Një 27-vjeçar u plagos me thikë pasditen e së martës, në afërsi të zonës së njohur si “Kafja e Rremës”, në Tiranë. Autori është një 21-vjeçar, tashmë i arrestuar nga Policia, edhe pse ka kundërshtuar forcat e rendit në momentin e shoqërimit, duke i goditur edhe ata me grusht, shkruan “Panorama”.
Dy të rinjtë e përfshirë në konflikt nuk njiheshin më parë me njëri-tjetrin dhe gjithçka ka nisur pas shikimeve të shoqëruara më pas edhe me fyerje. “Pse më sheh?”, i është drejtuar autori 27-vjeçarit me iniciale A.M., e më pas e ka sulmuar duke e goditur me një biçak që mbante me vete.
I dyshuari, E.L., është përleshur me personin e plagosur dhe kanë qenë kalimtarët që kanë lajmëruar Policinë. Por më pas i dyshuari është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe shërbimet e Komisariatit nr.4 janë vënë në ndjekje të tij derisa kanë zbuluar vendndodhjen, në afërsi të “Bërrylit”.
Në momentin e konstatimit, shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje autorit që të ndalonte, por ai ka nisur të vrapojë duke u fshehur nëpër rrugicat e zonës. Ai nuk është dorëzuar lehtë edhe në momentin që efektivët kanë arritur ta ndalojnë dhe i kanë kërkuar që të drejtohej bashkë me ta në makinën e Policisë.
I riu i ka kundërshtuar, duke mos i lejuar që t’i vendosnin prangat, madje njërin prej efektivëve e ka goditur me grusht duke tentuar të largohej. Por më pas kanë qenë shërbimet e tjera që e kanë ndaluar duke e vënë menjëherë në pranga./a.m.











