Tirana do të jetë edhe këtë vit kryeqendra e shqiptarëve për festat e nëntorit. Sipas operatorëve turistikë, kryeqyteti ka numrin më të lartë të rezervimeve.
Shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë së Veriut, si çdo vit, zgjedhin Tiranën për Festën e Flamurit.
“Festat kombëtare janë epiqendra e të gjithë shqiptarëve, kudo që janë, e ka prurje më shumë nga Kosova, Italia. Për Tiranën ka gjithnjë risi, ka aktivitete. Kemi mangësi nëpër rrethe. Do të doja më shumë përgatitje për rrethet.”
Pas Tiranës, kërkesat më të larta për rezervim janë në Korçë, Vlorë, Durrës e Shkodër. Ndërsa gjithnjë e më shumë brenda vendit po preferohen edhe turet ditore.
“Në Theth, Vermosh, Valbonë, në Korçë, Voskopojë, Përmet, Gjirokastër. Këto janë paketa me ture me autobusë.”
Teksa shqiptarët e Kosovës zgjedhin çdo vit Shqipërinë, sipas operatorëve turistikë një risi këtë vit janë edhe kërkesat për të festuar 113-vjetorin e Pavarësisë në qytetet e Kosovës.
“Këtë vit ka mundësi që për festat e nëntorit të shkohet edhe në Prishtinë, Prizren, Brezovicë, Pejë. Më shumë oferta për të vizituar trojet etnike shqiptare.”
Megjithatë, një numër i lartë qytetarësh shqiptarë festat e nëntorit do t’i kalojnë jashtë vendit, për shkak se 28 dhe 29 nëntori përkojnë me fundjavën, dhe kanë zgjedhur të shfrytëzojnë disa ditë pushimi zyrtar në destinacionet më të njohura europiane si Parisi, Barcelona dhe Praga.











