Mbledhja e sotme e grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka shënuar herën e parë të diskutimit të reformës territoriale. Në një intervistë në ‘Studio Live’ në Report Tv, Erion Braçe zbulon për herë të parë këtë detaj, duke theksuar se po ndodh vetëm 3 ditë para votimit të reformës në Kuvend, që nuk e gëzon mbështetjen e tij. Ai shprehet se pavarësisht takimeve të herëpashershme të grupit, asnjëherë s’kanë marrë informacione lidhur me ndarjen e re territoriale, për të cilën sipas tij, s’ka pasur seriozitetin e duhur.
Erion Braçe: Mbledhja e parë e grupit parlamentar dhe është shumë vonë, 3 ditë para se të votohet, që kur ka filluar të diskutohet për reformën, hera e parë që bëhet një diskutim me grupin e PS. Jemi mbledhur disa herë dhe s’kemi marrë asnjë rresht informacion për këtë reformë. Më vjen keq, por mënyra si është organizuar ky diskutim lë shumë për të dëshiruar. Kjo është reforma, në thonjëza, më e rëndësishme, për gjithë mandatin dhe duhet të merrte seriozitetin, transparencën, pyetjet dhe përgjigjet e duhura e mos të liheshin në një ditë të vetme. Unë në grupin parlamentar s’kam mbajtur qëndrim timin personal. Unë jam deputet i Tiranës dhe prekem si qytetar dhe deputet, pavarësisht se nuk merret një bashki dhe të bashkohet, kur Tirana është e pacenueshme. S’kam asnjë interes personal, qëndrimet janë parimore. S’mundet të trajtohet në formë të tillë reforma më e rëndësishme e mandatit. S’mundet që 3 ditë para se të votohet në parlament, të ngrihet grupi parlamentar dhe ta diskutojë dhe në mbledhje të flasin vetëm 4 njerëz.
-Përse ndodh kështu?Erion Braçe:Duhet ta shpjegojë zotëria që nxorrët në insert. Është përgjegjësi e tij e drejtpërdrejtë si kryetar i grupit të PS për të organizuar një proces gjithëpërfshirës dhe të kishte brenda vetes deputetët. E para gjë lidhej me mënyrën e organizimit të diskutimit. E dyta, lidhet me të parën. Në dy kalendarë rresht, Komisioni i Ekonomisë duhet të studionte këtë projektligj. Shumica dërrmuese e kritereve që u diskutuan lidhen me ekonominë, edhe suksesi ose jo lidhet me ekonominë. Si mundet të jetë dy herë në kalendar dhe dy herë të hiqet? Të dyja u njohën si vërejtje të rëndësishme në mbledhjen e grupit, madje zotëria kërkoi ndjesë për Komisionin e Ekonomisë. Për çështjen e mbajtjes informuar të deputetëve dhe ndarjen e informacionit në kohë me banorët, u tha që është përgjegjësi e drejtuesve politikë. Si mund të vihet 3 ditë para se të votohet dhe pa vënë para deputetëve një copë letër? Këto janë përgjegjësi të këtij zotërisë! Vërejtja më e rëndësishme është, reformën e mbajnë në këmbë parimet, jo votat. Parimet lidhen drejtpërdrejt me interesat e njerëzve. pse janë shkelur? Pse nuk është i njëjti parim i zbatuar njësoj? Si mund të anashkalohet shkelja e parimeve të miratuara? Po mbajtëm ato do të mbajmë edhe këtë. S’është alibi kjo. As nevoja politike, as nevoja për vota. Nëse reforma është e drejtë dhe u qëndron parimeve, i ka votat aty. Kur parimet shkelen për të bërë qoka politike… ç’kuptim ka? Mbi ç’parim të kësaj reforme qëndron bashkia e Roskovecit në kufijtë që ka pasur? Unë kuptova që s’qenka përfundimtare, pas disa vitesh do të hyjmë po prapë.
Një përgjigje të qartë e pati për Taulant Ballën dhe fjalët e tij se kushdo që nuk e mbështet reformën, “duhet të shohë rregulloren.
“Mua nuk më përjashton dot nga PS ky djali apo cilido tjetër që më ka gjetur në PS! Kam qenë atje kur kanë ardhur në PS! I kam mbështetur sa s’ka ku të shkojë më, janë bërë ministra dhe më tregojnë mua rregulloren!”, tha Braçe.
Ndarja e re territoriale bie ndesh me disa ligje, vijon Braçe, pa e braktisur idenë e një reforme për t’iu përshtatur nevojave.
Reforma duhet të përmirësojë qeverisjen dhe të delegojë më shumë kompetenca nga pushteti qendror te ai vendor. Ky proces kërkon qetësi, vijoi deputeti, duke përmendur sërish ‘kërcënimin’ e rregullores.
“Kur kalon funksioni apo kompetenca te bashkia, por nuk i buxheton, nuk delegon paratë e buxhetit të shtetit, si do të bëhen? Vetëm për rrugët rurale, vlera që këta kanë transferuar nga qeveria qendrore, nuk shkon as sa 40% nga manuali që përllogaritet nga mirëmbajtja. Nëse transferon funksione pa buxhete respektive, si do të funksionojnë? Jemi në një pikë që duhet të rregullohen funksionet me të cilat duhet të merren bashkitë dhe kjo bërja më e madhe e disa bashkive, e bën të vlejë këtë gjë. Unë kisha një pyetje dhe e bëra në grup se sot mungonte kryeministri, zv/kryeministri, 1/3 e deputetëve. I gjithë ky proces ka nevojë për qetësi, jo për hakërrime. Shikojeni te rregullorja se ç’do pësojnë këta! Ç’do pësoj unë? Është një reformë që duhet t’i mbetet këtij vendi dhe përmirëson qeverisjen. A është e gatshme qeveria të lëshojë pushtet nga pushteti që mban për ta lëshuar te pushteti vendor? A është gati ta lëshojë arsimin, burimet njerëzore, shërbimin shëndetësor, bujqësinë te pushteti vendor?”, tha Braçe.
Reforma territoriale kërkon të paktën 84 vota që të mund të miratohet. Pas largimit nga grupi i Marjana Koçekut, socialistët numërojnë 82 vota, të cilave pritet t’u bashkëngjiten dhe 3 të deputetëve të partisë së Tom Doshit. Veç Braçes, qëndrim kundër ka mbajtur edhe Vullnet Sinaj.












Brace ke filluar te behesh I bezdisur po humbet Shume kredibilitet.Me ke e ke e di ti.