Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nis sot vizitën dyditore në Tiranë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, më 3 dhe 4 tetor, Presidenti Thaçi do të takohet me krerët e shtetit. Sot në orën 09:00, presidenti Thaçi do të pritet me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.
Ndërsa, në orën 10:30, dy Presidentët do të dalin para medias. Pas takimit me Presidentin Nishani, në orën 11:00, Presidenti Thaçi do të pritet nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kurse në orën 13:30, do të takohet edhe me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Pas takimeve me krerët e shtetit, Presidenti Thaçi do të vizitojë familjen e shkrimtarit Dritero Agolli.
Ndërsa, në orën 16:30, Presidenti Thaçi do të takohet edhe me kreun e PD-së Lulzim Basha. Nesër në orën 09:00, presidenti Thaçi do të vendosë kurorë lulesh në monumentin “Nëna Shqipëri”. Ndërsa, në orën 09:30, në Bashkinë e Tiranës do të takohet me kryebashkiakun Erion Velijaj.
Pas këtij takimi, para se të niset për në Bashkinë e Shkodrës, Presidenti Thaçi do të vendosë, gjithashtu, kurorë lulesh edhe te shtatorja e Adem Jasharit në Tiranë. Ndërsa, në mesditë, rreth orës 13:00, në Bushat të Shkodrës, Presidenti Thaçi do të vizitojë futbollistët e Kombëtares së Kosovës, të cilët po bëjnë përgatitjet e fundit për ndeshjen me Kroacinë.
BW/d.i.