se i ka shkaktuar dëmtime të rënda, përfshirë trauma në kokë, të cilat kanë rezultuar fatale.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rastit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Paraprakisht, autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për një aksident, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e saktë të ngjarjes.
Identiteti i viktimës nuk është bërë ende publik.











