Një zjarr në një azil pleqsh në pjesën verilindore të Bosnje-Hercegovinës, në Tuzla, ka shkaktuar vdekjen e 10 personave dhe plagosjen e 20 të tjerëve. Siç raportohet, ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme, 4 nëntor, rreth orës 20:00, në katin e 7-të të ndërtesës.
Mësohet se rreth 20 persona, përfshirë zjarrfikës, policë, punonjës mjekësorë, staf dhe banorë të shtëpisë, u dërguan në qendrën mjekësore për trajtim.
“Sipas informacioneve paraprake, 10 të moshuar në Tuzla humbën jetën”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë, teksa pritet hetim i plotë mbi ngjarjen.
Kryetari i presidencës trepalëshe të Bosnjë-Hercegovinës, Željko Komšić, ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe të plagosurve.
Pamjet nga vendngjarja treguan flakët që dilnin nga dritaret e katit të sipërm të qendrës për kujdesin ndaj të moshuarve. Tre nga personat që ndodhen në spital, raportohen në gjendje të rëndë.











