Replikat mes deputetes së PD Jozefina Topalli dhe kreut të Kuvendit Ilir Meta kanë vijuar edhe në seancën e sotme. Sërish deputetja demokrate e Shkodrës ka akuzuar maxhorancën se po falsifikojnë identitetin e shqiptarëve me qëllim vjedhjen e votave në zgjedhjet e 21 qershorit.
Duke iu drejtuar LSI dhe kreut të saj Meta, Topalli tha se mafia është ulur në krye të kuvendit dhe qeverisë.
“Fotot që do të tregoj, tregojnë se ajo është fytyra e mafies në pushtet. Blerje votash e pacipë. E ka emrin mafie, si mafia e ilaçeve dhe sot është ulur në krye të kuvendit dhe qeverisë. Të pacipët falsifikojnë identitetin e shqiptarëve. Kështu ka ndodhur edhe në qershor të 2013-ës, por nuk duhet të ndodhë në qershor të 2015ës. Prokuroria duhet të zbardhë menjëherë këtë akt kriminal të falsifikimit të kartave të identiteti për blerje të votave për të qëndruar në pushtet. Jemi në një moment krucial për vendin tonë. Ky vend rrezikon trazira”- tha Topalli.
Por nga ana tjetër kreu i Kuvendit theksoi se sot ka patur një takim me shefen e misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR, Glover, ku i ka treguar për këtë rast. Në lidhje me akuzat për bashkëpunim me mafian, Meta u përgjigj se PD ka muaj që është ulur në gjunjë para mafias.
“Meqenëse më përmendi prapë emrin, nuk mund të rri dot pa i dhënë një përgjigje sepse keni bërë një akuzë të rëndë lidhur me vjedhjen e votave në Shkodër. Dhe mund t’ju them se kam patur një takim me shefen e misionit të OSBE-ODIHR-it, znj. Glover, dhe i kam dorëzuar një kopje të gazetës “Rilindja Demokratike”, e cila kishte nxjerrë atë foto që nxorët ju pak më parë këtu, që gjoja dikush po merr apo po jep lekë në zyrat e LSI-së në këmbim të votave. I kam dhënë edhe padinë gjyqësore, që ka bërë Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, z. Luan Rama, bazuar në atë që është publikuar në gazetën tuaj zyrtare “Rilindja Demokratike”, meqenëse ju nuk i çoni çështjet para drejtësisë, por vetëm jeni mësuar që të shpifni në mënyrë të pacipë, në mënyrë që personi përkatës, dhe ju mund të ndihmoni meqenëse e paskeni identifikuar që është në Shkodër, personi të verifikohet. Në rast se është duke bërë një gjë të tillë të shkojë në burg dhe askush nuk do të ketë keqardhjen më të vogël për të dhe për cilindo tjetër. Në rast se kemi të bëjmë me një shpifje, pastaj, ata që publikojnë këto shpifje të marrin përgjegjësitë para drejtësisë. Përsa i takon mafies që përmendni, ju keni muaj që jeni ulur në gjunjë para mafies.”,-tha Meta.








