Dhjetë mijë euro dyshohet se i ka përfituar togeri i Policisë së Kosovës për rajonin e Vitisë, Bulent Zenuni, gjatë një procesi të shitblerjes së një prone, e cila është në pronësi të një serbi me emrin, Ljubisa Aleksandar Kovacevic.
Në kallëzimin penal, të cilin e posedon “Koha Ditore”, Zenuni, i cili aktualisht është i suspenduar nga pozita e togerit, ka falsifikuar dokumente duke ofruar autorizim të rremë për shitjen e kësaj prone te një shqiptar me emrin, Zekir Hajdari në vitin 2013.
Mirëpo, deri më tani togeri nuk ka arritur të bartë këtë pronë në pronësi të Hajdarit dhe as t`ia kthejë paratë që ia kishte marrë. Si pasojë, togeri po dyshohet për kryerjen e dy veprave penale: keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe falsifikim i dokumenteve. (b.an)