Nga Ben Andoni
Nuk është një grup fjalësh i nxjerrë nga hiçi, por mënyra sesi po menaxhohet terrori i shumëllojtë në ditët e sotme. Dhe, jo vetëm ai i mirëfillti, që shkakton aq shumë gjak, dhunë dhe frikë. Terrori ka fytyra të ndryshme, por në të gjitha rastet, u shërben atyre që e kanë pushtetin për ta kanalizuar, mbajtur dhe forcuar fuqinë e tyre. Pushteti i madh i presidentit Vuçiq në Serbi tashmë po i bën militantët të guxojnë e të arrijnë t’i godasin disa herë fizikisht protestuesit deri në mënyrat më të dhunshme. Në dukje sporadike ato që lidhen me një kryeqytet tjetër ballkanik, por nga ato që referohen prej mediave të vendit fqinj, duhet të shqetësohesh për situatën e Shkupit zyrtar. “Forca e padukshme” në Maqedoninë e Veriut që po u tregohet shqiptarëve është duke prekur institucionin më të lartë të mbijetesës dhe nderit historik, që është gjuha shqipe. Në Shqipëri “terrori” modern lidhet me shumë aspekte, që nga “frikësimi” për ardhjen e një opozite, e cila ka pasur vërtetë probleme me administrimin e pushtetit; si dhe në shumë drejtime, ku qeverisja e sotme Rama përballet me institucionet e saj. Është e kotë të përsërisim “terrorin”, që ka publiku nga kadastra, taksat dhe politikat fluide, që ndryshojnë shpesh. Vetë z. Rama në podcast-in e tij “Flasim” me ekspertin e ekonomisë Selami Xhepa do të bënte një konstatim të drejtë lidhur me institucionet e pavarura, qesëndinë e të cilave e ndjejmë në çdo moment gati si “terror”. “Kjo e institucioneve të pavarura pastaj është gjithmonë e më shumë problem se sa më shumë ne i japim pavarësi institucioneve aq më shumë bie në sy paaftësia institucionale për të kontrolluar, jo në kuptimin kontroll politik, por për të kontrolluar në kuptimin e performancës në sistemin shtetëror. Dhe rasti klasik është sesi gjykatësit i rritën rrogat vetes. Ai është rasti më spektakolar i impotencës të gjithë pjesës tjetër për të thënë jo…”. Dhe, vijoi një shpjegim, por pa shpjeguar dot se fytyra e shtetit shqiptar të sotëm është e lidhur me tre mandatet e tij të njëpasnjëshme. Vjedhjet dhe shpërdorimet e akuzuara nga SPAK-u, që kanë vendosur një masë të madhe të Socialistëve para Drejtësisë, nuk e trandin Ramën! Pyetja që vijon është se: Pse pushtetarët e sotëm nuk dinë të reagojnë ose më thjeshtë të hapin udhë për alternativa zhvillimi të vendit pa ta?! Pse nuk e njohin Mea Culpa-ën?
Ka një shqetësim të madh, lidhur edhe me faktin sesi ne po e përballim sot realitetin. Qetësia dhe normaliteti i publikut ka humbur pikërisht prej politikave konfuze dhe më shumë se çdo gjë tjetër nga mungesa e shpresës, para të papriturave, që na dhurohen në çdo moment. Më shqetësuese është “terrori” i të papriturës dhe kjo trajtohet që nga pallatet që kërkohen të prishen; kriminaliteti që mbetet i pagoditur; politikat e befta të ndryshimeve; nga paktet me Melonin dhe duke vijuar me premtime dhe sugjerime të pushtetarëve, që të lënë me gojë hapur. Sot, Shqipëria dhe Kosova mbeten dy vendet më pro anëtarësimit në BE me gati më shumë se 95% pro të njerëzve që e duan! Shqipëria në parantezë ishte sërish në një vëzhgim që bëri kohë më parë OSBE-ja si një nga vendet me gati më shumë se 50% të nostalgjikëve për regjimin e shkuar! Pyetja që lind është :A janë njerëzit e kampionit të marrë, njësoj me ata që votojnë për PS dhe PD-në dhe përballin këtë realitet?! Kë vallë duhet të besojmë?!
“… adhurojmë imazhin apo brendësinë? Cilën BE të besojmë? Atë të bazuar te demokracia, transparenca, efikasiteti, parimet e shtetit të së drejtës, respekti dhe integrimi përmes ruajtës së identiteteve apo atë të bazuar në monopol vendimesh, burokraci, qasje kujdestare, interesash nacionaliste dhe (keq)përdorimin e vetos në vendimmarrje?”- shkruan Afrim Krasniqi, drejtori i Institutit të Studimeve Politike në rrjetet sociale. Sërish në logjikën e studiuesit: Sikur të donim tokën, territorin, hapësirën publike, shkollat e librat sa duam BE-në! Realiteti që zbulon është pikërisht dhimbja më e madhe e njerëzve para terrorit të së papriturave, që u vjen prej pushtetarëve të vet.
“Terrori” modern ka shumë forma por ajo që të bën më përshtypje është “e papritura”, që na bëhet çdo periudhë të afrimit zgjedhor. “Monitor” thekson dy fenomene, që janë prezentë sa herë ka zgjedhje, si lokale apo të përgjithshme. E para lidhet me rritjen e parasë, e cila qarkullon jashtë bankave dhe së dyti, një vrull të shpenzimeve kapitale nga buxheti i shtetit. Specialistët, fenomenin e parë e identifikojnë si tregues indirekt i parasë, përfshi edhe paranë informale, që hidhet gjatë fushatave zgjedhore. E dyta është dëshmia e zellit të qeverisë për të treguar se po punon, duke bërë disa punë të dukshme, kryesisht shtrimin e rrugëve (Monitor, 2025). Se çfarë flasin raportet për zgjedhjet në Shqipëri nga OSBE, që kanë theksuar shpesh problemin e përdorimit të burimeve shtetërore për zgjedhjet, tashmë dihet dhe media e ka bërë shpesh prezente. Megjithatë publiku mbetet para një kaosi ose “terrori” modern që na vjen nga e papritura, ku nga një anë shpaloset një politikë (e munguar), që tregohet tashmë si shpëtimtare, ndërsa e dyta nga opozita, që kërkon rregulla të pastra dhe zgjedhje të rregullta (që është e pritshme dhe e duhura), por që e shoqëron shpesh shqetësimi i natyrshëm i qytetarëve, se kur të vinë në pushtet do të bëjnë të njëjtën gjë. Koha na ka treguar se konstatimi ka qenë i vërtetë. Retorika e njerëzve të tyre mbetet shqetësuese.
Kështu po përfundojmë tek premtimet, që nuk ndalen në Shqipëri dhe në Kosovë, sepse edhe tek kjo e fundit kemi zgjedhjet e përgjithshme. “Terrori” modern nga premtimet është shqetësues, sepse me menaxhimin e tyre, pushtetarët na tregojnë sesa “të vegjël” jemi para “fuqisë” së tyre, por edhe se vetëm ata dinë të menaxhojnë këtë. Nga 1 shkurti premtimet e Ramës mëtojnë se: do të ulen me rreth 10% (në 8.5 lekë) çmimet e energjisë për konsumatorët familjarë, që shpenzojnë deri në 700 kW/h në muaj, referuar edhe zyrtarëve aktualë. Nga ana tjetër, sfiduesja Partia Demokratike premtoi se nëse vjen në pushtet, energjia do të zbresë në 7 lekë, e ulje do të ketë edhe për bizneset (Monitor, 2025). Në Kosovë premtimet për rrogat po kapin shifra sfiduese, nga dyfishi sipas PDK-së në shifra edhe më të fryra tek të tjerët.
Historiani amerikan Timothy Snyder, në sythin e tij të 18-të në librin “Mbi tiraninë”, që e titullon “Ruaj qetësinë kur e pamendueshmja vjen”, sjell një situatë mbi terrorin e drejtpërdrejtë dhe sesi vendi i tij SHBA dhe fuqitë e tjera, ku janë në fuqi autokratët po e menaxhojnë, duke e kthyer pushtetin e tyre të pasfidueshëm. Veç në rastin e Shqipërisë, ku terrori i mirëfilltë që sjell viktima për fat nuk ka qenë prezent, jemi përballë një terrori modern, atë të autokratëve ndaj institucioneve tona. “Për ne leksioni është se frika jonë natyrore dhe trishtimi nuk duhet të lejohet t’i hapin rrugën shkatërrimit të institucioneve tona”, shkruan Snyder. Në fakt, përditë institucionet po dobësohen dhe bjerren dhe mbi të gjitha po bie statura e njeriut pozitiv, atë që Rama e konstaton edhe vetë me institucionet, ndaj frika jonë natyrore është e justifikuar me faktin se: trishtimin tonë pushtetarët e marrin si nevojë për mbrojtje nga ana e tyre…duke na ofruar si këmbim zotësinë e tyre për t’i prerë udhë “terrorit” modern ndaj të papriturës, që po kthehet në shpeshtësi në Demokracinë post ‘90. (Homo Albanicus)