Konstantinos Filis, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Panteion, shkruan se sa u përket çështjeve dypalëshe, Athina dhe TIrana duhet që të korrigjojnë gabimet e së kaluarës. Filis thotë në një shkrim të gjatë se klima e mosbesimit mbizotëron mes Shqipërisë dhe Greqisë, dhe se kjo klimë ushqehet nga qarqe të caktuara.
Por gazetari Sokol Balla ka replikuar me profesorin grek përmes një editoriali. Balla shprehet se “miku grek është keqkuptuar”.
Ai shton se Athina është kthyer në një pikë reference për interesat ballkanike, pavarësisht se në Shkup, kanë ende një tjetër përshtypje për ato që ju, nuk I quani kushte. Gazetari përmend edhe problematikën e toponimeve që të lindurit në Çamëri hasin kur duan të kalojnë në vendin fqinj.
JavaNews sjell më poshtë të dy shkrimet:
***
Nga Sokol Balla
Përgjigje mikut tim të panjohur grek
I dashur profesor,
Për një varg rastësish dhe për të shmangur keqkuptime, lexova paraprakisht dhe po ashtu paraprakisht rashë dakort me Drejtorin e gazetës më të madhe dhe më të rëndëishme shqiptare Panorama, që t’i përgjigjem paralelisht shkrimit tuaj, të botuar sot në këtë gazetë.
Emri im është Sokol Balla. Por sa herë kaloj kufirin me Greqinë (një vend që e vizitoj shpesh jo thjesht sepse jemi afër gjeografikisht), policët tuaj në pikën kufitare, më pyesin për emrin e babait. Arsyeja është sepse një tjetër shqiptar, me emër si timin dhe mbiemër të ngjashëm (Bala) dhe me një ditëlindje të ngjashme me timen (unë, 7.5.1973 dhe tjetri 8.5.1974), me sa duket do ketë ndonjë problem të vogël me ligjet e vendit tuaj. Një herë, në aeroportin Venizelos, vetëm kur me shaka I tregova një foto timen me Ministrin e Jashtëm të kohës në Greqi, professor Kotzias, policët të hutuar, më lanë të qetë duke më kërkuar ndjesë. Në fakt ata po bënin detyrën e tyre dhe po: ka shqiptarë që kanë probleme me ligjet në vendin tuaj. Por ka shumë policë dhe doganierë grekë që kur kaloj rrugët kufitare tokësore, për shkak të punës sime, më njohin dhe më respektojnë. Por nuk ka qënë, e për fat të keq Akoma nuk është kështu për shumë shqiptarë atje që kanë një jetë të tyren. Ju me të drejtë shkruani se shqiptarët e brezit të dytë e të tretë sot janë të integruar në Greqi. Shumë prej tyre shkëlqejnë në shkolla si më të mirët, u jepet flamuri grek ta mbajnë ditën e parë të shkollës në Greqi, e prapë prindërve të tyre sot, u mohohet Akoma pasaporta greke dhe e drejta e votës. Sepse janë shqiptarë. Shumë prej tyre kanë emra të krishterë. I kanë ndërruar. Me të drejtë ju mund të thoni se e kanë bërë në vullnet të lirë. Por unë them e kanë bërë edhe për të marrë dokumentat e qëndrimit, që nuk I marrin dot, pa bekimin e Kishës. Ju me të drejtë mund të thoni se Kisha është ende pjesë e shtetit tuaj. Tek ne jo. Në këtë pikë kemi zgjedhur një model ndryshe nga tuajin dhe ne besojmë se ky I joni është një model europian. Por ne e dimë se Greqia nuk është më një pengesë për ne, në integrimin europian, megjithëse nuk ka qënë gjithmonë kështu. Ju përmendni jo pa arsye Turqinë, e cila ndryshe nga Greqia thoni ju, kërkon të ringjallë frymën e një perandorie të re jo thjesht shpirtërore në vendet myslimane të Ballkanit, ku ju, na radhisni edhe ne.
Shqipëria në fakt ka qënë një vend klinikisht ateist për gjysëm shekulli dhe ne nuk jemi shumë krenarë për këtë pjesë të errët të historisë. Ne ndjehemi në faj se regjimi komunist I asaj kohe, vrau shumë priftërinj katolikë, disa klerikë myslimanë dhe ndonjë prift ortodoks, sepse ata bashkë me fenë, ruajtën dhe frymën e rezistencës ndaj diktaturës. Por ne sot nuk jemi vend mysliman. Shqipëria është një vend laik, ku feja bën punën e vet, pa ju ngatërruar shtetit, ndërsa shqiptarët kanë fe të ndryshme dhe ku numrat nuk kanë shumë rëndësi. E vërtetë, shumë e vërtetë që Turqia e ka merak të financojë në këtë vend më shumë për ndërtimin e xhamive dhe bën shumë mirë. Xhamitë janë shtëpitë e zotit, sic janë kishat, dhe tani dhe ju keni xhami tuajën në mes të Athinës, bile Athinës së vjetër, në këmbët e Partenonit. Por turqit sot kanë gati 2 miliard dollarë investime në Serbi. Dhe Serbia siç e dini nuk është një vend mysliman, bile as laik.
Ne po rindërtojmë raportin tonë me Zotin, sipas mënyrës sonë. Unë jam nga origjina mysliman, por djali im ka emër kelt katolik dhe vajza ime një emër të lashtë me origjinë nga Betlehemi, dhe askush nuk di ta ndajë nëse është Kristian apo hebre. Por dy fëmijët e mi kanë lindur në Greqi dhe në pasaportën e tyre shqiptare shënohet vendlindja Athinë. Për policët shqiptarë kjo nuk përbën problem. As për policët grekë. Por nuk di nëse do ishte kështu nëse do kishin lindur në Parga apo Paramithi. Di që për një grua 90 vjeçare ky ishte një problem ca vite më parë. E pranoj në parim atë që shkruani, se këto ndjenja ndonjëherë “shkëmbehen në aksione politike”, por duhet të jemi më të sinqertë kur të kërkojmë t’i përgjigjemi pyetjes se I kujt është faji për këtë. Unë si gazetar kam një raport patologjik me të vërtetën dhe besoj më shumë te kauzaliteti, sesa tek kazualiteti. Unë ju lexova me entuziasëm se ju mendoni siç mendoj unë, se kemi shumë keqkuptime të kota mes nesh dhe se ju, ashtu si unë, besoni se grekë e shqiptarë janë popuj vëllezër e miq. Me të drejtë thoni se në këtë mes për ju ka rëndësi sesi Shqipëria sillet me Minoritetin (Etnik thoni ju) Grek. Por tezja ime (ndjesë pastë) u martua 35 vjet me parë me një shqiptar, babai I të cilit ka lindur në Paramithi. Ata janë shqiptarë sigurisht, por e quajnë veten çamë, ashtu si unë e quaj veten “tiranas”, nga rajoni të cilit unë I përkas. Ju shkruani në letrën tuaj se nuk ekziston Çështja Çame. Ndërsa unë kam veten një pyetje për Ju: Si nuk mund të ekzistojë çështja çame, ndërkohë që çamët ekzistojnë? Kushërinjtë e mi të parë janë çamë. Dhe ata janë 33 dhe 23 vjeç. Camëria ekziston tek ta. Pra siç thoshte një filozof I madh: Unë jam, pra Ekzistoj. Burri I tezes sime, thotë se kanë shumë prona në Paramithi, porse nuk i marrin dot ato. Shteti juaj ua ndalon. Po ju ndërkohë thoni se ai mund t’i drejtohet Gjykatës. E dyshoj këtë, ndërkohë që ju keni një definicion kolektiv për çamët si bashkëpunëtorë të nazismit dhe ju e dini më mirë se unë, se ligjet e shtetit tuaj, ua mohojnë të drejtën e pronës, kolaboracionistëve. Sesi mund të quhet një komunitet I tërë I tillë, ju duhet ta dini më mirë, sepse jeni një profesor I njohur në vendin tuaj, por njohuritë e mia legale, më mjaftojnë të them me siguri, se ligji njeh përgjegjësi individuale, dhe jo kolektive. Ah dhe mos të harrojmë: ende formalisht në fuqi, ne jemi në gjendje lufte. është një paradoks thoni ju në letrën tuaj, sepse ne jemi dy vende anëtare në Nato dhe Ligji I Luftës është I kapërcyer. Por edhe ju me Turqinë, jeni gjithashtu në një paradoks, jeni të dy vende të Natos, dhe me tytat e armëve kthyer nga njëri-tjetri. Me ne nuk e keni këtë rrezik, por përderisa thoni që Ligji I Luftës është “obsolete”, mendoj që duhet ta hiqni vetë dhe s’ka nevojë ta përfshijmë në negociata mes nesh. Pasi siç thoni vetë në letrën Tuaj, Greqia kurrë nuk e ka përdorur pozitën e saj superiore (në BE apo Nato), për të kushtëzuar Shqipërinë. Dhe shqiptarët nuk vënë kushte, nuk kërkojnë privilegje. Thjesht kërkojnë barazi. Meqë ju thoni që ligji grek ua garanton këtë shqiptarëve, atëherë le të bëjmë një kompromis; quajini shqiptarë dhe hiqni Ligjin e Luftës. Pasi disa këtu tek ne thonë se ju e mbani, pikërisht se këtyre shqiptarëve që për ne janë dhe çamë, doni të mos u ktheni pronat. E shihni? Ja prova përse unë besoj tek kauzaliteti dhe jo tek rastësia dhe sesi ju keni në dorë, të më provoni gabim. Por nuk ndruaj se nuk është kështu dhe jam dakort me ju, kur thoni se keto keqkuptime duhet t’I kapërcejmë sa më shpejt.
Këtë kërkoni dhe ju nga ne, kur vjen puna tek minoriteti dhe kushtet që jo rrallë na I kujtoni, edhe kur nuk I quani të tilla. Sepse ju thoni se Greqia nuk I ka vënë kurrë kushte vendeve të Ballkanit, nisur nga pozita e saj superiore. Dhe une mendoj se me kalimin e dekadave, Athina është kthyer në një pikë reference për interesat ballkanike, pavarësisht se në Shkup, kanë ende një tjetër përshtypje për ato që ju, nuk I quani kushte.
Kusht apo jo nuk e di, por në mes të një krize tonën të brendshme politike vjet, Ndërsa BE na vendoste disa kushte, kryeministri juaj I nderuar përmendi këtë fjalë, kur kërkoi vëmendje për Minoritetin (Etnik thoni ju) Grek në Shqipëri. Dhe mendoj se ne duhet patjetër të respektojmë minoritetet, por Minoriteti (Etnik thoni ju) Grek në Shqipëri, nuk është thjesht minoritet. Ai është pjesë e jona. I kemi në Qeveri, në Parlament, në administratë, në media, në familje e shoqëri. Përfaqësimi I tyre politik është një shqetësim yni kombetar, aq sa, veç tre partive te posaçme politike, minoritarët I gjen deputetë edhe në partitë “shqiptare” dhe më besoni, nuk ndihen hiç keq aty. Në Greqi ndërkohë, jetojnë 1 milion shqiptarë. Një grua shqiptare, tentoi të zgjidhej në parlamentin tuaj, por nuk mundi. Sot e kësaj I ndodhi sepse zgjodhi partinë e gabuar, apo se ishte me origjinë shqiptare, këtë nuk e di Akoma me siguri. Di me siguri, se nëse gati 1 milion shqiptarë që jetojnë në mënyrë të rregullt në Greqi, do kishin të drejtë vote, me siguri do kishin dhe ata, së paku në pushtet local, përfaqësuesit e tyre. Ashtu si për shembull I kanë në Itali. Ku janë zgjedhur për shkak të numrave. Apo në Belgjikë e Suedi, ku janë votuar për shkak të cilësive, dhe barazisë së mundësisë. A thua ka ndodhur kështu edhe në Greqi? Ndoshta, por derisa s’kam dëgjuar, me siguri që nuk është një fenomen. Ndërsa tek ne ne 2015, kur u bë Reforma Administrative, disa njësi locale u përcaktuan me “zorr”, vetëm që të respektohej përfaqësim adekuat minoritar në pushtet local. Në ekranet tona, vjen falas, sinjali I dy – tre televizioneve greke. A keni menduar ndonjëherë përse nuk ka një television shqiptar, në platformat tuaja në Greqi?
Sigurisht që ka probleme. Kohë më parë një I ri minoritar, u vra në përpjekje me policinë shqiptare në një fshat në Dropull. Por ju siguroj si gazetar nga pamjet që patëm siguruar atëherë, I ndjeri djalë, e kërkoi këtë përplasje, e cila u bë fatale, jo për fjalët që ai tha, por për armët që ai përdori. Ai përdori të njëjtat fjalë, për të cilat ju në fakt, idhujt e tij politikë I burgosët 13 vjet në burg, dhjetë ditë më parë në Athinë. Dhe unë mendoj se në parim, çka është e keqe për ju politikisht në Athinë, s’mund të jetë e mirë për ne në Dropull. Dhe Dropulli është një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, ku flitet kryesisht greqisht, por votohet shqip. Shqip, e them në sensin e shtetit dhe jo të kombësisë. Ndryshe nga ju, ne I kemi këto dy gjera të ndara dhe nuk kemi asnjë kompleks për këtë. Ndaj një “Jorgo” në Dropull s’do kthehet kurrë në “Isuf”. Dhe as nuk do ketë kurrë nevojë.
Këtë përgjigje të pakërkuar por të domosdoshme, jam kujdesur që ta shkruaj për një lexues grek. Dhe kështu do të vazhdoj dhe kur t’ju kthej një përgjigje të pakërkuar, për çështjen e pazgjidhur të kufirit detar mes nesh. E di që ju e mbyllët çështjen me shumë vonesë me Italinë, se jeni në përplasje të fortë me Turqinë dhe se e keni ende të pazgjidhur me Shqipërinë. Shumë probleme të pazgjidhura keni dhe vërtet ka ardhur koha t’I lini pas. Me shumë të drejtë konstatoni se Marrëveshja e vitit 2009, u kundërshtua nga ata që janë në Qeveri sot dhe se një negociatë gati e suksesshme mes qeverisë tonë sot dhe Athinës, kundërshtohet nga ata që e firmosën vetë, në vitin 2009. Por besoj si studiues, duhet t’ju kenë bindur këto fakte, se asgjë s’ka prapavijë nacionaliste, por thjesht politike. Edhe Sali Berisha, I cili në 1995 arrestonte minoritarë dhe I trajtonte si të burgosur kriminelë dhe politikë, bën pak shaka kur akuzon se pas rrëzimit të Marrëveshjes së Detit në Gjykatën tonë Kushtetuese në vitin 2010, ishte dora e Erdogan. Në fakt Gjykata Kushtetuese e vitit 2010, ishte totalisht në kontroll dhe në ndikim të Sali Berishës, në atë kohë kryeministër fuqiplotë. Arsyet përse ata Gjykatës vendosën të ngrihen formalisht kundër shefit të tyre politik, I dinë vetë ata. Ndoshta I di dhe zoti Berisha. I cili lojën me dy porta e ka një hobby personal. Ndërsa ndërgjegjes së atyre gjykatësve unë nuk I besoj dot I dashur miku im grek. As kur disa, I vlerësojnë si patriotë. Ata që morën atë vendim një dekadë më parë, sot janë të gjithë të shkarkuar, si të padenjë për togën e gjykatësit.
Sepse Shqipëria po ndryshon I dashur mik. Duke u bërë më dinjitoze dhe duke shtuar respektin për veten. Dhe kjo s’do të thotë se po bëhemi nacionalistë. Jo. Thjesht ndihemi më të barabarte apo më të ngjashëm me europianët, përfshirë edhe grekët, si pjesë e tyre e mirë. Nacionalistit edhe ne, I kemi gjetur një shprehje që e përdorni edhe ju. E quajmë “maskara” dhe të tillë ka Akoma nën strehën e tij, po nuk I ndjekin shumë njerëz. Sepse nuk kemi nevojë. Sepse dhe ju keni ndryshuar përballë nesh. Nuk di ta ndaj nëse është meritë e juaja më shumë apo e jona, por e dini që kjo s’ka shumë rëndësi?
Nuk di sa e ndiqni sportin, po ishte aq bukur kur pashë pak ditë më parë Kosovën (të cilën shpresoj Greqia ta njohë sa më shpejt), të luante në Stadiumin Olimpik në Maroussi, vetëm 500 metra larg Egyia-s, maternitetit ku lindën fëmijët e mi. 10-15 vjet më parë, Greqia zgjidhte të ndeshej me Shqipërinë në arena gladiatorësh dhe vende të izoluara si Kreta, ndërkohë që në Athinë, nëse shënonte gol Shqipëria, vritej me siguri së paku një shqiptar. Sot jo. Ja pra, që keni ndryshuar edhe ju.
Jam shumë i lumtur kur sugjeroni se nëse nuk arrijmë një marrëveshje (por unë besoj se do ta arrijmë), me qetësi t’i drejtohemi se bashku Gjykatës Ndërkombëtare, ku ta zgjidhim çështjen e Detit të përbashkët, si njerëz. Sa bukur: si njerëz! Sepse jemi njëlloj profesor. Ne kemi shumë ç‘të mësojmë nga ju, siç mësoi gjithë bota, demokracinë, politikën, ligjërimin, filozofinë, artin dhe teatrin nga paaradhësit tuaj të lashtë. Një miku im, më ka treguar se ndërsa dëgjonte një dramë në Athinë, në greqishten e vjetër, ajo tingellonte shumë me shqipen tonë të bukur, të fortë dhe të ashpër. Sa herë shkoj me makinë në Athinë, dhe futem në Kakia Skala apo kaloj nga Kineta, sa herë shkel në Plaka, marr frymë thellë dhe buzëqesh me fjalët tona tona shqipe që ju I përdorni pa kompleks (besoj), dhe më shtohet shpresa dhe besimi, se nuk do na duhet të presim të vdesin disa breza mërish, dhe plagësh, për të zgjidhur si njerëz mosmarrëveshjet që na kanë mbetur dhe të vazhdojmë të bashkëjetojmë, jo si dënim I natyrës që na vuri fqinj të përjetshëm, por si pjesëtarë të përbashkët, të vullnetshëm dhe të dëshirueshëm të së njëjtës familje. Asaj EUROPIANE. Dhe në fund më lejoni të jem pak xheloz për ju: shumë do kisha dashur që ky shkrim imi, të botohej ne Kathimerini, siç botohet sot shkrimi juaj në gazetën më të rëndësishme shqiptare sot. Por për këtë, mesa duket, do na duhet të presim edhe pak. Koha nuk rrjedh njëlloj për të gjithë. Yassas!
****
Nga Kostantinos Filis:
Pandemia e SARS-CoV2 funksionon si një katalizator zhvillimesh. Në fushën ndërkombëtare, dinamika drejt një sistemi ndërkombëtar më anarkik dhe me më shumë pole, ekzistonte që më përpara, por sot kjo dinamikë përshpejtohet. Ndarjet midis faktorëve të fuqishëm, duke marrë si shkas bile edhe përgjegjësinë për përhapjen e Covid-19 por edhe për të qënë flamurtarë në zhvillimin e vaksinës, janë të thella dhe përqëndrohen në interesat e tyre të papërputhshme në fusha të ndryshme (gjeopolike, ekonomi-tregëti, teknologji të reja etj). Pra, në vend të bashkëpunimit dhe të nismave të përbashkëta për përballimin të paktën të pandemisë, po shohim akuza dhe demonizim të ndërsjelltë në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur dhe më të ndërvarur. Gjithashtu sot po konstatohet një kthesë drejt proteksionizmit dhe nacionalizmit por edhe bunkerizim në kufijtë dhe interesat nacionalë, si një zgjidhje gjoja kundrejt sfidave të globalizmit.
BE nga ana e saj, pas dy krizave të mëdha të dhjetëvjeçarit të fundit, krizës ekonomike dhe asaj të refugjatëve dhe të emigrantëve, të cilat nuk i menaxhoi në mënyrë veçanërisht efikase, ftohet tani që të përballet me një sërë sfidash si në rafshin e brëndshëm, me tendencën që po shfaqin shtete anëtare drejt autoritarizmit dhe distancimin e tyre nga vlerat europiane, ashtu dhe në rafshin e jashtëm, me dy fqinjë të fuqishëm siç janë Rusia dhe Turqia, por edhe me rreziqet që rrjedhin prej kundërvënies midis Kinës dhe ShBA. Për sa i përket zgjerimit, është e qartë se ka lodhje dhe shqetësim, por edhe konstatim të faktit se është e nevojshme që integrimi i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut të përfundojë në një mënyrë sa më të drejtë, duke iu shmangur gabimeve të së kaluarës. Për sa u përket çështjeve thjesht dypalëshe, Athina dhe Tirana ftohen që të korrigjojnë gabime të së kaluarës dhe të konsolidojnë kanalet e komunikimit në drejtim të çlirimit të tyre prej zërave ekstremistë brënda dhe jashtë dy vendeve, të cilat nuk e dëshërojnë zhvillimin e marrëdhënieve strategjike.
Sot, çështja numur një midis Shqipërisë dhe Greqisë është klima e mosbesimit të cilën e ushqejnë qarqe të caktuara. Për fat të keq, në Shqipëri është konsoliduar një klimë antigreke, e cila sigurisht që nuk përfaqëson shoqërinë shqiptare në tërësinë e vet, por ndërkohë, me këtë klimë përplasen çdo lloj përpjekjesh që bëhen për zgjidhjen e mospajtimeve tona. Ne konstatojmë se kundërshtimi ndaj Greqisë ‘’është një mall që shitet’’ dhe kthehet në produkt shfrytëzimi prej forcave politike, në varësi të asaj nëse gjënden në pushtet apo në opozitë. Domethënës është fakti se për çështjen e delimitimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike, qeveria e sotme e Shqipërisë, duke akuzuar opozitën e tanishme, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese dhe ia arriti të rrëzonte Marrëveshjen përkatëse, ndërsa sot rolet kanë ndryshuar, me opozitën që po akuzon qeverinë për tolerancë dhe lëshime kundrejt Greqisë, pasi Kryeministri i Greqisë shpalli paraprakisht qëllimin e Athinës që të zgjerojë ujërat e saj territoriale në Jon në 12 milje detare. Në këtë pikë do të duhet të nënvizojmë sa më poshtë:
Së pari, zgjerimi i ujërave territoriale përbën një të drejtë të njëanshme shtetërore që bazohet në Konventën mbi të Drejtën e Detit të vitit 1982 (Montego –Bay). Megjithatë, në shënjë respekti kundrejt fqinjëve të saj, pala greke informoi paraprakisht si Shqipërinë ashtu edhe Italinë për qëllimin e saj që të ndërmarë nismën në fjalë.
Së dyti, Greqia po ndjek rrugën e drejtë me qëllim që të arrijë marrëveshje delimitimi me shtete fqinje, rrugë që nuk është tjetër veçse ajo e negocimit, në mirëbesim dhe predispozicion për gjetjen e një formule reciprokisht të pranueshme. Greqia nuk tenton që të imponojë dëshirat e saj, dhe as që nënshkruan marrëveshje në kundërshtim me rregullat. Një provë e fortë për këtë është Marrëveshja e Prespës me Maqedoninë e Veriut, e cila zgjidhi mosmarrëveshje që ekzistonin prej vitesh, janë Marrëveshjet e delimitimit të ZEE me Italinë dhe Egjiptin, është gjithashtu respektimi i plotë i procedurave të brëndshme të Shqipërisë, të cilat, në fund të fundit, shfuqizuan një Marrëveshje që ishte nënshkruar në vitin 2009.
Bile Athina e ka bërë të qartë që nëse konstatohet se negociatat me Tiranën nuk mund të japin fryte, atëherë zgjedhja e arësyeshme do të ishte që të dy vendet së bashku, t’i drejtoheshin Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Këtu duhet nënvizuar fakti se Greqia nuk e shfrytëzoi fare “kartën europiane” për të ushtruar presion mbi Shqipërinë në mënyrë që eventualisht Shqipëria të bënte lëshime të padëshirueshme në lidhje me çështjen e zonave detare. Është e tepërt të përmënd këtu faktin se vende fqinje, që dukshëm zbatojnë politika agresive rishikuese, po të ishin në vend të Greqisë, do të kishin ushtruar shantazh mbi palën shqiptare për të siguruar lëshime nga ana e saj.
Sa për integrimin e Shqipërisë në BE, kjo përbën një dëshirë të palës greke që duhet konsideruar e mirëqënë, e cila bile, duke pasur eksperiencë tashmë mbi çështjet institucionale dhe mënyrës së funksionimit të BE-së, ka shfaqur dëshirën që t’i ndihmojë autoritetet shqiptare në mënyrë që përshtatja me standartet europiane të bëhet në mënyrë normale dhe efikase. Meqënëse anëtarësimi në BE ka si parakusht plotësimin e 35 kapitujve, është e sigurtë se Shqipëria, ashtu sikundër dhe Maqedonia e Veriut do të kenë nevojë, në çdo hap përpara që do t’i sjellë më afër BE-së, për mbështetjen dhe ndihmën e Greqisë, e cila gjëndet në bërthamën e ngushtë të BE dhe është anëtare e saj që në vitin 1980
Veç kësaj, një çështje me rëndësi kritike për Athinën, është trajtimi i Minoritetit Grek që jeton në Shqipëri. Prej qeverive shqiptare janë bërë gabime serioze, të cilat disa herë të bëjnë të mendosh mbi ekzistencën e një plani strategjik manipulimi të tij, gabime të cilat duhet të korrigjohen menjëherë. Kjo çështje është një pengesë e madhe në marrëdhëniet dypalëshe dhe sigurisht që pala greke nuk do të tolerojë. Pala greke nuk ka asnjë plan apo objektiv të fshehtë, ajo nuk ka nxitur asnjëherë tensione, të vetmen gjë që dëshëron është respektimi i plotë i të drejtave të Minoritetit Etnik Grek. Më lejoni që edhe në këtë pikë, të bëj një krahasim me një shtet tjetër të rajonit tonë, me Turqinë, e cila në mënyrë sistematike po tenton, duke shfrytëzuar ndjenjat fetare në rajone të Ballkanit si Shqipëria, Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Greqia, të manipulojë popullsitë lokale.
Veç të tjerash, ka vënë në dispozicion burime të pashtershme financiare për ndërtim xhamish, për krijimin e shkollave dhe qëndrave kulturore myslimane, me objektiv të dukshëm krijimin e pikave mbështetëse sociale, me qëllim ringjalljen në një variant modern, të Perandorisë Otomane , ose ndryshe, të një Komunuellthi Otoman. Për më tepër, nuk duhet të harrojmë referimet gjithnjë e më të shpeshta të presidentit Erdogan për Perandorinë Otomane por edhe presionet që janë ushtruar mbi lidershipin e vendeve të Ballkanit për të përmirësuar akoma më shumë, edhe nëpërmjet librave shkollorë, imazhin e sundimtarëve otomanë. Njëkohësisht, duke zhvilluar një luftë propagandistike të cilën e ka filluar vite më parë, Ankaraja po përpiqet që të ushqejë antihelenizmin dhe të lëshojë, përmes mediave sociale dhe disa mediave të tjera, mesazhe gjoja mbështetëse kundrejt një armiku që nuk ekziston. Për fat të keq, fqinji ynë lindor kultivon dhe përjetëson një klimë mosbesimi në disa qarqe në Shqipëri në dëm të Greqisë, me qëllim që Greqia të ketë një front të hapur në kufijtë e saj veriorë. Kësaj logjike i ka ikur koha, sepse jetojmë në një botë ndryshimesh të vazhdueshme dhe sfidash të përbashkëta, të cilat kërkojnë bashkëpunim më të madh, veçanërisht në nivel lokal/rajonal, në vend të antagonizmave, shpesh herë të pafrytshme.
Abrogimi i ligjit të luftës përbën një çështje tjetër në marrëdhëniet dypalëshe. Pala greke ka garantuar në të gjitha format, bile edhe nëpërmjet deklaratave zyrtare të ish Presidentit të Republikës Karolos Papulias, se dekreti mbretëror që e parashikonte këtë ligj është abroguar. Njëkohësisht, ka edhe një angazhim zyrtar se prej palës sonë nuk ekziston gjëndja e luftës. E si mund të ndodhte ndryshe, në një kohë që me Shqipërinë marrim pjesë në të njëjtën aleancë mbrojtëse, NATO-n, dhe jemi të predispozuar që ta ndihmojmë për t’u integruar në familjen europiane? Sa i përket çështjes çame, një temë që e ngrë pala shqiptare, por që në thelb ka gjetur zgjidhje me vendime gjyqësore këtu e 70 e më shumë vjet përpara, pra dukshëm si çështje, ajo nuk ekziston, secili që enentualisht beson se duhet që të kompensohet, mund t’u drejtohet gjykatave greke, ashtu siç parashikon ligji.
Një prej arësyeve kryesore që klima për Greqinë, në rradhët e një pjese të shoqërisë shqiptare është negative, ka lidhje me stereotipe të së kaluarës, të cilat vetë jeta i ka nxjerrë jashtë loje. Më konkretisht, sindromi i rrethimit armiqësot, që kultivohet sistematikisht dhe që kalon nga njëri brez tek tjetri, përfshin brënda edhe Greqinë. Besoj se prej referimeve të mësipërme mbi çështjen konkrete, bëhet e qartë, dhe veç kësaj, është vërtetuar në praktikë, se kjo është një teori absurde, e cila nuk i përgjigjet, qoftë dhe minimalisht, realitetit. Këtë e vërteton ndërveprimi i dy shoqërive të vëndeve tona dhe shprehësit më të mirë të përspektivës pozitive të marrëdhënieve greko-shqiptare janë emigrantët Shqiptarë që ndodhen në Greqi që në fillimet e viteve 1990.
Është e vërtetë që ndërsa në fillim, shumica e Grekëve (sidomos në fshatrat e Epirit) , i priti krahëhapur, në vazhdim, për shkak ngjarjesh aksidentale dhe fatkeqe, por ndoshta dhe për mungesë kulture menaxhimi të një numri kaq të madh emigrantësh që erdhën masivisht dhe me kërkesa në Greqi (kjo kishte ndodhur edhe pas katastrofës e Azisë së Vogël me bashkëkombasit tanë), trajtimi i mjaft prej atyre njerëzve ishte ksonofobik dhe i papranueshëm në disa raste. Por këtu dhe shumë vite më parë kjo gjëndje ka ndryshuar rrënjësisht. Elementi shqiptar është integruar normalisht dhe plotësisht, një numur i madh i janë futur rrugës së biznesit, fëmijët e brezit të dytë dhe të tretë ndjekin me sukses mësimet nëpër universitetet greke dhe stereotipet e së kaluarës ngjajnë tashmë shumë të largëta. Kam pasur fatin të jem vetë dëshmitar i përparimit të studentëve me origjinë shqiptare, të cilët, duke marrë nënshtetësinë greke, ndoqën universitete me emër në vende të BE-së me shpenzime shumë të ulëta shkollore, ndërsa nëse nuk do ta kishin, familjet e tyre nuk do të mundeshin të bënin realitet ëndërrat e tyre.
Përmbledhtazi, do të thoshim se marrëdhëniet Greqi-Shqipëri ndodhen para një sprove. Mosbesimi reciprok duhet t’ia lëshojë vendin nismave me vepra për rivendosjen e besimit. Në të kaluarën e afërt iu afruam një marrëveshjeje –paketë, e cila mirrte parasysh shqetësimet e të dy palëve. Sot, në një ambient Covid-19 dhe krize ekonomike, duhet të vihet në plan të parë bashkëpunimi brënda një kuadri rregullator, që do të bazohet në ato që parashikon e drejta ndërkombëtare mbi detin, do të bazohet në respektimin e minoriteteve dhe në përgjithësi, do të bazohet në parimet e fqinjësisë së mirë. Nuk ka diskutim se ato që i bashkojnë vendet tona janë më të shumta në numur se ato që i ndajnë, rrjedhimisht na intereson që lidhjet tona të kalojnë në filtrin e interesave tona kombëtare, duke iu shmangur kurtheve të forcave të brëndshme dhe kryesisht të jashtme, të cilat, për arësyet e tyre, janë të interesuara që të përjetësohen pikëpamje, objektivi i vetëm i të cilave është zgjatja në vazhdimësi i tensioneve mes nesh.
Greket te njohin or Kol te kane pare ne skype
Po jevgjit e pabese grek i njef ti?