Një tornado e fuqishme ka goditur të premten qytetin e Marsalës dhe zonat përreth në Siçili të Italisë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke lënë dy persona të plagosur rëndë.Stuhia e pazakontë për këtë ishull të Mesdheut përmbysi makina dhe kamionë, shkatërroi një banesë dhe dëmtoi një shkollë dhe disa ndërtesa të tjera në Marsala, Petrosino dhe Mazara del Vallo.
Kreu i Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Siçilisë, Salvatore Cocina, tha për Reuters se bëhej fjalë për një fenomen jashtëzakonisht të fuqishëm, të ngjashëm me tornadot që godasin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, një ngjarje e tillë nuk ishte parë prej shumë kohësh në këtë zonë.Pamjet e transmetuara nga mediat lokale tregojnë dritaret e thyera të një shkolle në Marsala dhe një pjesë të tavanit të shembur. Në rrugë, disa automjete janë gjetur të përmbysura, ndërsa shtyllat elektrike janë rrëzuar nga forca e erës.Dy persona, një çift që po udhëtonte me makinë në momentin kur tornado goditi zonën, u dërguan në spital në gjendje të rëndë.
Në fillim të shtatorit, Agjencia e Mbrojtjes Civile kishte paralajmëruar se temperaturat e larta gjatë verës kishin krijuar kushte që mund të favorizonin fenomene ekstreme të motit gjatë vjeshtës.Cocina theksoi se kjo ngjarje rikthen vëmendjen te shtimi i fenomeneve ekstreme të motit, të cilat, sipas tij, janë një nga pasojat e krizës klimatike.Ndërkohë, presidenti i rajonit të Siçilisë, Renato Schifani, premtoi vënien në dispozicion të fondeve të posaçme për përballimin e situatës dhe riparimin e dëmeve. Autoritetet kanë mbajtur në fuqi paralajmërimin për mundësinë e fenomeneve të tjera ekstreme edhe gjatë së shtunës, ndërsa reshjet dhe stuhitë vijojnë të prekin ishullin.

