Tom Doshi: Meta “godfather”, Llalla i raporton çdo fundjavë
Pas letrës që kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, i dërgoi krerëve të institucioneve shqiptare me pretendimin se Tom Doshi dhe ishministri i Energjitikës, Dritan Prifti, janë për përfshirë një një skenar për destabilizimin e vendit, deputeti i Shkodrës ka shkuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për të dhënë dëshminë e tij. Doshi shkoi në Drejtorinë e Policisë së Tiranës pas gruas së Kastriot Ismailaj.
Për më shumë se 1 orë brenda ambienteve të Drejtorisë së Policisë, deputeti Tom Doshi në një deklaratë për mediat tregoi për atë që kishte raportuar.
“Më pyetën nëse e kam takuar Vojsava Ismailajn. Thash që po dhe se kam pirë kafe me të. Unë jam i lirë të takoj kë të dua. Vojsavën e kam takuar dhe do ta takoj sërish”, deklaroi Doshi.
Deputeti i Shkodrës nuk kurseu as akuzat për Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, ndërsa për kreun e LSI-së kishte një mesazh, ndërsa i vuri dhe një epitet “godfather”.
“Vlerësoj Prokurorin e Përgjithshëm që nisi menjëherë hetimet, ndërkohë që kur kërkova unë jo. Megjithëse “godfather” deklaroi dje se ka prejardhje malësore, unë i them që të lejojë hetimet, të mos bëj shumë trimin. Kryeprokurorit i them që të mos shkojë të raportojë tek ‘godfather’-i çdo fundjavë. Ilir Meta po luan rolin e padrinos. Të shkojë kryeprokurori e të raportojë çdo javë tek Meta..”, tha Doshi.









