Departamenti amerikan i Drejtësisë ka argumentuar në gjykatë se presidenti Donald Trump ka autoritet të kufizojë ose edhe të përjashtojë CNN, MS NOW dhe Politico nga zona të caktuara të Shtëpisë së Bardhë, duke e cilësuar aksesin e medias si privilegj dhe jo si të drejtë absolute. Në dokumentet e depozituara mbrëmjen e së martës (22 shtator), avokatët e administratës Trump argumentojnë se kufizimet mund të justifikohen edhe nga shqetësimet për sigurinë kombëtare. Sipas qeverisë, disa raportime të këtyre mediave mbi luftën në Iran, si dhe mbi projektin e sallës së ballove në East Wing, kanë ngritur shqetësime të tilla.
Në një nga argumentet e paraqitura në gjykatë thuhet se qeveria mund të kontrollojë aksesin e gazetarëve në zona të kufizuara presidenciale, përfshirë Zyrën Ovale, edhe në rrethana ku vendimi lidhet me pikëpamjet e medias. Çështja pritet të shqyrtohet në një seancë urgjente nga gjyqtari federal Timothy Kelly në Uashington. CNN, MS NOW dhe Politico kërkojnë rikthimin e menjëhershëm të aksesit të tyre në Shtëpinë e Bardhë.
Mediat argumentojnë se administrata ka shkelur të drejtat e tyre kushtetuese dhe procesin e rregullt ligjor, pasi u është hequr aksesi pa paralajmërim të mjaftueshëm dhe pa një mundësi paraprake për ta kundërshtuar vendimin. Dokumentet e reja përfshijnë edhe letra të dërguara nga Shtëpia e Bardhë ndaj tre organizatave mediatike. Në to renditen artikuj konkretë që administrata i konsideron problematikë dhe u kërkohet mediave të paraqesin kundërshtimet e tyre me shkrim deri të premten (25 shtator).
Në rastin e CNN, letrat përmendin raportime mbi një bunker të pretenduar “tepër sekret” që mund të ndërtohet nën sallën e re të ballove në East Wing, si dhe raportime të tjera lidhur me luftën në Iran.
MS NOW kritikohet për mbulimin e luftës në Iran dhe për një artikull lidhur me një hetim mbi rrjedhjen e informacionit. Ndërsa ndaj Politico-s përmenden artikuj mbi sanksionet ndaj Iranit, projektin e sallës së ballove dhe Rusinë.
Përplasja është shndërruar në një test të rëndësishëm gjyqësor mbi kufijtë e pushtetit presidencial dhe mbrojtjen kushtetuese të lirisë së shtypit. Gjykatat federale në raste të mëparshme kanë ndërhyrë kur administratat presidenciale kanë tentuar të kufizojnë aksesin e gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Vendimi i gjykatës mund të përcaktojë nëse dhe në çfarë rrethanash administrata mund të kufizojë aksesin e mediave në ambientet presidenciale, veçanërisht kur kufizimi lidhet me përmbajtjen e raportimit të tyre.











