Lëkundjet sizmike të 21 shtatorit sollën edhe një herë në vëmendje rëndësinë e cilësisë së ndërtimeve. Por sa të sigurtë janë pallatet e reja dhe ato ekzistuese? Për të folur rreth kësaj teme emisioni “Java në RTSH” kishte të ftuar zv.ministrin e Infrastrukturës, Artan Shkreli.
Në panelin me analistët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, Shkreli tha se tërmetet të konsideruar si kataklizma e prekin rajonin Tiranë-Durrës çdo 200-250 vite. “Durrësi është zhdukur dy herë nga harta e këtij vendi, në kohët ilirike dhe në kohët anzhuine. Është tërmeti i famshëm i viteve 1270 kur banorët e Durrësit u detyruan të zhvendosen në Berat” – tha Shkreli.
Sipas zv.ministrit tërmeti i shtatorit ishte relativisht i shkurtër dhe kjo ndihmoi që të mos shënoheshin pasoja të rënda. Ai shtoi se veprat infrastrukturore si urat janë delikate, por që fatmirësisht vetëm dy të tilla pësuan dëmtime nga lëkundjet e fundit sizmike.
Sa i përket rezistencës së ndërtimeve, Shkreli tha se pas çdo tërmeti kapaciteti mbajtës i godinave ulet dhe ndaj lind nevoja për inspektime.
“Ndërtimet e vjetra janë me kodet e vjetra antisizmike dhe janë llogaritur për tërmete me fuqi më të ulët. Në pjesën më të madhe të tyre ato nuk janë ndërtuar sipas sistemit beton-arme siç ndërtohet sot. Shumica e pallateve janë të ndërtuara me tulla apo punë vullnetare. Por strukturat me tulla e minimizojnë valën tronditëse për shkak të thurjes që kane” – tha zv.ministri Shkreli në emisionin “Java në RSH”.
https://www.youtube.com/watch?v=JWKWpEF-3C8&t=906s











